“Refuzoj të bëhem pjesë e atyre që gjuajnë me gurë mjekun, pse në rrugën e tyre qëlloi dikush i papërgjegjshëm, ashtu siç refuzoj ata që gjithë politikanët i quajnë hajdutë e kriminelë”- kështu është shprehur sot deputetja e PDIU-së nëpërmjet një postimi në faqen e saj zyrtare në facebook në lidhje me debatin për ngjarjen që ndodhi në maternitet.
Doda ka theksuar se jo të gjithë mjekët janë njëlloj. Babai i saj dhe plot miq të tjerë janë mjekë të jashtëzakonshëm dhe se ata duhen nderuar për punën e tyre.
“Im atë është mjek, im bir student mjeksie, mjek të jashtëzakonshëm janë ndër miqtë e mi më të mirë. Refuzoj të bëhem pjesë e atyre që gjuajnë me gurë mjekun, pse në rrugën e tyre qëlloi dikush i papërgjegjshëm, ashtu siç refuzoj ata që gjithë politikanët i quajnë hajdutë e kriminelë. Reforma në shëndetësi duhet bërë më së pari duke nisur nga respektimi i burrave dhe grave fisnike e që meritojnë nderimin tonë e që quhen mjekë. Kur them këtë nënkuptoj edhe faktin qe nuk ka mjek me 500.000 lekë të vjetra në muaj rrogë dhe në fund të ditës të dëgjojnë nje lumë me të shara nga lloj-lloj gojësh çapraze. Mjeku duhet nderuar, pikë.“