Për herë të parë librat që shkroi dhe nënshkrimi i tij origjinal. Mënyra e vrasjes së tij vite më vonë do të përdorej edhe për dy drejtues të tjetë të Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë, Jorgo Maruga dhe Aristidh Kola.
Nga Arben Llalla
Lidhja Shqiptare e Prizrenit e mbajtur në qershor të vitit 1878 frymëzoi shumë shqiptarë për të luftuar me çdo mjet për mbrojtjen e tokave që banoheshin nga shqiptarët autoktonë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. Pikërisht ky Kuvend i madh i bashkimit të shqiptarëve frymëzoi dhe shumë shqiptarë të Greqisë, ndër ta Anastas Kulluriotin, i cili punoi për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditës kombëtare shqiptare në Greqi dhe jashtë saj. Për këtë figurë të ndritur shumë pak është thënë e shkruar, por në të vërtetë Anastas Kullurioti ka një aktivitet të pasur në letrat shqipe. Prandaj, ky studim vjen për të plotësuar vakuumin e dijes që kemi për këtë burrë të madh të kombit shqiptar që shkriu pasurinë e tij për ruajtjen e traditave dhe gjuhës shqipe. Kullurioti meriton të radhitet përkrah figurave si De Rada, Elena Gjika, Kristoforidhi, Frashëllinjve, Çajupit, Thimi Mitkos e të tjerë. Ai ishte njëri nga kundërshtarët e mëdhenj të programit të mbretërisë greke për realizimin e “Megalo Idesë”, e cila ishte projektuar nga Joanis Koletis, një vlleh i helenizuar që pati punuar mjek i djalit të Ali Pashë Tepelenës.
Anastas Kullurioti (1822-1887) është njëri nga figurat më të ndritura të shekullit XIX, shkrimtar, gazetar, poet dhe mbledhës i folklorit të shqiptarëve të Greqisë. Anastasi lindi në vitin 1822 në lagjen Plaka të Athinës. Një lagje që është themeluar nga shqiptarët e Greqisë dhe ende banohet nga kjo popullsi autoktone që sot njihen dhe thirren me emrin arvanitas. Origjina e tij familjare ishte nga ishulli i Salaminës. Ishulli Salamina banohej ne shumicë nga shqiptarët. Sot në këtë ishull ka rreth 40 mijë shtetas grekë që brenda shtëpisë flasin gjuhën shqipe.
Babai i Anastas Kulluriotit, Jani u vra në betejën e Akropolit më 24 prill të 1827. Jani Kullurioti luftoi përkrah gjeneralit Gjergj Karaiskaqi, i cili ishte arvanitas dhe ra hero në të njëjtën betejë më 23 prill. Në pllakën e përmendores së kësaj lufte për pavarësinë e Greqisë figuron emri i heroit Jani Kullurioti.
Në moshë të re Anastas Kullurioti emigroi për të punuar në Amerikën e Veriut, ku edhe mbaroi studimet. Me t’u kthyer në Athinë hapi një shtypshkronjë me emrin “Η ΦΟΝΗ ΤΗΣ ΑΛΒΑΝΙΑΣ”, të cilën në gjuhën shqipe e shkruante “Zëri i Arbërisë”. Ai nisi të botonte libra edhe gazetën “Η ΦΟΝΗ ΤΗΣ ΑΛΒΑΝΙΑΣ” (Zëri i Shqipërisë).
