Kreu i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi ka reaguar lidhur me takimin e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati me homologun e tij grek Nikos Kotzias.
I ftuar në News 24, Idrizi shprehet se problemi i qëndrimit të tyre 3 ditë mbyllur në Kretë dhe mbyllur në Korçë, nuk ka asnjë lidhje me atë të pleqve çamë, të cilët duan të kthehen edhe një herë tjetër në shtëpitë e tyre.
Lidhur me deklaratat e Presidentit grek se shqiptarëve do i vështirësohen rrugët e integrimit, nëse nuk respektohen të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, Idrizi tha se rrugët e integrimit të Shqipërisë nuk kalojnë nga Greqia.
“Problemi i reciprocitetit kushtetues për të zgjidhur Çështjen e shqiptarëve të Çamërisë, është e drejta e pronës, e drejta e varrezave. Po pse kaq problem qenka sa të qëndrojnë 3 ditë mbyllur në Kretë dhe mbyllur në Korçë, një herë me serenatën korçare dhe njëherë me vallen e Kretës, për mos i lejuar edhe një herë tjetër pleqtë tanë nga 80 – 90 vjeç që presin e s’kanë asnjë lloj lidhje me këtë histori, që të shohin edhe një herë tjetër shtëpitë e tyre?
Kam dëgjuar gjithë ato herë Presidentin e Greqisë që flet për respektimin e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri dhe thotë: Nëse nuk i respektoni të drejtat e tyre rruga drejt integrimit të vendit do të vështirsohet.
Rrugët e integrimit të Shqipërisë nuk kalon nga Greqia. Ne e kemi përcaktuar se rruga jonë kalon nga Perëndimi. Athina është në lindje, rruga jonë është Roma, Berlini dhe SHBA-ja”, tha Idrizi.