Pas dënimit nga Disiplina me 4 ndeshje pa tifozë, klubi i Partizanit shpreh shqetësimin se FSHF po favorizon klube të caktuara në kampionat këtë sezon, duke vazhduar të dëmtojë në mënyrë të personalizuar klubin e kuq.
Me anë të një postimi në faqen zyrtare të Facebook thuhet se të dyja dy tifozeritë gabuan që hodhën sende në fushë, por ndryshimi te tifozët e Partizanit ishte se gjithçka ndodhi në kushtet e vetëmbrojtjes.
Komunikata e plotë
Klubi i Partizanit shpreh shqetësimin për favorizimet që FSHF po i bën ekipeve të caktuara në kampionat dhe vazhdon të dëmtojë në mënyrë të personalizuar klubin e Partizanit. Vendimi i Disiplinës është një tjetër sulm direkt i FSHF-së, pasi edhe pse prezymohet të jetë një organ gjyqësor i pavarur, minimalisht bazohet te relacionet e zyrtarëve të FSHF-së në atë ndeshje.
– Denoncuam menjëherë pas ndeshjes që grupimi i tifozëve të Partizanit u provokua me gurë që vinin nga jashtë stadiumit prej të cilëve u dëmtuan edhe disa prej tifozëve.
– Dy tifozeritë gabuan që hodhën sende në fushë, çka u vu re qartë edhe në televizor, por edhe nga zyrtarët e FSHF. Ndryshimi te tifozët e Partizanit ishte se ndodhi në kushtet e vetëmbrojtjes dhe gjatë momentit që po goditeshin nga gurët që vërshonin, por edhe nga shkopinjtë e gomës së policisë. Ndërsa tifozeria vendese e kishte të pajustifikuar hedhjen e stolave në fushë.
– Në tribunën qëndore janë hedhur sende të forta, prej të cilave u goditën dy persona, njëri prej të cilëve u gjakos sipër vetulles. I radhitëm këto argumenta për të sqaruar opinionin se si Federata ka vendosur të dalë hapur, si një organ opozitar ndaj futbollit të drejte dhe garës së ndershme sportive.
E cilësojmë të palogjikshme që provokuesit dhe dhunuesit të gjobiten, ndërsa viktimat të dënohen me 4 ndeshje. Këto vendime maskaradë të Federatës, që merr guximin të cënojë në mënyrë të hapur garën për titullin kampion, thjesht na bën më të fortë. Partizani i garanton FSHF-së, se pavarësisht këtyre pengesave që na bën dhe favorizimeve ndaj rivalëve direkt, neve na bën më të fortë, më të egër në realizimin e objektivave, duke luajtur me ndershmëri. Gjithashtu, premtojmë se do marrim masa ndaj sulmeve tendencioze dhe burracake…