Aktivitetin si shkrimtar Anastas Kullurioti e ka filluar në fillim të viteve 1860. Libri i tij i parë që na ka rënë në dorë është: “Greece: her past condition under King Otho, her present requirements and tendencies, and her future prospects, ëith a feë ëords about the movement in favour of Prince Alfrend’s election as King of Greece” (Greqia: E kaluara e saj nën mbretin Oton, kërkesat dhe prirjet e saj të tanishme, parashikimet për të ardhmen e saj, me pak fjalë rreth lëvizjes në favor të zgjedhjes së Princit Alfrend si Mbret i Greqisë), dhe është i ndarë në kaptina. Kjo vepër u shtyp në gjuhën angleze në shtypshkronjën “Harrison”, Londër 1863. Disa kopje të këtij libri gjenden në bibliotekën e Kuvendit të Republikës së Greqisë. Në vitin 1876, do të botonte librin “Η βρεττανική και αλλοδαπή Βιβλική Εταιρία: η Βίβλος και αι εγκύκλιοι της Συνόδου και του Υπουργείου” (Britania dhe kompania e huaj biblike: Bibla, Sinodit dhe Ministria e saj). Pas botimeve të këtyre librave, ai do të botonte siç thamë më lartë gazetën “Η ΦΟΝΗ ΤΗΣ ΑΛΒΑΝΙΑΣ” (Zëri i Shqipërisë) nga 29 maj 1879 deri më 23 gusht 1880, gjithsej 40 numra. Gazeta shkruhej në gjuhën greke dhe artikujt me rëndësi botoheshin edhe në gjuhën shqipe me shkronja greke. Me mbylljen e gazetës Anastas Kullurioti publikoi më 1882 abetaren për mësimin e gjuhës arbërore (shqipen) “ABAVATAR ARBËROR“ si flitet dhe shkruhet gjuha arbërore në Greqi. Një libër në gjuhën shqipe dhe greke. Abetaria e Kulluriotit ka 220 faqe, me hyrje vetëm në gjuhën greke, e ndarë në disa kaptina si: hyrja historike e gjuhës shqipe, mbi shqiptimin e shkronjave shqipe, fjalë dy zërash, fjalë me dy shkronja, fjalë me tri shkronja, përralla, vargje popullore e proverba. Ka ardhur koha që librat e Anastas Kulluriotit të studiohen dhe të botohet vepra e plotë e tij, ashtu siç janë botuar veprat e Rilindasve të tjerë. Detyra jonë si studiues dhe historian është të zbulojmë dhe të lajmërojmë në aspektin historik me fakte për ekzistencën e librave të tij për gjuhën dhe folklorin shqip. Më tej është detyrë e gjuhëtarëve për të dhënë vlerësimet letrare e gjuhësore të veprave që ka shkruar ai.
Kullurioti mendonte se kjo abetare do t’u shërbente shqiptarëve të Greqisë për të shkruar në gjuhën e tyre amtare. Abetarja është shkruar me një alfabet me shkronja greke, të cilat janë të ndryshme nga alfabetët e tjerë të gjuhës shqipe me shkronja greke që kanë përdoruar Naum Veqilharxhi, Marko Boçari, Kostandin Krostoforidhi e të tjerë.
Pas shumë vështirësive që haste për përhapjen e gjuhës dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar nga asimilimi, vendosi të shkonte në vitin 1882 në ishullin e Salaminës nga e kishte origjinën e familjes me shpresën se atje do të gjente hapësirë për të përhapur mësimin e gjuhës shqipe dhe librat. Por, kryetari i Bashkisë së Salaminës ju përgjigj: “Ne po mundohemi të bëjmë këta njerëz ta harrojnë këtë gjuhë, ndërsa ti na solle libra!”
