Nga Enkel Demi
Tani që edhe qeveria ia dha lejen Ilir Kernit të shkojë, them se është çelur një debat që ka të bëjë me zhvillimin e kulturës në këtë vend.
Shqipëria e ka kreun e qeverisë njeri të artit, i cili ka mbijetuar këtu dhe gjetkë si piktor, kemi një ministre të Kulturës që vjen nga fusha e letrave. Shqipëria ka shumë ligjvënës në pushtet dhe në opozitë, të cilët janë artistë. Pra, në një farë mënyre udha e artistëve në politikë është e çelur, por politikat e artit me ç’duket jo.
Do të dëshiroja të dija arsyen e vërtetë përse u vetëlargua Ilir Kerni, megjithëse të gjithë thonë gjysma të vërtetash si është bërë tashmë zakon. Madje, u tha se shkarkimi i tij ishte bërë gati, por ky ua dogji kartat në dorë dhe iku vetë. Duke parë reagimet e disa deputetëve të majtë, shpresoj që të jetë larguar për çështjen e buxhetit të Operas.
Unë kam qenë në sallë, kur Saimir Pirgu po jepte një koncert bamirësie dhe nuk e fshehu idhnimin e tij me qeverinë e sapoardhur në pushtet që largoi nga detyra Zhani Cikon, drejtorin e mëparshëm. Megjithë kumtin e keq, Zhani Ciko udhëhoqi atë natë orkestrën dhe të nesërmen a dy ditë më vonë Edi Rama organizoi një takim, ku paraqiti drejtorët e rinj të institucioneve të artit si Artan Shabanin për Galerinë apo Ilir Kernin për TKOB. Me thënë të drejtën shija e largimit në atë mënyrë e Zhani Cikos, e paragjykonte Ilir Kernin. Këtë mbaj mend që ia shpreha Mirela Kumbaros, e cila si përherë e vëmendshme më thotë që do të zhgënjehesha për mirë.
Si një njeri i publikut, i cili mundohet mos të mungojë në shfaqjet e Operas, them se kam parë, këto pak kohë që Ilir Kerni drejtoi, shfaqje të një niveli të lartë. “Coppelia”, “Madame Butterfly” me Ermonela Jahon, “La boheme”, Inva Mula me “Pagliacci”, “Carmina Burana”, por dhe vetë rikthimi në tur i Saimir Pirgut rrëfen që në Operan e Tiranës janë bërë punë të mira. Natyrisht, nuk ia dal dot të përmendë koncertet simfonike, master class apo Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Sezone të ngjeshura, ku janë ngjitur në skenë artistë të mëdhenj me famë botërore. Ndaj, kur mësova për dorëheqjen e Ilir Kernit, më pas për peticionin e artistëve dhe reagimet e deputetëve socialistë, shpresova që qeveria do të zgjidhte keqkuptimet, konfliktet dhe do e kthente këtë njeri, sepse tek e fundit Mirela Kumbaro kishte patur të drejtë, ai na zhgënjeu për mirë. Por jo, qeveria tregohet gjithmonë e fortë me artistin, megjithëse ka një kryeministër piktor.
Gjithçka ka ndodhur këto vjet nuk është vetëm meritë e këtij njeriu. Kuptohet ka patur një grup nga pas, pa dyshim edhe qeverinë, por nuk e mohojmë dot që ka patur shumë pak para. Jo vetëm Opera, por edhe Teatri, kinemaja, libri. Por, ai shkoi, hapi krahun i themi me gjuhën e rrugës, ndaj sot puna e tij duhet parë.
Opera e Tiranës ndoshta nuk është më e mira e Europës, por renditet tek Operat me zë në vendet e Europës Juglindore. Është padyshim Opera më pak e mbështetur financiarisht, megjithëse për të parë një shfaqje të saj ka njerëz që marrin makinën nga Prishtina, Ulqini, Shkupi, Podgorica. Salla është përherë e mbushur, kurse mua që më ka qëlluar nja dy herë të punoj në atë skenë, e di fort mirë se si janë ambjentet ku bëhen gati artistët.
Asnjë qeveri e derisotme nuk ka vendosur të bëhet bujare me artin në Shqipëri. Përherë i kanë lëshuar fondet me pikatore dhe kanë folur shumë, por kanë bërë aspak. Maqedonia ka shumëfishet e Shqipërisë në financime artistike, të gjitha vendet e Ballkanit e kalojnë ku e ku Operan e Tiranës, megjithëse nëse besojmë qeverinë rritja ekonomike është e vazhdueshme. Ministri i Financave flet për një Shqipëri që po bën përpara pa ditur të ndalet. Kjo është arsyeja që edhe shpenzimet operative rriten, blihen makina, teknologji të reja, ndërtohen zyra dhe rindërtohen godina, dalin fotot e vjetra si i mbanin ambjentet katunarët që ishin më parë në pushtet dhe si i mbajnë kullerat që janë sot. Por, pare për Operan nuk jep njeri, për kinemanë jo, libri nuk duhet, se kush e lexon e kështu me rradhë.
Ndaj dorëheqja e Ilir Kernit është lajm i mërzitshëm, megjithëse asgjë nuk varet nga një njeri i vetëm, por kur një njeri i vetëm thyhet nga një qeveri, punët nuk janë shumë mirë, sido që ta shesë propaganda.