Nga Bedri Islami
Nëna ime, tani 90-vjeçare, nuk është Heroinë e Popullit. As nuk e ka menduar kurrë se do të mund të ishte. Nuk ka qenë as anëtare e Byrosë Politike, as e Komitetit Qendror, nuk ka punuar në Sigurimin e Shtetit dhe as drejtuese e lartë nuk ka qenë. Ishte një vajzë e re, komuniste që në moshën 17-vjeçare, e përjashtuar nga Partia në vitin 1961, pasi nuk mohoi bashkëshortin e saj. Pra, si të thuash, nuk e kap ai ligji i famshëm që duan së toku demokratë e socialistë të thekur, për heqjen e dekoratave të kohës së komunizmit. E megjithatë, unë u them këtyre që nuk ishin pjesë e asaj kohe, që mendojnë se historia fillon me ardhjen e tyre në politikë: hiqjani dekoratat! Jam i bindur se edhe ajo vetë nuk i do dekoratat e kohës suaj! As lëmoshën tuaj, si nuk e duan ata që ende jetojnë, të plakur, të rrudhur nga hallet, nganjëherë nostalgjikë, por që bënë këtë pjesë Shqipërie….
Fjalën e kisha tek nëna ime…
Gjatë luftës ishte një vajzë e re, familja e së cilës, megjithëse tepër e njohur, gjyshi i saj kishte qenë kryetari i parë i Bashkisë së Shkodrës, pikërisht në vitet e rrethimit të qytetit nga serbomalazezët, ishte lidhur me Luftën Nacional Çlirimtare. Kishte qenë një vajtje e Enver Hoxhës , bashkë me Esat Dishnicën në atë shtëpi, një mbrëmje të fundvitit 1940, apo kishte qenë trashëgimia e tyre kundër një të huaji pushtues, tani është e vështirë të dihet. Esat Dishnicën, pronarin e madh të cigareve, e që i kishte dhënë dyqanin “Flora” Enver Hoxhës, e njihnin, jo vetëm si nip të Aqif Pashë Elbasanit, por më shumë pasi motra e tij, Hiqmetja, ishte e martuar me xhaxhain e nënës sime, Beqir bej Gjylbegun, deputetin e legjislaturës së parë, që nuk ia vërshëllente askujt.
Nejse, fjalën e kam tek dekoratat e nënës sime, që i duhen hequr. Pse të mos i hiqen? Njërin nga dajallarët e saj, Esat Gjylin, udhëheqësin e rinisë antifashiste të Shkodrës, ia vranë në një nga rrugicat e qytetit. Ishte i pari që vritej nga njerëzit e saj. Nip i Mehmet Gjylit të famshëm, ulqinakut që së bashku me Mehmet Becin, organizuan mbrojtjen e qytetit nga malazezët dhe, vetëm kur flota ndërkombëtare u sul në portin e qytetit, me topat e gatshëm për të sheshuar gjithçka, e lanë atë dhe erdhën në Shkodër, ku bënë vendin e tyre. Esat Gjylin nuk e vranë italianët, megjithëse u vra me pushkë italiane. E vranë ballistët, të prirë nga njëri ndër më të afërtit e tij. Ballistët e vranë, nuk ia lejuan varrimin. Vetëm tri gra, nëna e tij, Sabrie Hanmi, dhe dy motrat, u lejuan të ishin në varrimin e tij. Ballistët, edhe kur po ulej trupi i pajetë në dheun e tetorit1942 , kishin ngritur bajonetat. Gjyshja e nënës sime, Sabrie Hanmi, bijë nga dera fisnike e Bushatlinjve, u tha, “ulni ato armë, e keni vrarë një herë”. Esat Gjyli ishte fillesa e nënës sime në Lëvizjen Çlirimtare. Dërgonte letra, pastaj trakte shpërndante, njihej me shoqet, bënte atë që mund të bënte, me makina të tëra të familjes së saj dërgonin ushqime në mal, pastaj mori një armë…E dekoruan. I thonë medaljen e kujtimit. Hiqjani! Përse duhet të kujtohet, kur pinjollët e atyre që ia vranë dajën e bukur, sot kërkojnë të heqin dekoratat, pra, të rivrasin.
Daja tjetër i nënës sime ishte Arif Gjyli. Mësues, pastaj drejtues i Lëvizjes Çlirimtare në Shkodër. Partinë e drejtonte ai, Frontin e drejtonte Riza Dani, një ndër figurat më të njohura të Shkodrës. Të dy, pas luftës, deputetë. Të dy të arrestuar me grupin e deputetëve. Njëri, Riza Dani, i pushkatuar, Arif Gjyli i dënuar me shumë vite burgim. Ky i fundit,megjithëse deputet i qarkut të Shkodrës, do të propozonte në emër të deputetëve të qarkut Vlorë që Shqipëria të ishte Republikë në sesionin e parë të Parlamentit më të shquar që kishte pasur Shqipëria dhe që pësoi goditjen më të madhe. Arif Gjylit ia morën disa nga dekoratat që kur ishte gjallë, sepse edhe pasi u dëshmua i pafaj, nuk pranoi të ulte kokën, hiqjani tani! Aso kohe ia hoqi Koxi Xoxe, tani le t’ia heqë Lulzim Basha. Të dy kanë një lidhje të përbashkët: dikush Mugoshën, e tjetri Fazlliçin.
Esati nuk do të ishte i vrari i parë. Në të njëjtën shtëpi, rritur së bashku, ishte vëllai i saj, Naimi. Njëri ndër Heronjtë e Vigut, pasi kishte qenë në çetën e parë të Postribës, më pas në batalionin “Perlat Rexhepin” e më pas në Mirditë. Njëri ndër shakllabanët e kazanit mediatik , pak muaj më parë, kishte shkruar se kjo çetë në Mirditë gjuante vajzat e reja!!! Idiotizmi nuk ka brirë, as ligësia. Mirdita e asaj kohe e kishte ndrydhur botën e vajzave deri tek gardhi. Sikur të ishte ajo krahinë një ngrehinë vesi! Kur i vranë ata pesë djem të rinj, jo rastësisht, nuk kishte aty forca naziste, megjithëse armët ishin gjermane. I vranë shqiptarë, pinjollët e të cilëve sot thërrasin se Lufta Nacional Çlirimtare ishte luftë civile dhe se vetëm mostoleranca e partizanëve solli këtë luftë! Atyre djemve, të rrethuar në përroin e tharë të lumit të Vigut, pse ishte fund gushti 1944, askush nuk i bëri tolerancë, nuk u tha, “jeni të rinj, hajt, shkoni në punët tuaja dhe mos u sillni më këndej”, por i vranë barbarisht, i lanë të kalben në thatësinë e përroit. Naimi është Hero i Popullit. Ndoshta dekoratën e tij e ka në shtëpi njëra nga motrat e tij: merrjani. Jepjani atij të derës së Gjon Markajt që, pas vitit 1990, erdhi në Shqipëri, u mburr se kishte vrarë me dorën e tij ose me urdhër të tij 60 shqiptarë të tjerë, mes të cilëve edhe shumë mësues e mësuese, u dekorua nga ish-presidenti Berisha, i cili, nëse nuk do të kishin qenë këta mësuesit nga qytetet e njohura, do të ishte edhe sot e kësaj dite bari dhensh e ky vend do të kishte shpëtuar prej tij.
Nëna ime, si motrat e saj, si shoqet e saj, shumica e të cilave nuk janë më, megjithëse e gjithë shtëpia iu rrethua, iu burgosën dhe iu internuan shumë pjesëtarë të familjes, mes të cilëve edhe babai i saj, gjyshi im, Rexhep bej Gjylbegu, e vazhdoi rrugën, se kishin bërë një betim për lirinë e të gjithëve, jo për robërinë e një pjese dhe harbimin e një pjese tjetër. Mori medaljen e çlirimit. Hiqjani! Pse babai i saj shpëtoi nga kampi i përqendrimit në Prishtinë, se bashibozukët e Xhafer Devës deshën të digjnin Shtëpinë e Madhe të Gjylbegajve, se më shumë kishin në burgje se sa në shtëpi…hiqjani! Një lukuni demokratësh , bashkuar edhe me një verbëri soc- alistësh, duan të heqin një të shkuar, që ishte e lavdishme, për një grusht votash, për një vazhdimësi serbomadhe në trajtimin e luftës…, për ngritjen e së keqes varrosëse dhe mënjanimin e vlerave.. hiqjani! Jam i bindur se edhe ajo vetë nuk do kishte dashur..
I vetmi i vrarë nga gjermanët do të ishte xhaxhai i nënës sime, Eljaz Gjylbegu. I sapo bërë baba, djalit i kishte vënë emrin Mefat, sikur të ndillte fatin në jetën e tij, i arrestuar nga njerëzit e Hasan Isufit, edhe ky shqiptar, funksionar i lartë në komandaturën gjermane, sot me bust dhe i dekoruar. Sapo kishte mbytur dy ilegalë. Nuk thashë vrarë, sepse, pasi i pushkatoi dhe vuri se shpirti ende nuk u kishte dalë, u tha njerëzve të tij se “po shkoj të pi një kafe, mbushjani gojën me rërë dhe kur t’u dalë shpirti, më tregoni”. Të nesërmen u arrestua Eljazi , bashkë me një nip të shtëpisë dhe gjyshin tim, Rexhepin. I nisën për në Prishtinë, por në Kukës, nuk e di ende se për cilën hakmarrje, nxorën nga rreshti disa burra dhe i pushkatuan. Nuk e di se sa medalje ka ai, njeriu ilegal i luftës. E di se ishte i vetmi i vrarë nga gjermanët, por që edhe këtë e kishin arrestuar shqiptarët. Merrjani edhe medaljet…për ta rivrarë, nuk e bëni dot.
