Teksa virusi ka ndalur aktivitetin në të gjithë botën, tani pyetja është se sa do të përkeqësohen gjërat. Më 14 prill, FMN paralajmëroi se recesioni global do të ishte një nga më të mëdhenjtë e shekullit, shkruan The Economist.
Por ashpërsia e pandemisë dhe pasiguria rreth kohëzgjatjes së bllokimeve kanë bërë që të mos jenë shumë të dobishme parashikimet e ekonomistëve, të cilët janë trajnuar për ciklet e biznesit në epokën e pasluftës. Disa kompani, si Starbucks dhe Dell, kanë hequr dorë nga objektivat e fitimeve vjetore, duke e lënë veten në mëshirë të fatit. Megjithatë, mes mjegullës, një gjë duket e sigurt: disa ekonomi do të vuajnë shumë më tepër se të tjerat.
Krizat ekonomike ekspozojnë dhe përkeqësojnë dobësitë strukturore.
The Economist ka analizuar të dhënat e PBB-së përgjatë pesë dekadave dhe ka zbuluar se normat e rritjes në vendet e pasura kanë prirjen të arrijnë nivele të ngjashme gjatë zgjerimeve, dhe kjo ndikon në nivele më të ulëta edhe ekonomitë më të dobëta. Megjithatë, gjatë rënieve ekonomike, performanca ndryshon dukshëm. Në gjysmën e parë të viteve 2000, hendeku mesatar vjetor midis niveleve të rritjes së PBB-së për vendet e pasura me performancë më të lartë dhe atyre me performancë më të ulët, ishte pesë pikë përqindje. Në vitet 2008-2012, gjatë recesionit që pasoi krizën globale financiare, ky hendek u zgjerua në dhjetë pikë.
Ky recesion nuk do të jetë ndryshe. Janë tre faktorë që ndihmojnë në dallimin e rezultateve të këqija ekonomike nga ato tepër të rënda: struktura industriale e një vendi; përbërja e sektorit të korporatave; dhe efikasiteti i stimulit fiskal. The Economist ka përdorur këta tregues për të renditur përafërsisht nivelin e rrezikut të rënies ekonomike për 33 shtete të pasura. Vendet e Europës Jugore, duket se janë shumë më të rrezikuara se Amerika dhe vendet e Europës Veriore (shiko grafikun).
Marrim së pari strukturën industriale. Masat izoluese do të dëmtojnë rëndë shtetet që varen nga aktivitetet e punës intensive. Vendet me sektorë të mëdhenj ndërtimi, siç janë shumë vende të Europës Qendrore, janë më të rrezikuara. Po kështu, edhe vendet që mbështeten në turizëm – ky sektor është një në tetë punët kryesore jofinanciare në Europën Jugore. Në të kundërt, vendet me industri të mëdha minerare, që kërkojnë më pak punë dore, mund t’ia dalin mbanë më mirë. Për shembull, Kanadaja duket relativisht e mbrojtur në këtë drejtim.
Struktura industriale gjithashtu ndikon në numrin e njerëzve që mund të punojnë nga shtëpia, duke shmangur përçarje të rënda gjatë izolimit. Në një studim të publikuar më 10 prill, Jonathan Dingel dhe Brent Neiman nga Universiteti i Çikagos, konstatuan se 45% e punëve në Zvicër mund të kryhen pa problem nga shtëpia. Shumë zviceranë punojnë në industri si financat, ku për të kryer punën, mjafton të kenë një laptop.
Të tjerë gjetiu nuk e kanë këtë luks. Më pak se një e treta e punëve në Sllovaki mund të kryhet në distancë, duke qenë se vendi është një qendër e madhe prodhuese; puna nga shtëpia është gjithashtu e vështirë në Europën Jugore. Një studim nga Indeed, një faqe interneti për kërkimin e vendeve të punës dhe nga Banka Qendrore e Irlandës, zbuloi se që nga fillimi i pandemisë, në vendet ku puna nga shtëpia është më pak e përhapur, ka pasur rënie më të mëdha në numrin e njoftimeve për punë.
