Meqenëse herë pas here na bën përshtypje ndonjë bëmë autentike shqiptare, ja ku është edhe një e freskët. Me ndarjen e re territoriale, Bashkia e Krujës është pronare e dy klubeve futbolli, Kastriotit dhe Ilirisë së Fushë Krujës dhe të dyja skuadrat janë në Kategorinë e Parë. Pikërisht në këtë periudhë kampionati, ndihma e më të voglit nevojitet më shumë se kurrë dhe në fakt nuk ka munguar. Javën e kaluar, mysafirë në Fushë Krujë ishte Besëlidhja, kundërshtarja e vetme e krutanëve në Grupin e Veriut, vetëm me një pikë diferencë. Ndeshja u zhvillua mjaft e ashpër, madje në disa raste ashpërsia ishte e ekzagjeruar dhe në fund gjithçka përfundoi 0-0. Këtë rradhë Iliria luante me Kastriotin dhe nuk mund të ishte e njëjta gjë. Për të qenë më të saktë, duhet thënë skuadra e dytë e Bashkisë kishte udhëtuar vetëm ne një portjer, por edhe ai doli nga loja me karton të kuq pa u mbushur 30 minuta lojë. Kështu Iliria luajti me 10 futbollistë, ndërkohë që për më shumë se 60 minuta të tjera në portë luajti një mbrojtës. Portjeri Zeneli i bëri të gjitha, shkaktoi 11 metërsh, u ndëshkua rëndë nga arbitri, ndërsa rezultati i ndeshjes ishte shumë interesant, 3-2 për Kastriotin. Ndërkohë që Besëlidhja tashmë duhet të bëjë shumë më tepër për të ardhur në Superiore, pasi diferenca me krutanët është shtuar në 3 pikë, kur kanë mbetur edhe 7 javë nga përfundimi i kampionatit.