Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Intervista e Emigracionit në SHBA për të martuarit, sqaron avokati amerikan

Nga Media 0

Çështje të emigracionit në SHBA sqarohen nga avokati Kieran Both.

I dashur Z. Both:

Mua dhe bashkëshortit na kanë caktuar datën e intervistës për green card. Kemi një vit që jemi martuar dhe kemi dhe një fëmijë. Miqtë na kanë thënë që intervista është shumë e vështirë dhe druhem që nuk do ta kalojmë dot. Ju lutem na tregoni se çfarë na pret. CG. Brooklyn, NY

Avokati Kieran Both: Së pari ju urojmë që intervista t’ju shkojë mbarë. Është e rëndësishme që të jeni të përgatitur. Në shumicën e çështjeve të emigracionit që kanë bazë martesën, kërkuesi dhe përfituesi duhet të provojnë që lidhja e tyre martesore është bona fide (domethënë e përmbush parimin e mirëbesimit).

Përkufizohet si martesë bona fide ajo martesë që është ligjërisht e vlefshme, domethënë që bashkëshortëve u është lejuar ligjërisht të martohen, sepse kanë arritur moshën për martesë, sepse mes tyre nuk egzistojnë lidhje të ndaluara dhe të gjitha martesat e mëparshme (nëse kanë patur të tilla) kanë përfunduar ose janë zgjidhur sipas ligjit. Një martesë bona fide është ajo martesë që nuk është sajuar thjesht për t’i siguruar njërit prej bashkëshortëve një përfitim për qëllime emigracioni. Çifti i martuar duhet të tregojë që lidhja e tyre martesore është e vlefshme dhe kjo bëhet duke paraqitur dëshmi dhe prova të dokumentuara përpara zyrtarit të USCIS-it (Shërbimit të Emigracionit dhe Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara).

Shumica e çifteve të martuara nuk e kanë idenë se çfarë i pret, ndaj është e nevojshme që të takoheni paraprakisht me avokatin tuaj që të përgatiteni sa më mirë. Do t’ju sygjeronim që të arrinit në Zyrën e Emigracionit të paktën 45 minuta përpara orës kur është caktuar intervista në mënyrë që të keni kohë të kryeni proçedurat që kanë të bëjnë me masat e sigurisë në ndërtesën e USCIS-it. Do t’ju kërkohet të kaloni përmes një zbuluesi të metaleve dhe do t’ju bëhet kontroll i çantave dhe gjërave të tjera. Njoftimi për intervistë përmban dhe informacionin për dhomën ku duhet të paraqiteni për regjistrim.

Sigurohuni që kur të hyni në ndërtesë të keni me vete njoftimin për intervistë dhe të drejtoheni drejt dhomës së duhur. Shpeshherë, jashtë dhomës në fjalë gjendet një roje i cili do t’ju kërkojë njoftimin për intervistë si dhe dokumentat e identifikimit. Më pas do të vazhdoni tek një sportel ku do të bëni regjistrimin.

Aty do t’ju kërkohet sërish të paraqisni njoftimin për intervistë dhe dokumentat e identifikimit. Nëpunësi do t’ju pyesë gjithashtu nëse ju nevojitet një përkthyes. Në New York, është USCIS-i vetë që ju siguron përkthyesin, por në vende të tjera kërkohet që përkthyesin ta sjellin vetë aplikantët. Duhet të interesoheni paraprakisht nëse mund t’ju sigurojnë përkthyes, pasi intervista mund t’ju shtyhet në rast se nuk keni përkthyes. Më pas do t’ju kërkohet të prisni.