Forma e sektorit të korporatave është faktori i dytë që duhet marrë parasysh. Ekonomitë me një numër të madh kompanish të vogla kanë më shumë të ngjarë të dëmtohen nga mbylljet e gjata. Kompanitë e vogla zakonisht kanë pak ose aspak rezerva parash, duke e bërë të vështirë mbijetesën në një periudhë të ngushtë financiare. Një studim nga Universiteti i Çikagos, Universiteti i Harvardit dhe Universiteti i Ilinoisit ka zbuluar se një e katërta e kompanive të vogla në Amerikë nuk kanë para të mjaftueshme për të mbijetuar për një muaj. Gati gjysma e italianëve dhe australianëve punojnë në kompani me më pak se dhjetë punonjës, krahasuar me një të pestat e britanikëve dhe një numër edhe më të ulët në Amerikë.
Një përcaktues i tretë i rënies së ardhshme ekonomike është natyra e ndihmës fiskale. Vendet e pasura kanë vendosur stimuj fiskalë të një shkalle mjaft të lartë. Edhe sipas vlerësimit më konservator, këto paketa janë më shumë se dy herë më të mëdha se në vitet 2008-2009. Por madhësia e stimulit ndryshon në vende të ndryshme. Shumica e llogaritjeve vlerësojnë se mbështetja fiskale në Amerikë dhe Japoni është më bujare, në raport me PBB-në e tyre.
Investitorët, të cilët i shohin asetet e tyre si një strehë e sigurt, i japin me kënaqësi fondet e nevojshme. Megjithatë, disa qeveri të Eurozonës me nivele të larta borxhi, janë më të kujdesshme, mbase nga frika se, si anëtarë të unionit valutor, ato gëzojnë vetëm një mbështetje të pjesshme nga banka qendrore. Nxitja mesatare fiskale në Francë, Spanjë dhe Itali, në raport me PBB-në, është sa gjysma e asaj që sigurohet në Gjermani.
Megjithatë, modeli i stimulit është po aq i rëndësishëm sa madhësia e tij. Në përgjithësi, vendet e pasura kanë zgjedhur një nga dy qasjet për të ruajtur standardet e jetesës. Disa janë përqendruar në plotësimin e të ardhurave shtëpiake. Amerika po u dërgon çeqe familjeve dhe do të tregohet më bujare në ndihmat financiare për të papunët; Japonia po dhuron ndihma falas për njerëzit në nevojë. Nga ana tjetër, politikat në Europën e Veriut dhe Australi, janë të përqendruar kryesisht në ruajtjen e punësimit duke subvencionuar pagat.
Zotimet e qeverisë për të mbrojtur vendet e punës janë sigurisht një ide e mirë. Ato parandalojnë që punëtorët të zhvendosen nga sektorët në dështim e sipër në sektorët në zhvillim, gjë që do të ngadalësonte rimëkëmbjen ekonomike. Megjithatë, recesioni i koronavirusit mund të jetë i ndryshëm. Nëse masat e izolimit do të hiqen së shpejti, disa ekonomi europiane do të jenë në gjendje të rifillojnë prodhimin së shpejti. Ndërsa në vende të tjera, do të duhet kohë derisa punëtorët të kërkojnë punë dhe shefat të punësojnë.
Madje, për disa punëtorë amerikanë do të ishte më e leverdishme të përfitonin ndihmat e papunësisë sesa të gjenin punë; sipas Noah Williams nga Universiteti i Wisconsin-Madison, vlerat e përfitimeve për të papunët në gjashtë shtete, mund të tejkalojnë 130% të pagës mesatare. Kjo do të thotë se do të duhet më shumë kohë që PBB të rikthehet në nivelin e saj fillestar para pandemisë pasi të hiqen kufizimet. Dëmi mund të jetë shumë më i gjatë se vetëm disa muaj.
/Monitor/