Replikë me profesorin e grekshes dhe pinjollin e ekstremizmit fqinj në Shqipëri
Nga Arben Llalla
Si përherë Panajot Barka qëndron pas dere tek zyra e informacionit dhe propagandës së Greqisë, duke pritur porosinë për shkrimin e radhës. Pasi promovoi me Stavri Çimën librin e tij në Selanik, Barka me vrap u ul e nisi të shkruajë për heqjen e flamurit grek në një shtëpi në Himarë. Çështjen që ai zellshëm ngre, e sheh në stilin e tij nacionalist larg paanshëmrisë, por duke na shpjeguar në mënyrë shterruese se nga ku buron konflikti i kohëve të fundit në Himarë. Mundet që flamuri i Greqisë të qëndronte prej dy vitesh i ngritur në oborrin e një shtëpie, por kjo përbën një provokim për ambientin, ku e ka ngritur, sepse flamuri etnik i një vendi të huaj mund të ngrihet në rast festash kombëtare, gëzime familjare dhe jo vend e pa vend, se pas këtij soj qejfi edhe ai flamur e humb krenarinë dhe vlerën.
I rikujtoj Panajot Barkës se flamuri i Greqisë nuk është shumë i dashur për shqiptarët sepse:
1. Shqiptarët e jugut janë masakruar nga ushtria e Greqisë edhe ata njohin Greku i parë dhe Greku i dytë. Përse nënat e jugut thonë greku i parë e greku i dytë?
2. Greqia mban njëanshëm Ligjin e Luftës me Shqipërinë
3. Greqia ka kryer genocid mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë.
4. Greqia ka shkelur Marrëveshjen e Lozanës për njohjen e minoritetit shqiptar në Greqi.
5. Greqia nuk njeh kontributet pensionale për emigrantët shqiptarë, por vetëm për minoritarët grekë.
6. Greqia ka pretendime territoriale ndaj Shqipërisë duke përkrahur dhe sponsorizuar zyrtarisht organizatat ekstremiste si MAVI, “Autonomia e Vorio Epirit 1914”, Shoqata “Vorio Epiri”, SFEVA, PASIVA, e kështu me radhë.
7. Disa herë ushtria greke gjatë paradave shtetërore ka kënduar këngë duke fyer dhe kërcënuar kombin shqiptar. Pa folur për çështjen më delikate, por tejet madhore të Çamërisë.
E pra, e shikon Panajot Barka sa probleme kemi si dy vende fqinje që pretendojmë të ndërtojmë fqinjësi të mirë dhe partneritet strategjik? Siç shihet provokacionet janë tepër të hapura dhe drejtpërdrejtë nga Greqia, pa folur për Veton për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Panajot Barka, ju jeni i ndërgjegjshëm se kombi shqiptar është njerëzor, i butë dhe tolerant. Kjo është e vërtetuar nga trajtimi i veçantë që i është bërë pakicës greke duke e shkolluar, duke u besuar vende të larta shtetërore deri në krye të shtetit (nënkryetar i Kuvendi) qysh nga koha e diktaturës komuniste, zëvendësministra të jashtëm, ambasadorë, ministër të Mbrojtjes e plot të tjera. Ju lutem me dorë në zemër të më tregoni një rast të vetëm, ku Greqia t’i ketë besuar jo një shqiptari, por një shtetasi me kombësi jo greke një post të lartë shtetëror.
Heqja e flamurit të Republikës së Greqisë në një shtëpi në Himarë nuk është një akt vandalizmi, por ky veprim erdhi si pasojë e provokimeve greke duke nxitur mediat artificialisht për urrejtje etnike. Nëse do shëtisim në tërë Shqipërinë do vërejmë se flamuri i Greqisë është i vendosur në vende publike dhe askush nuk e ka keqtrajtuar, por në Himarë u teprua, u provokuan ndjenjat kombëtare të shqiptarëve brenda vendit të tyre.
Ju, Panajot Barka jeni njëri nga ata që provokoni herë pas here ndjenjat e shqiptarëve duke mbajtur kallash në duar, duke u fotografuar me elementë ekstremistë nazistë grekë si Babis Karathanos, Kristo Papas i Agimit të Artë, e të tjerë. Dua të na sqaroni se përse e mbani me krenari flamurin e aneksimit të jugut të Shqipërisë? Kësaj pyetje ende nuk i keni dhënë përgjigje.
Nuk mund të ketë asnjëherë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë të grekëve me shqiptarët, përderisa Greqia nuk kërkon ndjesë për genocidin e 1944-1945. Greqia si anëtare e Bashkimit Europian, NATO-s dhe e shumë organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut duhet t’ju kthejë pasurinë e grabitur çamëve dhe të krijojë kushtet e rehabilitimin në trojet e tyre.
Për rikthimin e shqiptarëve në Çamëri nuk është se duhet të ndodhi ndonjë çudi, nuk është as e pamundur, por dy popujt duhet të jenë të përgatitur që rikthimi i çamëve të bëhet qetësisht, në mënyrë që paqja të vendoset përfundimisht midis dy fqinjëve.
Grekët duke qenë të ndërgjegjshëm se i kanë masakruar, grabitur dhe përzënë shqiptarët nga Çamëria pa kurrfarë faji, pa asnjë fakt të vërtetuar që kanë qenë bashkëpunëtorë të gjermanëve, gjithnjë në shpirtrat e tyre do kenë një ankth, një brengë për gjëmën e madhe që kanë kryer. Meqenëse grekët kërkojnë të shfaqen si besimtarë të mëdhenj, ku kisha dhe shteti janë të pandarë, atëherë Zoti e mëshiroftë Greqinë dhe grekët ndaj mëkatit që kanë bërë.
Një zgjidhje paqësore e Çështjes Çame, ku shteti grek fillimisht të hiqte Ligjin e Luftës me Shqipërinë, që do të lejonte çamët të vizitojnë varret e të parëve, shtëpitë gjysmë të rrënuara, do të ishin hapat kryesorë që do të ndikonin pozitivisht në tek të dy popujt. Këto veprime nuk janë të pamundura, nëse tek klasa politike e dy vendeve ekziston dëshira për paqe dhe miqësi duke thënë dhe mbrojtur të vërtetën. Atë të vërtetë që duhet ta themi të gjithë bashkë, grekë e shqiptarë, nëse duam një fqinjësi të mirë, nëse duam një të ardhme paqësore dhe të sigurtë.
Historia, pavarësisht shtrembërimeve që i janë bërë ndër vite, nuk mund të zhbëhet, por do dalë në sipërfaqe në vendin dhe kohën e duhur për t’na rikujtuar gëzimet apo dhimbjet që na ka shkaktuar.
Në përfundim Panajot Barka ju drejtohem, nëse vërtetë e doni miqësinë e sinqertë greko-shqiptare urdhëroni dhe bëhuni Ju dhe Unë bashkë e t’i dërgojmë pleqtë shqiptarë nga Çamëria për të vizituar shtëpitë e tyre, ku kanë jetuar dikur. Bëhuni Ju njeriu urë lidhëse që Çështja Çame të zgjidhet paqësisht duke udhëhequr autobusët për në Filat, Margëlliç, Gumenicë, Paramithi, Pargë e gjetkë. E pra, a mund ta bëni Ju, profesori i grekëve të Shqipërisë një veprim të tillë sa paqësor, aq edhe njerëzor?