Megjithëse Anastas Kulluriotit i dolën shumë pengesa, mbyllja e gazetës, zhgënjimi që morri në ishullin e origjinës, ai nuk e ndali punën për të botuar vepra të tjera. Në vitin 1883 botoi librin “ΑΛΒΑΝΙΚΑ ΠΑΡΕΡΓΑ ΗΤΟΙ ΑΝΑΣΚΕΥΗ ΤΗΣ ΕΠΙΣΤΟΛΗΣ ΤΟΥ ΕΞ ΑΡΓΥΡΟΚΑΣΤΡΟΥ ΑΝΤΑΠΟΚΡΙΤΟΥ ΤΗΣ ΠΑΛΙΓΓΕΝΕΣΙΑΣ” (Punim i vogël i gjuhës shqipes, që do të thotë: Të letrës nga gjirokastriti, bashkëpunëtori i Rilindjes). Një vit më vonë, më 1884 botoi “ΑΛΒΑΝΙΚΑ ΠΑΡΕΡΓΑ ΗΤΟΙ ΛΟΓΟΣ ΠΕΡΙ ΣΥΣΤΑΣΕΩΝ ΣΥΝΔΕΣΜΟΥ ΙΟ ΑΛΒΑΝΟΙ ΑΔΕΛΦΟΙ”. (Punim i vogël i gjuhës shqipe, që do të thotë: Referat që të bënë anëtarë të “Vëllazëria Shqiptare”)
Në këtë vepër ai na jep disa të dhëna për shqiptarët, si dhe rregulloren e shoqatës “Vëllazëria Shqiptare” të Greqisë. Në rregulloren e kësaj shoqate parashihej ruajtja e gjuhës dhe identiteti kombëtar. Themeluesit e kësaj shoqate ishin njerëz me influencë në Greqi. Kryetar i përkohshëm u zgjodh Dimitri N. Boçari, i cili vinte nga familja e dëgjuar e Marko Boçarit. Nënkryetar Jani Leka dhe sekretar Anastas Kullurioti. Themeluesit e kësaj shoqërie ishin njerëz me influencë në shtetin grek, ata rridhnin nga familje të heronjve arvanitas të kryengritjes të vitit 1821 për pavarësinë e Greqisë. Shoqata mban datën e themelimit më 14 qershor 1883, me nënshkrime të:
Dhimitri Boçari (gjeneralmajor), Joani D. Leka, Joani L. Gusio (gjeneralmajor), Tim. D. Boçari (toger), Dhimitri J. Leka (nëntoger), G. P. Jolldashi (punonjës në ministrinë e ekonomisë), Anastas M. Çamadho (kapiten), Dhimitri N. P. Parisi (mjek), TH. B. Theoharis (ish-deputet), G. Papavasileo (mjek), Llazar A. Krieziu, Andonio Zigomala (deputet), Gjergj N. Manxhavino (tregtar), Zafeirio Sarulu (pronar tokash, çifligar), Aleksandro Psilla (kapiten), N. M. Çamadho (major), Petraqi Anargjiro (ish-ministër), Dhimitri Dhuno (tregtar), G. Malea (ish-deputet), Anastas I. Kullurioti (pronar tokash, çifligar), Joani Zini (tregtar), Athanasio Ikonomu (avokat), Kostandin Vamba (avokat), Dhimitri Kanaqi (mjek), D. A. P. Meksi (mjek), Spiro Iliadhi (student), Andera Vasileo (avokat).
Poezi të Anastas Kullurioti
Anastas Kullurioti nuk ishte vetëm botues, gazetar dhe shkrimtar, por edhe poet. Poezitë e Kulluriotit ende pas kaq vitesh vazhdojnë të botohen në Greqi në gjuhën greke dhe shqipe. Njëra nga poezitë që e ndeshim më shumë të botuar nëpër broshurat e ndryshme është “Xinxari”. Këtë poezi poeti ja kushton një insekti, mashkullit të bletës. Disa poezi që ka botuar në Abetaren e tij nuk e dimë, nëse është ai autor. Por, sipas studiuesit Jorgo Gjeru, i cili është kryetar i Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë, dy poezitë e mëposhtme kanë për autor Anastas Kulluriotin.
Xinxari
Pra sa të dua ti, nxinxar, o këngëtar!
nd’ ajo degë, çs’je ngalkuar mbë të kotë
medrekj ishtë a mesditë, per ti ishtë bëhar
dh’ as një para sjep ti për gjithë botë
Të ngrëna, e të pira s’ ibën për këtu…
as mos’ ngargomë bëne. / si tëi pëlqen
Ti dëgëza këjon; / vete e rri më më tëhu.
Ndë të ngjuajshin dh’ andej; ti eshkjëllkjen.
Të klajsh, a të rëkojsh kurrë s’ eke ndër mend,
ndë mos të ndaftë njëra, ti çson njatrë,
dunjaj s’ ubuar, dhe për ti ishtë tër një vend,
e le të thonë se je.
Vetëmë lerë je të këndojsh gjithë mot,
dhe këngatë nga jeta m’ ike dzënë,
az me pahir kërkon të të japë inë Zot,
ati tshë sdesh me hir të të kish dhënë.
Thonë se dhe ipëderëz je, nxinxar i varfër!
se u lutshe milingonës’ një grusht grurë!
tërremëtort’! munjafiq jan ë si gjarpër,
se kur, izithi, ;sjlashe degen’ e drurë!
