Të nderuar bashkëatdhetarë!
Emri im është Anila Halili dhe jetoj në Kremona, ku edhe ushtroj profesionin e avokatisë. Kremona, një qytet i vogël afër Milanos, është një nga më të pasurit e Italisë, por gjithashtu është, fatkeqësisht, qyteti më i prekur nga virusi COVID-19. Këtu, numri i të infektuarve i kalon 2.000 persona. Nëse këtë numër e krahasojmë me numrin e banorëve, i cili është 366.004, rezulton të kemi 1 të infektuar çdo 177 persona; kjo do të thotë se këtu është përqindja më e lartë, duke konsideruar jo vetëm përhapjen e virusit në të gjithë Italinë, por edhe në të gjithë botën, duke e kaluar kështu përqindjen e të infektuarëve në Ëuhan të Kinës. Si rrjedhojë, dhe rastet e të vdekurve kanë arritur një përqindje shumë të lartë dhe të frikshme duke prekur shumicën e familjeve, duke bërë të rezultojë kështu një i vdekur për pothuajse secilën prej tyre.
Virusi COVID-19 nuk kursen jetën e askujt! Numri i të infektuarëve edhe pse duket se po vjen duke u përmirësuar, mbetet gjithsesi alarmues. Autoriteti Shëndetësor Vendor (ATS) i Kremonës, ka menduar të hapë qendra spitalore nëpër hotele me anë të ndihmës së kooperativave të vogla, të cilat garantojnë personel si për shembull mjekë, infermierë, kuzhinierë dhe pastrues. Ky shërbim është menduar për ata persona, të cilët pasi janë kuruar dhe kanë dalë nga spitalet, duhet të vazhdojnë karantinën për 14 ditë të tjera në mënyrë që të garantohet negativiteti i tamponit ndaj virusit 100 %, si edhe për të evituar që të shëruarit të kthehen menjëherë në shtëpitë e tyre duke vënë kështu në rrezik sado të vogël familjarët. Përfundimi i karantinës në këto qendra spitalore të sajuara, është një nismë domethënëse dhe e rëndësishme, sepse në këtë mënyrë spitali nuk do të jetë i mbipopulluar duke lehtësuar njëkohësisht dhe punën e mjekëve, të cilët mund t’u përkushtohen më mirë rasteve urgjente që kanë nevojë për një ndërhyrje sa më të shpejtë dhe kurim të vazhdueshëm në terapi intensive.
Më lejoni t’ju përshkruaj një situatë alarmuese dhe surreale të këtyre muajve të fundit:
Banoj në një ndër rrugët kryesore në Kremona, aty ku, fatkeqësisht, çdo 10 minuta dëgjohet sirena e ambulancës që ecën me shpejtësi të madhe për të shpëtuar njerëzit në gjëndje të rëndë të prekur nga virusi COVID-19. Në rajonin e Lombardisë ende vijojnë rregulla shumë të ashpra, me lëvizje të limituara, me subjekte dhe shumë zyra të mbyllura. Dekret-ligjet e ndryshme në fuqi, kanë ndaluar të punohet nëpër zyra për të shmangur kontaktet drejtpërsëdrejti me njerëzit për të parandaluar përhapjen e virusit. Tashmë, shumica e profesioneve punojnë sipas modelit “smart working”.
Në rastin tim personal, zyra ime ligjore është e mbyllur prej gati dy muajsh, ndërkohë unë punoj në shtëpi sipas modelit në fjalë (https://www.facebook.com/103687261012570/posts/248947829819845/?d=n). Kjo situatë nuk është aspak e thjeshtë duke konsideruar faktin që jam nënë i një djali të vogël 2 vjeç, i cili nuk mund të shkojë në kopësht. Për këtë arsye, unë dhe bashkëshorti im, jemi të detyruar të punojmë me radhë në shtëpi, në mënyrë që të jetë gjithmonë dikush i lirë që të kujdeset për djalin.
Në raste të rralla shkoj në zyrë, veç për të marrë dosjen e ndonjë praktike urgjente dhe gjithmonë e pajisur me maskë dhe dorashka, të cilat i dezinfektoj shpesh, sepse në dyqane dhe në farmaci nuk gjenden më tashmë. Kam evituar çfarëdo lloj kontakti me klientët dhe nuk mund të mohoj se kategoria e avokatëve, ashtu si shumica e kategorive të tjera, ka pësuar një humbje të madhe ekonomike në këtë periudhë dhe vazhdon akoma të humbasë. Ndërkohë, seancat gjyqësore janë pezulluar dhe akoma nuk janë vendosur datat se kur do të zhvillohen; gjithashtu edhe klientët nuk afrohen dhe, për rrjedhojë, çështje të reja nuk ka. Normalisht, gjëja më e rëndësishme është shëndeti, por është e pashmangshme pyetja: “Si do të përfundojë e gjithë kjo situatë?”. Askush nuk e di dhe nuk mundet të japë një përgjigje; unë shpresoj që kjo situatë të përfundojë sa më parë dhe t’i rikthehemi jetës së mëparshme.
Duhet theksuar se, gjatë kësaj periudhe, spitali i Kremonës është treguar një ndër më të përgatiturit dhe profesionalët për të shëruar infeksionet duke shmangur shumë raste vdekjesh. Pikërisht në këtë spital, para disa javësh u publikua një foto e katër infermierëve me nënshtetësi të ndryshme, një prej të cilëve i shtetësisë shqiptare. (https://www.facebook.com/103687261012570/posts/227639421950686/?d=n). Në atë moment, personalisht, u ndjeva e emocionuar, sepse shteti ynë i dashur, Shqipëria, u tregua zemërgjerë duke i ardhur në ndihmë vendit fqinj, Italisë, e cila, po ashtu është treguar gjithmonë bujare me ne shqiptarët. Italia, për shumë prej nesh, është kthyer në “shtëpinë e dytë”, ku disa shqiptarë kanë lindur, të tjerë janë rritur e plot të tjerë kanë krijuar familje dhe jetojnë në mënyrë dinjitoze.
Në lidhje me këtë gjest, personalisht, më kanë ardhur shumë mesazhe falenderimi nga persona italianë të cilët vlerësuan gjestin, sidomos për faktin se një shtet i vogël si Shqipëria u tregua kaq pranë Italisë duke luftuar së bashku këtë armik të frikshëm. Nuk mund të mohoj se kjo gjë më bëri të ndihem akoma më tepër krenare që jam shqiptare.
Nga ana tjetër, është për t’u admiruar mënyra si po e përballon populli italian situatën e izolimit; është e mahnitshme se si po e “luftojnë” virusin në këtë periudhë, të gjithë të mbyllur në shtëpi duke zbatuar rregullat, si edhe duke i dhënë kurajo njëri-tjetrit duke kënduar himnin e Italisë nëpër dritare. Janë tepër emocionuese imazhet e përhapura të violinistes së famshme, e cila, pikërisht në qytetin e Kremonës (i njohur gjithashtu si qyteti i violinës), nga tarraca e spitalit, luan këngët më të bukura për të gjithë popullin e Kremonës, popullin italian e për të gjithë botën që po lufton armikun më të madh të këtij shekulli. Kjo muzikë, preku secilin prej nesh dhe na bëri të mendohemi se jemi të gjithë të bashkuar dhe se vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë të mposhtim armikun e përbashkët (https://www.cremonaoggi.it/2020/04/17/audizione-cremona-video-dellemozionante-esibizione-violino-sul-tetto-dellospedale/).
Edhe këtë herë Kremona dhe e gjithë Italia po tregon bujarinë dhe forcën e vet. Shumë biznese kanë dhënë ndihmën e tyre më anë të dhurimeve të konsiderueshme që u kanë bërë spitaleve, dhe gjithashtu shumë persona të thjeshtë kanë dhënë ndihmën e tyre vullnetare për shpërndarjen e ushqimeve, maskave, ilaçeve etj. Asnjë dallim, të gjithë së bashku, i pasuri dhe i varfëri nuk kanë qënë kurrë më afër se sa sot, të gjithë me të njëjtin qëllim: të luftojmë e të fitojmë këtë betejë.
Krahas urgjencës shëndetësore, po rritet në heshtjen izoluese një situatë sociale ekonomike e rëndë, por Italia do t’ia dalë mbanë të gjejë forcat dhe burimet për të rindërtuar çfarë ky virus shkatërroi.
Edhe ne, qytetarët shqiptarë, tashmë pjesë e këtij populli, do të bëjmë pjesën tonë duke dëshmuar edhe njëherë këmbënguljen, forcën dhe vendosmërinë e popullit shqiptar, duke respektuar karantinën dhe duke qëndruar së bashku, megjithëse secili në shtëpinë e tij.
Sot, më shumë se kurrë, ndjej përgjegjësinë dhe detyrën për të bërë diçka për këtë qytet, për këtë shtet, për të gjithë botën. Ndihem krenare që jam pjesë e këtij qyteti që po përballon këtë situatë shëndetësore të tmerrshme me shumë kurajo dhe me një forcë të veçantë, duke i dhënë shembull gjithë botës mbarë!
Me respekt e gjithmonë pranë jush,
Anila Halili.