Nga Elsa Vorfi
Më ndodh shpesh të shkoj në një ndër qytetet e veriut të vendit tonë, shumë i dashur për mua për shumëçka që të fal një qytet i vogël si Puka.
E sa herë që shkoj atje, apo edhe në qytete të tjera të vogla, që nuk shquhen për jetën e luksit e zhurmës, më ndodh t’i bëj vetes të njejtën pyetje?
Pse këtu njerëzit ngjajnë gjithnjë të lumtur, pse sa herë që vjen këtu, sikur përveç ajrit të pastër, merr shumë energji pozitive, pse njerëzit ketu janë gjithnjë të hareshëm, të përcjellin gëzim, pavarësisht se shumë prej tyre mbase se shtyjnë dot muajin nga mungesa e te ardhurave, një pjesë jetojnë me asistencë apo me ç’të munden të nxjerrin nga tokat e varfëruara, por shumë të shtrenjta për ta?
Tokave të atyre shtëpive private që tregojnë se atje ende nuk ka mbërritur “zhvillimi” i qyteteve të mëdha, ku mania e kullave të larta, të pengon të shohësh edhe diellin. Këto qytetet e vogla janë shumë të bukura, jo se atje mund të shohësh gjëra që nuk ti ka parë syri, apo mund të argëtohesh me festa të çmendura që preferohen pafund nga të rinjtë sidomos, jo, mos prisni gjëra të tilla, ama prisni të shikoni e shijoni shumë natyrë, që mjafton që të ndiheni të lumtur, qoftë edhe për pak.
Puka është 3 orë larg nga Tirana, një pjesë e rrugës me kthesa që në njëfarë mënyre, kush nuk është mësuar e bën paksa të lodhshëm udhëtimin, kthesa që harrohen sapo zbret nga makina, oksigjeni me shumicë atje nuk të lë gjurmë lodhjeje.
Gjatë rrugës për në Pukë, pishat e larta në të dyja anët e rrugës, janë aty për të të shoqëruar në një pjesë të mirë të saj, duket sikur qëllimshëm janë aty për të të uruar mirëseardhjen. Të ndodh gjithashtu që gjatë rrugës të shohësh koshere bletësh, është aq bukur të dish që bletët kanë çfarë të marrin nga natyra e vendit, në kushtet kur çdo ditë shihet se si ajo po shkatërrohet në Shqipëri. Në qytet, liqeni artificial i Pukës është një pjesë e rëndësishme e bukurisë së qytetit. Natyra është treguar bujare me Pukën e njerëzit e thjeshtë të atij vendi e duan e krenohen me të. Natyra ështe aty që sa vite që mbaj mend unë, pavaresisht tentativave për ta prishur, ajo nuk i braktis njerëzit e atjeshëm, e duket se ato ia shperblejnë duke qënë të mirë, pozitivë, të hareshëm, në fund të ditës te lumtur. Pukjanët janë mësuar me natyrën që kanë, e qetesinë e lumturinë që iu fal e tregojnë me natyrën gazmore, fytyrat e ngrysura nuk kanë vend aty, ndonëse hallet që iu rëndojnë mbi kurriz janë të shumta.
Kështu më duken mua ata njerëzit e thjeshtë të qytetit, gjithnjë buzagaz, njerëz me një humor që të lë gjithmonë shije të mirë, e që dinë të shijojnë kënaqësitë që të fal një qytet i vogël, qoftë vetëm nga natyra e bukur qe ka. Sa herë që shkon në këto vendet me shumë natyrë, sikur vetvetiu ndryshon, oksigjeni i munguar i Tiranës atje është me bollëk, mushkëritë dhe truri gjejnë paqe, sytë të shohin shumë ngjyrë jeshile, temperaturat janë të duhurat, nuk e lodhin trupin. E ja pse njerëzit atje janë të lumtur, se natyra nuk i tradhëton, por është gjithmonë aty per ta, i servir më të mirën e saj, e ata ia shpërblejnë duke qënë të paqtë e të hareshëm .
Nëse zgjedh ta bësh kthimin për në Tiranë në mëngjes herët, të ndodh të shijosh rrezet e para te diellit, i cili depërton mes degëve të atyre pishave që të uruan mirëseardhjen, herë këtu e herë më tej, aq sa duket sikur elementë të natyrës luajnë me njëri-tjetrin. Ai dielli i mëngjesit të ndjek gjatë atyre kthesave disi të vështira, duket sikur një fuqi e mbinatyrshme po të shoqëron për ta bërë sa më të mbarë e të gezueshme rrugën, ose të paktën kështu më pëlqen mua të mendoj. Kthehesh në Tianë, shumë makina, pluhur sa më s’ka, njerëz të ngrysur, njerëz që shohin shtrembër, nervoz e shume te tjera. Për një moment nuk e beson që ti jeton në këtë qytet. Ndonëse je larguar për shumë pak, atë çka ke marrë nga ai qyteti tjetër minimalist, e ke brendësuar e shijuar aq shumë, saqë të duket sikur je larguar për muaj të tërë. Gjithçka është ndryshe, vetvetiu ti i përshtatesh këtij qyteti e gjithcka nis nga fillimi.
Mësohu sërish të dëgjosh zhurma, të shohësh rrëmujë, njerëz të gatshëm të hedhin mbeturina sa në një vend në tjetrin, njerë nervoz, natyra mungon, e shumë gjëra të tjera që t’i bëjnë ditët jo të lehta. Ja pra, efektet që ka natyra tek njeriu, tek të ndjerit mirë, nuk i ka asgjë tjetër.
Natyra nuk të fal, e deshe, te deshi, te fali copëza lumturie, se deshe për atë çka është, të dënoi, e nuk janë të pakta rastet ku ajo na flet, ama ne nuk dëgjojmë e nuk duam të kuptojmë. Unë këtu fola paksa për Pukën, por sa e sa vende të Shqipërise janë po aq e më shumë të bukura. Natyra e tyre na flet çdo ditë, duhet veçse ta dëgjojmë e ta trajtojmë ashtu siç e meriton, me përkujdesje, e në fund do dijë ajo si të na e shpërblejë.