Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Heronjtë që i mbijetojnë luftës, i vret paqja pak nga pak

Nga 27.al 0

Nga Lorenc Vangjeli

Diku nga fundi i janarit 1999, atëherë kur Kosova ishte në flakë, një djalë i ri, me flokë të gjatë e të zinj, po tentonte të vinte me karficë në xhaketën e tij një “bagde” me mbishkrimin Vizitor. E printuar në letër Formati A4, e prerë shtrembër me gërshërë dhe e plastifikuar po shtrembër, ajo përdorej për t’i dhënë seriozitet hyrje-daljes nga godina që kishte ende në muret e jashtme e të brendshme të zyrave, gjurmë plumbash nga grushti i shtetit të shtatorit 1998.

Nëpunësi i përgjumur, roja e Gardës së Republikës, që rrinte te hyrja, pa ndaluar përtypjen e farave të lulediellit, ia kishte zgjatur me dorën e majtë “bagde”-n, me të njëjtën mënyrë siç bënte me çdo vizitor tjetër në godinën më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Nuk e njihte dhe askush nuk i kishte thënë se njeriu që po vinte atë mbrëmje të diele në Kryeministri, ishte një emër që do ta dominonte për dy dekada politikën shqiptare të përtej asaj vijëzës së kufirit, që atëherë ndante dy botë në luftë.

As protokolli i Kryeministrisë nuk ishte lajmëruar për ta pritur në hyrje. Takimi ishte informal, gjysmë i fshehtë dhe shumë pak njerëz në Tiranë dinin se çfarë po ndodhte. Vizitori dhe katër-pesë burrat që e shoqëronin, dukeshin të ndrojtur në atë përballje me kryeministrin tashmë të thinjur shqiptar, Pandeli Majko, të cilit fati mbret dhe rasti perandor, i kishin dhënë mundësinë që vjen një herë në jetë, për të qenë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.

Në pritje të kafes së Lushit, njeriu në krah të Majkos, luante me “bagde”-n e bardhë në xhaketë. Heshtja po zgjatej përtej çastit kur ajo nis e bëhet e zhurmshme, e bezdishme dhe koha ngec për të gjithë si krehër në flokë të shpupurisur. Dialogu i parë në atë zyrë ishte pothuaj absurd:

  • Çfarë e ke atë në xhaketë?
  • Ma dha ai zotnia poshtë te dera.
  • Hiqe!
  • Pse?
  • Nuk mund të mbash mbishkrimin vizitor në shtëpinë tënde!

Më pas gjithë çfarë u tha aty vazhdon të jetë në kujtesën e shumë pak dëshmitarëve, nga të cilët deri më tani, askush nuk e ka përmendur kurrë publikisht atë takim që nisi me ngrirje bisede dhe përfundoi me një bisedë që nuk shkoi mbarë e mirë.

Së paku, pati një mëri të dukshme mes palëve, që pavarësisht përqafimit të ndarjes, kuptonin se nuk ishin pranë në ide e logjikë. Ndoshta të kushtëzuara këto edhe nga rrethanat e veçanta dhe nga mosnjohja totale e njëri-tjetrit, mes shqiptarit Majko që fliste me tonin e sekretarit amerikan të Shtetit dhe “vizitorit” nga Kosova që përgjigjej si komandant i zbarkimit aleat në Normandi, në D-Day e 1994-s.

Por 21 vjet e gjysmë më parë askush nuk mund të vinte bast për njeriun që quhej Hashim Thaçi, komandant i UÇK-së. Ai rikthehej në vendin amë gati gjysmilegalisht.

Pa automatik, por me kravatë.

Nuk dinte çfarë do të bëhej me jetën e tij, por ishte nisur të vdiste.

Në dhjetorin e 1998-s, Shqipëria kishte një rol thelbësor në unifikimin e qëndrimit të aktorëve politikë e ushtarakë të Prishtinës. Përpara luftës që pritej të vinte, amerikanët, por dhe disa pak drejtues qeverish evropiane, kishin vendosur të bisedohej për paqen. Serbët kishin shtetin e tyre, kurse Kosova nuk kishte një grup njerëzish që të bëheshin bashkë, me autoritetin e duhur në Kosovë dhe që t’u rrinin përballë serbëve në bisedimet që do të bëheshin në shkurt në Rambuje.

Me përjashtim të Ibrahim Rugovës, të gjithë emrat e rëndësishëm të Prishtinës kishin ardhur në atë zyrë. Shpesh, kush vinte më pas, shante atë që kishte ikur më parë nga zyra dhe kush kishte ardhur në fillim, do të shante të gjithë ata që pritej të vinin më pas në atë zyrë. Të gjithë silleshin sikur ishin në takim me historinë dhe të gjithë flisnin sikur historia mbante shënime mbas shpinës së tyre. Me përjashtim të Thaçit, që nuk e fshihte bindjen se ai vetë do ta bënte historinë të shkruante për të.

Akti i madh i Thaçit dhe gjithë shqiptarëve që firmosën në mënyrë të njëanshme vullnetin euroatlantik, përkundër refuzimit serb në Rambuje, i vendosi ata në krah të këtij fronti. Lufta ishte çështje ditësh dhe rezultati i saj ishte i paracaktuar.

Nga ai moment dhe me gjasë, edhe shumë më pas, me emrin dhe vullnetin e Hashim Thaçit, do të të ndikohen, modifikohen e rishkruhen ende shumë vullnete në Kosovë. I duartrokitur dhe i urryer, me plot dritëhije pushteti, me shumë kontraste, kundërshti e kompromise, duke ua dorëzuar vit mbas viti flokët thinjave, Thaçi u shndërrua në personazhin më të rëndësishëm të Kosovës së pasluftës.

I veshur, i sjellur dhe dialogues si evropian nga Uashingtoni në Bruksel, por pa lënë pas edhe sjelljen dinake të një princi oriental në Prishtinë e Tiranë, Thaçi u dëshmua më i mençur se shumë nga ish-miqtë e tij dhe më i zoti se shumica dërrmuese e ish-kundërshtarëve. Tani president i Republikës dhe nën akuzë penale nga Gjykata Speciale, është mister se ç’do të bëjë nesër Hashim Thaçi, por është e sigurt se historia ka shkruar një kapitull ende pa epilog me emrin e tij. Edhe Majko përmendet në atë kapitull, bashkë me të shkuarën e thinjave të tij të parakohshme të 99-s, pa u bërë dot kurrë siç donte, një nga 99-shat e politikës shqiptare.

Kjo javë e trazuar po ridëshmon mallkimin tragjik ndaj shqiptarëve për të humbur marrëzisht në paqe atë që fitojnë me gjak në luftë!

Kjo javë dramatike për shqiptarët, po grish të mendohet se sido që të jetë e vërteta, ka raste kur ia vlen më mirë të mos bëhet drejtësia, sesa të përmbyset bota jonë e vogël!

Kjo javë frymëmarrëse kujton për shqiptarët se dhe historia sillet me individin sipas një skeme dëshpëruese që përsëritet gjithmonë. Nga bronzi i monumentit që Hashim Thaçi e meritoi me kallashnikov në dorë, te prangat në duar që i premton Gjykata Speciale, ky është një film i parë shumë herë më parë: Heronjtë që i mbijetojnë luftës, paqja i vret gjithmonë pak nga pak.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej