Nga Alba Haruni
Kam dashur shpesh t’i kushtoj vëmendje kësaj teme, por shtysën e gjeta sot, teksa policia greke ndaloi dy shoferët e ministrisë sonë të Jashtme, në trasportimin e teksteve në gjuhën shqipe për shtetasit shqiptarë, të cilët duan të mësojnë dhe të mos harrojnë gjuhën e nënës.
Është e panevojshme të them e të stër them, ligjet e traktatet, mbi të cilat mbështetet e drejta për t’u arsimuar dhe për të mësuar gjuhën e nënës.
Mohimi dhe shkelja e të drejtës për arsimim dëmton aftësinë e njërëzve që t’i zhvillojnë personalitetet e tyre, të mbështesin dhe ta mbrojnë vetveten e familjet e tyre, si dhe të marrin pjesë përshtatshmërisht në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike. Në shkallën e gjerë të shoqërisë, mohimi i arsimimit dëmton çështjen e demokracisë dhe përparimit shoqëror dhe si vazhdim, paqen ndërkombëtare e sigurinë njerëzore. Nëpërmjet arsimimit e mësimit për të drejtat e njeriut dhe për të drejtën njerëzore, mund të ndalohen apo rregullohen shkeljet e të drejtave të njeriut dhe konfliktet e armatosura, si dhe mund të lehtësohet rindërtimi shoqëror pas përfundimit të konflikteve.
Karta Europiane për Gjuhë Rajonale apo të Pakicave ka shkuar një hap më larg në përkrahje të së drejtës për arsimin në gjuhën amtare.
Por, të mësosh gjuhën tënde, historinë, gjeografinë e vendit ku kanë lindur të parët e tu, për shtetin grek është sa “e panevojshme” aq dhe “jolegjitime”.
Të gjithë ne kemi njerëzit tanë në shtetin fqinj grek, ku fati dhe kërkesa për një jetesë më të mirë i detyroi të mërgojnë në fillim vitet e demokracisë e në vazhdim.Të gjithëve na ka ardhur keq, kur për hir të një dokumenti apo të një punësimi më të mirë, për t’i bërë qejfin afendikoit, njerëzve tanë të dashur ju është dashur të ndërojnë emrin, nga Bujar janë shndërruar Jorgo, nga Shpresa janë kthyer në Elpidha e kështu me radhë.Nuk na ka ardhur mirë, por e kemi kaluar pa u thelluar shumë në pasojat e së ardhmes.Të gjithëve ju ka rastisur, sikurse mua, të mos merreni vesh me nipërit apo mbesat të lindur në shtetin fqinj gjatë këtyre kohëve. Për mua s’është vetëm pamundësi komunikimi, problemi është më i thellë dhe do thellohet me kalimin e kohës. Ata, nipërit tanë, janë shqiptarë, me prindër e gjak shqiptari, por që në një të ardhme s’do mundin të artikulojnë, gjuhën së cilës i përkasin, gjuhën shqipe. Ata, të paktët që mundin ta flasin, por jo ta shkruajnë dhe kjo falë gjyshërve, e artikulojnë këtë gjuhë të bukur me ca zvarritje e qaravitje greke aspak intonative për shqipen. Por, nuk mjafton vetëm kjo; problemi i vërtetë dhe serioz është se këta fëmijë nuk dinë dhe nuk do mund të dinë historinë e vendit prej nga e kanë origjinën. Kufizimi i teksteve dhe censura e tyre në rastin më të keq, po rrit një brez, për të cilin Gjergj Kastrioti Skenderbeu do quhet Jorgos Kastriotis, ku Çamëria quhet Epir e ku grekët shtrihen deri aty ku kanë varret e tyre (Kosine, Bularat).
Në fakt, ky duhet të jetë shqetësim shtetëror e kombëtar. Nuk mundën shekujt të asimiljonë gjuhën shqipe, megjithëse armiqtë e saj ishin të shumtë në ngjyra, fe dhe kombësi. Nuk mundet ky shekull i globalizimit ta shterojë e ta varfërojë këtë gjuhë të bekuar. Nuk mundet, por duhen strategji kombëtare për ta mbrojtur e jo të lejohen ca policë të një shteti të dhunojnë librin e gjuhës sonë. Nuk munden të na diktojnë historinë sipas avazeve dhe orekseve të tyre shovene as greku e askush tjetër. Në faqet e asaj historie rrjedh gjak heronjsh, për të cilët kemi detyrim për t’i mbrojtur dhe nderuar.
Shpresoj që të ketë llogaridhënie për ndalimin qoftë dhe të përkohshëm të njerëzve, të cilët transportonin tekset në gjuhën shqipe për shteatsit e tyre emigrantë në Greqi.
Dua ta mbyll me disa vargje të poetit të madh Gjergj Fishta:
“… Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis…”