Nga Frrok Çupi
Dje, bulevardi i madh i Tiranës m’u bë njësoj si në verën e vitit 2003, në çastin e eklipsit diellor. Edhe atë ditë- një i nxehtë afrikan. Edhe atë ditë e kam parë bulevardin krejt të boshatisur; ndonjë njeri që kishte mbetur, vraponte për në shtëpi. Po vinte eklipsi, në Shqipëri- thuajse i plotë, por eklips i plotë në Gjermani dhe në Veriun tutje.
Dje, përsëri, dukej se të gjithë ishin strukur nëpër shtëpi. Një grua që zakonisht shet libra nëpër kafetë e bllokut, shpejtonte nën diell dhe fliste si me vete: “Do ta votojnë nesër Reformën?…”. Ndoshta i thoshte mendja se po fliste me mua, se njeri tjetër nuk kishte.
Po pse shkretohen rrugët, në të dyja rastet thuajse njësoj? Në ditën e eklipsit magjik, të gjithë europianët kishin dalë në parqe, në rrugë, në sheshe dhe gëzonin si fëmijë. Ndërsa këtu fshiheshin në shtëpi. Po sot pse fshihen?, sot- një ditë para Reformës?
Për të qeshur e për të qarë. Megjithatë, diçka po i ndodh Shqipërisë. Një nga gazetat më të vjetra, e majtë, sot në mëngjes e ka kthyer faqen në një qefin për Pavarësinë. I ka vënë kryq ikonës së pavarësisë, Ismail Qemalit, dhe ka shkruar se “ky është fundi i palavdishëm i Republikës së katërt”. Tri republikat e tjera kanë qenë: Qemalistja (jo Ataturk), zogistja, enveristja dhe kjo… demokratikase, që gazeta thotë se “ra”. Të tjerët nuk i kanë me të shkruar, veç me të folur. Ata që intervistohen në rrugë nga disa gazetarë të urdhëruar, psherëtijnë: “Ah, sikur ta votonin Reformën!”.
Kush ka mend në kokë bën disa pyetje; pyet edhe pse duhet bërë kjo Reformë. Fjala “sovranitet”, deri dje ishte e lakmuar; sot, po ta përdorësh, shpallesh “anti-amerikan”, ose “armik”. Mendje-hapurit flasin si nëpër celula dhe thonë “ç’është kjo punë, po humbim mëvetësinë. Të huajt do të na i bëjnë edhe gjyqet?!”. Kisha katolike, në kundravers me Krishtin, po “lutet që të votohet Reforma”. Çudi, po sikur Vatikani të kërkojë fëmijë në epruvetë?! Se edhe kjo është “reformë”. Atëherë do të binte Krishti. Po pse nuk bien këto kishat këtu?! Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, që mban peshën e “kryqit”, deri dje vinte zyrë më zyrë, si një njeri i lutjeve. Dje, kërcënoi hapur cilindo që është kundër Reformës; por kërcënoi fort, në emër të Amerikës. Shpalli “listën e zezë” për secilin që nuk voton “pro”. Çfarë koincidence: Mediat amerikane këto ditë fushate presidenciale, po kujtojnë “Panterën e Zezë”, “Ku Klus Klanin”, Dallas-in dhe Martin Luterking. Bota është kthyer në histori të vjetër…
Ndërsa zonjën e Këshillit të Europës, një vajzë nga Kroacia, duket sikur e merr era; sot nuk është siç ishte dje. Shërben kryeministrin- tha edhe opozita. Një nëpunës i vogël i një misioni ligjesh ka folur në ora dy të natës, në emër të Europës, dhe ia ka rrëzuar “rërën” ambasadores.
Këta të vendit kanë hyrë në luftë në emër të të huajve. Kryeministri flet si në jerm, duke u lutur që të jashtmit ta marrin me sy të mirë dhe të mos e ngacmojnë për krimet. Po bëhet drejtësi(!). Opozita këmbëngul në principe, por për këtë e shikojnë shtrembër…
Diçka po ndodh. Po ndodh veç për Shqipërinë, apo edhe për kontinentin?! Askush tjetër, as fqinjët e mallkuar ballkanikë, nuk kanë reforma si kjo. Po veç ne?! Pse?