S’ ke fajth ti! se kur do dunjaj ashtu, isht’
ikejq, mërzitën këmbëtori kalëtorin,
edh’ as ipaturi atë çsë ska ehelq,
as nusen’ plaka’, as plaku dhjalëtorin.
Këndo pra mik, dunjanë kurrë mos e pjejt,
këndo ti kaqja bukuri të kota
e pra ndë vdirresh ti nga uja, mos të pret,
podë do mos vdiret’ e gjithë bota;
e mir’ të ngorthsh nga uja, se ti hash ti sot,
atë çsë me punim mblodhe të tjerët,
e pra, nani ndë jesh ivarfër, ka inë Zot.
Do vinjë kohë, të pejrojsh, imjerë!…
Të gjithatë të bashkëpononjënë
Tërë punojmë ndë ki dhe
se ashtu ishtë çthë na ka hje
Ca me duar, ca me mendë,
ca me mendë, ca me parmendë
ti punon me plor me qe,
qëron arnë glëmkuqe
u punoj me gjidhë marrë
sipr mbë një kartë e bardhë.
Ti avllaqe bën të nglatë
u aradhazë ndë kartë.
Ti mbjell farënë mbë lashtë
e pret të bësh buk’ e kashtë
u fjala shkuanj mbë kartë
Ti avllaqe bën të nglatë
u aradhazë ndë kartë
të prjer mendë të marrëtës’
Me ndjersë arënë ti e vadis,
me gjak pemën’ ti eskalis.
ndë kart’ u gjurmonj surtuqe
gjurma zeza, gjurma kuqe.
Tërë punojmë ndë ki dhe,
s’ ashtu duhe të mere.
Nëkë shihni bletënë
si përpjekën vehtenë,
mbë gjithë lulezë po rri
e mbleth mjalt’ edhe qeri.
Pra shihni edhe greth’ ezi,
çë ngjoheshtë me mërrzi.
Pse smbën punazë të drejta
po vjedh mjaltëtë nga bleta
edhe bleta eze dh’ evret,
dhe kufarrth ja shtje ndë dhe.
Pra, shihni edhe milingonën,
ç’ andej këte na pret dhromnë,
pra mbleth koqe, pra mbleth drudhe,
pra mbleth drith edhe marulle.
Mbleth soron’ e bën hazne
per dimër t’ iqetë mere.
Pra shihni edhe fluturaqën’,
çë këcen-këcen pra bllakën’,
fluturon lule mbë lule!
veshurë rroba të mëndafshta
shkëlqim-bukura përjashta,
t’ idura me shum kollorë
verponjën’ sitë, po t’ ishohë.
Po shkon jetën’, pa qëllim
e pra ngorth po lërë kuljtim.
‘Ashtu jan’, edhe ata trima
çë punonjn’ si ajo krimba!
Pse spunonjën’ dhe para skanë
kur mblakenë çë të hanë.
Gjegjuni trima të ngërdhimë,
le ti lëmë ato çë dimë
Me pakjë pra le të rrojmë,
qet-qet, jetën’ të shkojmë.
Se këto ndë ki dunja,
të gjitha janë të mbrazëta
shpatatë thikat’ le ti bëjmë,
plorë, çapa edhe drëpënjë!
njëri njatrënë mos vrasmë,
me dorë a armë, mos ngasmë
Qe ti forrë;… ngrapu me dhenë!
Se, sa epret aqjë të prekën.
Bota do përshurshurishur’,
me pleh e me ujë vadisur’.
Me djersë tënë do potiset’,
me shërbes ara stoliset.
Me punim bukën’ të hamë
të lodhur ndë shtrat’ t’ emarmë.
Me paqjtim, jetën’ të shkojmë,
të keqjetë ti harojmë.
Me shëndet ti jemi sa rrojmë,
pa shërëtor të na shëronjë
Tërë punonjën’ ndë ki dhe,
se ashtu ishtë çë u ka që
punon ara, deti,
punon dheu, punon qameti
punon qielli me illjt.