E dini se çfarë fituan Gjylbegajt pas luftës, ata që kishin dhënë gjithçka për luftën? Nëna e Naimit punoi fillimisht si pjatalarëse e më pas si ndihmëskuzhiniere. I ati, tregtari i dikurshëm, u mbyll në një dyqan të vogël kinkalerie. Kishin dhënë gjithçka, edhe floririn e tyre për një Shqipëri ndryshe. Edhe gjakun. U dekoruan. Hiqjani!
Jepjani pinjollëve të atyre ballistëve që vranë veten në nevojtore, pasi e kuptuan se cili ishte misioni i tyre, ose të tjerëve që pasi shitën gjithçka, deshën të shesin edhe këtë vend! Jepjani atyre që, pasi morën rrogë në mërgim për 15 vite nga shteti serb, erdhën pas bajonetave italiane, u bënë senatorë dhe anëtarë të Këshillit të Lartë fashist e sot dekorohen si patriotë!
I takoi fati nënës sime që menjëherë pas luftës, kur ende iluzioni i së ardhmes të ishte mbi gjithçka, të njihej me një njeri, që po ashtu kishte ardhur nga lufta: babain tim, Zenelin. Kam lexuar herë pas here për dashuritë e njerëzve në male dhe e kam ndjerë atë gëzimin e egër ballist se, “edhe partizanët qenkan dashuruar”. Pse të mos dashuroheshin? Të rinj ishin, përgjithësisht nga familje të njohura ishin, shumë prej tyre studentë dhe ëndërrimtarë…vetëm në një ditë të gjithë studentët e shkollës normale të Elbasanit kishin braktisur mësimet e kishin dalë në mal, në shembullin e komunistes së pashoqe, Shejnaze Juka. Edhe kjo Heroinë e Popullit. Mbesë e ish-ministrit të Punëve të Brendshme të Zogut, Musa Jukës. Por për këtë histori do të shkruaj një ditë tjetër.
Nëna ime, në fakt, u njoh dhe u dashurua pas luftës. Jetuan 13 vite së bashku dhe 56 vite pas ndërprerjes së dhunshme të jetës së atit tonë, ajo vazhdon ende ta dojë si në ditën e parë të saj. Diku, në gjërat e shtrenjta të jetës së saj, ndoshta ka edhe medaljet e babait tonë. Për luftën e pas luftën, ashtu si ruan edhe mandatën e vrasjes së tij. Merrjani dekoratat! Të gjitha! Hiqni bashkë me to edhe shkollat që u ngritën, spitalet e para, fabrikat e para, hiqni çdo gjë që ka lidhje me atë kohë dhe fillojani nga e para!
Por , ju e filluat një herë nga “zeroja”, dhe shikoni se çfarë keni bërë. Një kasaphanë!
Por fjalën e isha tek dekoratat e nënës sime, edhe të shoqeve të saj, të atyre që ende janë dhe të atyre që kanë shkuar në një jetë tjetër. Përse ua lini?
Nëse do ia hiqni, ta zëmë Sadik Bekteshit, se ka qenë kuadër i lartë pas luftës, atëherë hiqjani të gjithë veteranëve në Shkodër, pasi ai ishte komandanti i tyre. Nëse do ia hiqni Qazim Kapisyzit, hiqjani të gjithë lëvizjes ilegale, sepse atë e kishin shembull. Nëse ia hiqni Vasil Shantos, birit të madh të Shkodrës, hiqjani gjithë njerëzve të luftës. Nëse ia hiqni Shejnaze Jukës, të gjitha nënat tona janë gati të heqin dekoratat e tyre.
Por luftën nuk e hiqni dot. Ashtu si nuk hiqni dot të vërtetën se në këtë luftë nuk kishte tri palë: por vetëm dy.
Në njërën anë ishin nazistët dhe ballistët me një shtojcë legaliteti. Në anën tjetër ishin partizanët dhe misionet anglo-amerikane.
Ballistët u bënë për fatin tragjik të këtij vendi me nazistët, vegla, shtojca, bashkëvrasës. Shumë prej tyre janë dekoruar se kanë vrarë nacionalçlirimtarë. Kjo ishte lëvizja nishaniste, një njollë e zezë e bjerrhumbjes së historisë.
Nacionalçlirimtarët u bënë me anglo-amerikanët. Majori i vetëm sovjetik erdhi në fundin e majit 1944, kur lufta po mbaronte dhe, me përjashtim të vetes, nuk solli asnjë armë.
Që demokratët nuk e dinë këtë, edhe e besoj. Aq mend, aq zhurmë! Por që socialistët të bëjnë budallallëqe të tilla historike, kjo është pak e marrur me mend!
Dekoratat mund t’i hiqni! Të gjithëve që bënë luftën, mund t’ua hiqni! Por vetë luftën nuk e hiqni dot.