Diçka po ndodh jo veç për Shqipërinë, por edhe për kontinentin. Nuk jemi më në kohët e ngrira; kemi hyrë në një regjim të ashpër e të turbullt. Brexit, Stamboll, Nice, Bruksel… të gjitha janë kthyer në regjim. Më në fund na është kthyer Stambolli në regjim. Ne jetojmë më së shumti nën regjimin “Stamboll”. Tani që Turqia ra në tirani të dukshme, nuk besohet ku po shkon. Shqipëria duhet shtrënguar si vijë e fortë. Bosnja dhe Kosova, si dy vende që eksportojnë luftëtarë për Shtetin Islamik. Serbia, si e përkëdhelura e Kinës dhe e Rusisë.
Të gjithë nxituan pas grushtit në Stamboll. Ose të gjithë u shfaqen si pas aktit barbar në Nice. Askush nuk mund të thotë qartësisht se në cilin rast nxitimi është më i lidhur me atë rast. As Drejtësia nuk është drejtësi. Por e tëra është kthyer në regjim. A janë aktet terroriste, apo diçka tjetër po ndodh? Apo droga që ka mbuluar vendin? A është Reforma, apo diçka tjetër? Ndoshta në këtë rast, ne shqiptarët jemi eksperimenti. Me sa duket, këtu po eksperimentohet “Drejtësia”.
A nuk e patë se si u shtri Drejtësia, hap pas hapi, herë butë e herë forcërisht; ec e tërhiqu, ec e tërhiqu! U bë prova se si mund të merret sovraniteti. U studiua psikika dhe fjalët e lëshuara nëpër tavolina se “ne shqiptarët nuk bëhemi dot vetë”. U studiua përgjimi. Këta të BE thanë dje në ora dy të mëngjesit se “do ta fshehim të vërtetën për gjykatësit, do t’i përgjojmë e nuk do të themi”. Edhe kjo ishte parë si një kualitet i keq mësuar në diktaturë, ku njëri spiunon tjetrin. U tentua dhe, më duket se diçka është arritur, që drejtësia të lihet në dorë të Njëshit, të dikujt që ka në dorë edhe pushtetin ekzekutiv. Republika bëhet me një pushtet të vetëm. Të gjithë po thonë se “njeriu i besuar” për t’i varur në qafë Drejtësinë, u zgjodh Edi Rama, kryeministër, një pinjoll i nomenklaturës së lartë të diktatureës komuniste. Perëndimorët u bazuan te komunistët, me të cilët kishin qenë në luftë gjysmë shekulli. Antikomunistët u shpallën antiamerikanë; së prapthi. Lajmet se shqiptarët “nuk e durojnë demokracinë” kanë bërë vend në Perëndim. Me sa duket po aplikohet një lloj tjetër demokracie, demokracia autoritare. Po tentohet që demokracia dhe tirania të flenë së bashku këtu në Tiranë fillimish. Kryeministri (sot Rama) do të kontrollojë të drejtën; por edhe banesën e secilit.
Të gjithë kërkojnë që të votohet kjo Reformë; madje edhe kisha katolike. Nesër kur autokrati “të varë mace” më keq se Hoxha, nuk ka më “derë kishe” a xhamie ku të falesh. As ambasadori amerikan nuk do të jetë këtu. Kandidati për president në Amerikë deklaroi dje se “kushdo nga administrata e Obamës do të shkojë në shtëpi”. Kjo e Këshillit të Europës ndjek pas ambasadorin e Amerikës; sikur nuk përfaqëson kontinentin këtu. BE dhe SHBA (këtu) duken në një linjë për nivelin e ulët të ambasadorëve; ndërsa ndahen në nivelet e lartë: Herë nxjerr kokën Venecia dhe herë Uashingtoni.
Kontinenti po tenton të shkojë në kufijtë e vjetër; jo si hartë territoriale, por si hartë regjimesh. Këtu eksperimentohet regjimi “Stamboll”, drejtësia vihet në dorë të njërit, kontrollohet nga jashtë, emërohen fajtorët, emërohen të favorizuarit; dhe le të shikojmë deri ku shkohet në “perëndorinë Osmane”. Por si ta kuptojë këtë ambasadorja e kontinentit. Ajo nuk mund të shikojë aq larg. Nuk shikon se po humb influenca evropiane mbi Ballkan.
Diçka po ndodh, por jo thjesht me Shqipërinë. Shqipëria më duket thjesht si një eksperiment.
Më duket se eksperimenti është ky: Regjimi “Stamboll” të ketë pranë një “stamboll” të vogël, siç ishim para vitit 1912. Ose jo kaq thjeshtë, sepse do të kuptohej nga të gjithë. Por një demokraci autoritare, ose demokraci tiranike!, sipas modelit Stamboll.