Shumë zyra nuk lejojnë që të mbani me vete pije apo ushqim në sallën e pritjes, kështu që shkoni të ngrënë, pasi mund t’ju duhet të prisni me orë të tëra. Gjithashtu, në shumë zyra nuk lejohet që të mbani telefon celular, kështu që nëse doni, sillni diçka për të lexuar ndërkohë që prisni. Disa zyra ju japin një biletë me një numër dhe kur thirret ai numër është radha e çështjes tuaj. Në disa zyra mund t’ju thërrasin emrin ose numrin “A” (Alien number). Ky numër është i shtypur dhe gjendet në të gjitha korrspondencat tuaja me emigracionin. Zyrtari do t’ju thërrasë emrin dhe më pas do t’ju çojnë në një zyrë për intervistë. Zyrtari do t’ju kërkojë të ngrini dorën e djathtë dhe të betoheni që do të thoni të vërtetën. Kjo gjë quhet betim dhe USCIS-i e merr këtë gjë shumë seriozisht. Nëse USCIS-i vendos që përsoni nuk është i sinqertë në atë që thotë, ai ose ajo mund të akuzohen për krim dhe/ose mund të mos lejohen të marrin në të ardhmen asnjë lloj përfitimi me qëllim emigracioni. Diçka e tillë mund të çojë dhe në deportim. Pas betimit, zyrtari i emigracionit do të kërkojë të shqyrtojë dokumentat tuaj, kështu që duhet të keni gati të gjithë dokumentat origjinalë. Mos i përzieni dokumentat e tjerë me dokumentat origjinalë. Fillimisht zyrtari do t’ju bëjë disa pyetje të natyrës biografike dhe më pas do t’ju pyesë si ju ashtu dhe bashkëshortin/en tuaj për lidhjen tuaj.

Nëse nuk e kuptoni ndonjë pyetje, duhet t’i kërkoni zyrtarit që t’jua përsërisë. Mos shkoni me hamendje. Është më mirë të thoni që nuk e dini përgjigjen. Nëse ka ndonjë gabim në ndonjërin nga formularët, duhet t’ia thoni menjëherë zyrtarit. Është akoma më mirë nëse korrigjimet ose ndryshimet i bëni me shkrim dhe i sillni me vete në intervistë, për t’ia lehtësuar gjërat zyrtarit.

Zyrtari zakonisht i bën pyetje personale çiftit të martuar për njëri tjetrin në mënyrë që të vendosë nëse martesa është bona fide. Lloji i pyetjeve që bëhen zakonisht është i tillë që përgjigjen e di vetëm bashkëshorti/ja. Pyetje të tipit “në çfarë ore zgjohet në mëngjez ai/ajo” “cili është ushqimi i preferuar” janë të zakonshme. Pyetjet bëhen nga kategori të ndryshme si p.sh. pyetje rreth:

Banesës (Sa dhoma keni në apartament? Në cilin kat jetoni? Sa është qiraja? Kush i paguan faturat?),
Biografisë (Kur ka lindur bashkëshorti/ja? Sa vëllezër dhe motra ka? Si quhen? Ku banojnë prindërit e bashkëshortit/es?)
Mënyrës së jetesës (A ka ndonjë pasion/hobi bashkëshorti/ja juaj? A i pëlqen të bëjë ushtrime fizkulturore? Cili është spektakli televiziv i preferuar? Cili është restoranti i preferuar?)
Historisë (Ku jeni takuar për herë të parë? Ku keni shkuar në takimin e parë? Kur jeni fejuar? Kush i propozoi kujt? Ku u bë pritja e martesës? Ku shkuat për muaj mjalti?)

Pyetjet që bëhen gjatë intervistës ndryshojnë gjithmonë dhe nuk ka një listë ekskluzive që të mund të studiohet, por çifti duhet të përgatitet për intervistë dhe ta marrë atë shumë seriozisht.

Shumë njerëz mendojnë që dinë gjithshka për bashkëshortin apo bashkëshorten e tyre, por kur shkojnë në intervistë, shpesh u japin përgjigje të ndryshme pyetjeve të thjeshta si ushqimi apo spektakli televiziv i preferuar. Kjo është arsyeja pse çifti duhet të përgatitet për intervistë me një avokat që ka përvojë në këto çështje. Nuk kërkohet që çdo pyetjeje i duhet dhënë domosdoshmërisht përgjigje e saktë, por është e rëndësishme që çifti ta kuptojë se si t’i shpjegojë mospërputhjet gjatë dhënies së dëshmisë.