Punon Kora, punon Vjeshta
Vera, Dimëri edhe vreshta
linjtë e pematë pononjënë!…
veç tembelëtë rëkonjënë!,,,
Kush punon, ka dhe para,
ka gjitha të mirata
po, tembeli e pashërbjeri;…
ngorth nga ujlëza imjeri!…
Fatin e Anastas Kulluriotit e pësojnë Jorgo Maruga (1935-1985) dhe Aristidh Kola (1944-2000)
Më 1883 Anastas Kullurioti bëri një udhëtim në Shqipërinë e Jugut për të përhapur librat në gjuhën shqipe. Por, veprimtaria e këtij intelektuali tashmë ishte bërë shqetësim për qeverinë greke dhe kishën e saj. Prandaj konsulli grek në Gjirokastër i kërkoi autoriteteve osmane për ta dëbuar nga Shqipëria Anastas Kulluriotin. Pas arrestimit atë e dërgojnë në ishullin e Korfuzit. Megjithëse ishte kërcënuar me vdekje, ai nuk e ndali aktivitetin për përhapjen e gjuhës shqipe.
Në vitin 1887 e arrestojnë në Athinë dhe pas disa muajsh në burg grekët ashtu siç kishin vrarë arvanitasin Odise Andruçon, Teodor Haxhi Filipin, Naum Veqilharxhin dhe shumë shqiptarë të shquar e helmuan rilindasin e madh të çështjes shqiptare, Anastas Jani Kullurioti.
Autoritetet e shtetit grek nuk u mjaftuan vetëm me vrasjen e tij. Ata punuan që për dhjetëra vite veprat e këtij shkrimtari dhe poeti të izoloheshin për të mos dalë në dritë. Por, Shqipëria nuk e harroi djalin e saj. Për kontributin e madh që ka dhënë në çështjen e letërsisë shqipe, ai është vlerësuar me çmime të larta. Sot, njëra nga rrugët në Tiranë mban emrin e nderuar “Anasatas Kullurioti”.
Udhën për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar të nisur nga Anastas Kullurioti do ta vazhdonte vite më vonë Jorgo Maruga (1935-1985), i cili nisi të botonte në Athinë në vitin 1976 revistën “Dialogu” që doli 41 numra. Në këtë revistë botoheshin kryesisht shkrime që lidheshin me arvanitasit dhe shqiptarët. Pas mbylljes së revistës “Dialogu”, ai morri iniciativën në vitin 1981 për themelimin e Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë, dhe revistën e saj “Besa” dy vite më vonë në vitin 1983. Ishte në krye të Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë deri sa vdiq në mënyrë misterioze. Familjarët e Jorgo Marugës dhe miqtë e tij janë shprehur se atë e helmuan në një spital të Athinës ku ishte shtruar për një operacion. Fatin e Anastas Kulluritit dhe të Jorgo Marugës do ta pësonte shkrimtari dhe studiuesi Aristidh Kola (1944-2000), të cilin e helmuan si dy të parët. Janë tre vrasje që kanë të njëjtën lidhje, të njëjtën mënyrë, atë të helmimit. Që të tre këta arvanitas Anastas Kullurioti, Jorgo Maruga dhe Aristidh Kola kanë botuar shumë artikuj dhe libra që flasin për historinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Ata nuk kanë nguruar të vizitonin Shqipërinë në kohët më të vështira për të punuar dhe ndihmuar për kulturën shqiptare. Anastas Kulluritoi udhëtoi në trevat e jugut shqiptar më 1885, atëherë kur tokat shqiptare ishin të pushtuara nga serbët, grekët dhe osmanët. Jorgo Maruga guxoi të vizitonte Shqipërinë në vitet e diktaturës komuniste në fund të viteve ‘70 dhe fillim te viteve ‘80. Aristidh Kola pas viteve 1990 bëri disa vizita në Tiranë. Ai nuk ka dhënë vetëm kontribut në fushën e historisë dhe kulturës, por edhe në atë të politikës për një fqinjësi të mirë midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Edhe pse janë vrarë shumë intelektualë arvanitas që kanë bërë përpjekje për të shpëtuar bashkëkombasit e tyre nga asimilimi, sot në hapat e tyre ecin shkrimtarë dhe studiues të tjerë si: Jorgo Gjeru, Jorgo Miha, Jorgo Korizis, Thanasi Moraiti, Niko Stylos, Taso Karandi-Arvaniti e plot të tjerë, të cilët ende vazhdojnë të punojnë që gjuha shqipe të mos zhduket, të mos jetë një atdhe i humbur për arvanitasit e Greqisë.