Nga Kimete Berisha
Si n’dasëm kur e martojnë naj djalë t’hasretit.
Sa mirë e kishin pritë serbët Presidentin Erdogan.
Sofrat plot, ansambli shtetëror i fshatareve me opinga përballë Erdoganit, atmosfera në kulm të kënaqësisë.
Ulur rreth tavolinave rrumbullake në karriget veshur me livojzin t’bardhë si bora, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç i këndonte sulltanit, pranë tavolinës, pa asnjë kompleks.
Dinë këta thi m’i bë për veti njerëzit.
Erdogani, i shkreti normal u dalldis (gjithkush ish dalldis) me këngën “Osman Aga”, rrihte shuplaka kurrë pa u ndal, dhe edhe më shumë se ai u dalldis e shoqja e tij Eminia, anipse asnjëri prej tyre as nuk e merrnin vesh çka po thotë Daçiçi për Osmanin.
“Osman Aga” e kënduar nga Muharrem Serbzovski thotë kështu:
Osman Aga, gjithë natën lodron,
për raki, të gjithë e dinë,
paranë e fundit e harxhon
Osman Aga e ka një çikë të bukur,
ma jep Osman çikën, të lutem ma jep ti,
për një bure raki
Osman Aga, ti je merakli,
Osman Aga ti je sevdali,
Çikën e ke si lulë
ju kisha ba burrë
(Ashtu si e këngëve serbe, rakia është pije e pashmangshme gati e të gjitha këngëve shqiptare).
S’di a ka çika Erdogani, veç myftiu i Beogradit, u çu në këmbë, iu afrua Daçiçit dhe ia dha bakshish 100 dinarë.
Për dallim prej serbëve, ne i humbim edhe ata që na duan, lëre ti që s’dimë t’i bëjmë për vete ata që na urrejnë.
Nuk e njohim artin e vardisjes dhe përvetësimit. Por, na jepni detyrë të shkatërrojmë, dhe do ta shihni ju se si ne në afat rekord ia dalim me sukses të mos i lëmë dy gurë bashkë.
Ju ka tek disa shqiptarëve, në vend’se me shfrytëzu rastin e me nxjerr najsen prej Erdoganit, i mbajnë atij leksione se si duhet me qenë ai njeri demokrat.
Po çka po mërzitesh a është ai demokrat a s’është, shfrytëzoje ti për interesat e tua, si serbët që po e shkrryjnë.
Edhe Erdoganin na e morën serbët, sherri juaj.
Çfarë fati kemi ne, sikur të vinte Erdogani me nejt n’Kosovë, e të ishte krijuar atmosfera që t’ia këndonim naj këngë Erdoganit, për sherr na ish kujtu “Poçari”, kur t’ja kishim drejtu gishtin në sy, t’ja kishim “shpu” me vargjet “Mos u çmend ky turk ky gjakatar…”
Në rastin më ekstrem, Kadri Veseli (për me dëgju Amerika sa antiturk që është, se Kadri Veseli është i bindur se veç si antimysliman mbijeton një politikan shqiptar mysliman) ia kish këndu “Hajredin Pashën”.
Fati ynë që së paku ministrin e jashtëm e kemi turkofil.