Ju rekomandojmë që të silleni së bashku nëpër shtëpi dhe të tregoni vëmendje për çfarë ju rrethon si psh ngjyrën e mureve apo të dyshemesë. Kjo gjë e bërë së bashku, ju ndihmon të mbani mend më mirë.

Dokumentat janë shumë të rëndësishëm, sepse janë provë e angazhimit me njëri tjetrin. Është e dobishme të përgatisni një indeks të dokumentave që do të sillni me vete, sepse kjo do ta ndihmonte zyrtarin e emigracionit që të identifikonte më shpejt dokumentat më të rëndësishëm. Dokumentat nevojiten si provë për çfarë do të thoni gjatë intervistës. P.sh. nëqoftëse zyrtari ju pyet nëse gruaja juaj ka ndonjë motër apo vëlla, ju mund t’i tregoni fotografinë e familjes së saj dhe t’i identifikoni anëtarët duke u thënë emrat përkatës. Diçka e tillë ndihmon për të provuar vërtetësinë e lidhjes suaj, sepse sapo treguat që e njihni familjen e saj.

Çifti i martuar duhet të ketë shumë kujdes në ato raste kur kërkuesi apo përfituesi ka kryer ndonjë krim në të kaluarën ose ka ndonjë detyrim ligjor të pashlyer si pagesa të prapambetura për mbështetjen financiare ndaj fëmijës. Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) bën kontroll paraparak të gjendjes penale të personave që paraqiten për intervistë dhe nëse nga ky kontroll rezulton ndonjë shkelje, personi duhet të paraqesë dokumentat që shpjegojnë se çfarë ka ndodhur.

Nëse në të kaluarën penale ka patur ndonjë krim apo arrest, personi duhet të sjellë çertifikatën e gjendjes penale ku tregohet rezultati i proçesit penal përkatës. Në rastin e pagesave të prapambetura për mbështetjen financiare ndaj fëmijës, personi duhet të paraqesë provë që pagesat janë kryer si dhe një kopje të vendimit gjyqësor që tregon që problemi në fjalë nuk vazhdon më. Kemi dëgjuar histori të tmerrshme për njerëz që janë arrestuar gjatë intervistave të tilla për gjëra të ndodhura shumë kohë më parë. Kini pra kujdes.

Nëse përfituesi ka qenë ndonjëherë në gjyq për çështje emigracioni ose ndaj tij/saj është lëshuar një urdhër deportimi/largimi, është shumë e rëndësishme që përpara se të shkojë për intervistë të flasë me një avokat emigracioni. DHS-ja ka dijeni për këto gjëra dhe ka shumë të ngjarë që me t’u paraqitur për intervistë, personi të ndalohet.

Nëse në të kaluarën përfituesi ka dërguar ndonjë aplikim pranë Shërbimit të Emigracionit, avokati duhet të vihet në dijeni për këtë fakt pasi pasojat mund të jenë të rënda. Nëse keni ndonjë nga problemet e sapopërmendura, do t’ju rekomandoja shumë që të gjenit një avokat që t’ju ndihmojë. Shumë avokatë bashkëpunojnë me shoqata bamirësie që u ofrojnë emigrantëve shërbime ligjore falas ose me kosto të ulët.

Ka shumë probleme të tjera që lidhen me çështjet martesore të emigracionit për të cilat personat që kanë ndërmend të aplikojnë mund të kenë interes. Çdo rast është unik dhe këta persona, përpara se të bëjnë kërkesë për emigracion, duhet t’ia shpjegojnë një avokati faktet deri në një.

/Gazeta Illyria/

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej