Në përditësimin e fundit të të dhënave mbi Shqipërinë Agjencia Qendrore e Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka raportuar edhe për trafikun e paligjshëm të drogës.
CIA amerikane në faqen e saj zyrtare “The world facktbook” shkruan se vendi ynë mbetet gjithnjë pike aktive e kalimit të paligjshëm të drogave si kanabis sativa nga Azia jugperëndimore drejt Ballkanit.
Po kështu sipas CIA-as, në një masë më të vogël nga Shqipëria kalon ilegalisht edhe kokainë që vjen nga Amerika e Jugut me destinacion Europën Perëndimore.
Të dhënat e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane raportojnë se ka një rritje të prodhimit të kanabisit në vend si dhe një zgjerim të organizatave shqiptare të trafikimit në Europë.
CIA e klasifikon Shqipërinë edhe si një vend ku kryhet lehtësisht pastrimi i parave i lidhur me trafikimin rajonal të narkotikëve, armëve, kontrabandës dhe kalimit të paligjshëm të shtetasve të huaj.
Përditësimi i fundit i të dhënave të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së, është bërë në fillim të muajit gusht të këtij viti.
/Ballkanweb/