Nga Arben Llalla
Ditën e sotme, duke u gdhirë, ndodhi një aksident me vdekjen e një këmbësori, ku shkaktari i aksidentit ishte deputeti Aqif Rakipi. Nëse këtë askident do ta kishte bërë një qytetar i thjeshtë dhe jo një deputet apo politikan ngjarja nuk do të politizohej kaq shumë sa të reagonte partia më e madhe opozitare PD, duke i dhënë ngjyra të theksuara politike ngjarjes aksidentale. Që nga fjala AKSIDENT kemi të bëjmë me një ngjarje jashtë dëshirës njerëzore, është një veprim që ka ndodhur befasisht jashtë dëshirës së palëve në ngjarje. Pra, as drejtuesi i automjetit nuk ka dashur të shkaktojë dëme, por edhe i ndjeri nuk ka dashur të ndodhej në vendin e gabuar për të humbur jetën e tij. Do të ishte më e ndershme që policia dhe palët e tjera të bëjnë punën e tyre të qetë, duke zbardhur aksidentin në fjalë, por si gjithnjë PD është partia që shkel mbi kufomat për të fituar pikë politike apo për të ardhur në pushtet duke gënjyer e shpifur.
Dua të sjell në rikujtesën e opinionit dy ngjarje aksidentale ku PD është e përfshirë direkt.
Më 2012 në rrugën Papër-Peqin një kampion me targa të Tetovës shkeli dy njerëz të cilët vdiqën në vend. Shoferi shqiptar, shtetas i Maqedonisë u ndal 48 orë, doli para trupit gjykues, komisionit rrugor dhe u la i lirë, pasi u vërtetua se dy shtetasit shqiptarë që vdiqën tragjikisht ishin fajtor për aksidentin. Sot e kësaj dite shoferi dhe kamioni me targa të Tetovës vazhdojnë punën e tyre të transporteve nëpër vendet e Ballkanit.
Ngjarja tjetër ka të bëj me një aksident të ndodhur në tetor 2003, në qytetin e Selanikut, përgjatë autostratës Panoramë-Selanik, ku një shtetas i Shqipërisë, ish-funksionar i SHIK, vdiq aksidentalisht i shkelur nga një greke 18-vjeçare. U vërtetua se shoferja e re nuk kishte faj dhe u dënua me gjobë. PD e Sali Berishës nëpërmjet gazetës së saj 55, krijoi ngjarjen e saj fantastike me paragjykime politike duke shkruar se ish-funksionarin e SHIK, e vranë sigurimi i Shqipërisë që drejtohej nga PS me sigurimin grek, gjë që kjo s’ka qenë e vërtetë. I ndjeri miku im M.M jetonte i qetë në Selanik që nga viti 1997 dhe s’kishte patur asnjë shqetësim si nga ana e Greqisë, ashtu edhe nga Shqipëria në lidhje me funksionin shtetëror që kishte patur më 1992-1997.
Ishte qeveria e PS, e cila me kërkesë të Konsullatës Shqiptare në Selanik që dërgoi makinën e saj për të sjellë falas trupin e të ndjerit, duke lehtësuar sadopak shpenzimet e konomike që kapnin shumën 2000 euro. Ishte koha që në Shqipëri mbaheshin zgjedhjet vendore dhe PD shfrytëzonte çdo gjë të rritur sado pak ritingun e saj të rrënuar.
I solla këto ngjarje për të sjellë në rikujtesë se PD bën veprime çnjerzore për të ardhur në pushtet, duke përfituar mbi ngjarjet tragjike që ndodhin aksidentalisht.
Është makabre e mjerim të bësh politikë me aksidentet që mund t’i ndodhin çdokujt jashtë dëshirës.