Çamëria në një vit, nga Parlamenti i Shqipërisë në tavolinën e bisedimeve me Greqinë për të mbërritur në Bruksel, atje ku zyrtarët e lartë të BE-së rekomandojnë zgjidhje, si çështje e të drejtave të njeriut.
“Vangjel, në qoftë se nuk të pëlqen çam s’ka problem, janë shqiptarë, në qoftë se nuk të pëlqen Çështje Çame s’ka problem, është Çështje Shqiptare dhe për këtë çështje kemi të gjithë të drejtën të kërkojmë zgjidhje bazuar në të drejtën ndërkombëtare…”, është një ndër fjalitë më domethënëse të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, që lidhet me Çështjen Çame. Në një debat në Kuvend me kryetarin e partisë së pakicës greke në Shqipëri, Rama ka shprehur pa asnjë dyshim vendosmërinë e qeverisë shqiptare për zgjidhjen e Çështjes Çame.
Viti që po mbyllet, 2016-a, ishte padyshim një ndër vitet më të rëndësishme për Çështjen Çame. Nga tribunat politike të Shqipërisë, Çështja Çame ka mbërritur deri në Bruksel, atje ku zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian rekomanduan zgjidhjen e kësaj çështje midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë. Komisioneri për zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn, e ka cilësuar Çështjen Çame si çështje e të drejtave të njeriut dhe i ka rekomanduar qeverisë greke të pranojë bisedimet me qeverinë shqiptare për t’i dhënë zgjidhje Çështjes Çame.
Debati për zgjidhjen e Çështjes Çame u intensifikua në Kuvendin e Shqipërisë pranverën e këtij viti, kur kryetari i PDIU-së dhe deputetët e tjerë të kësaj partie, kërkuan me ngulm nga qeveria shqiptare trajtimin e Çështjes Çame si çështje e të drejtave të njeriut dhe zgjidhjen e saj, sipas konventave ndërkombëtare. Në disa seanca parlamentare, kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, i kërkoi kryeministrit Rama dhe ministrit të jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushati, të kërkojnë zgjidhjen e Çështjes Çame, si një e drejtë e kësaj popullsie, e cila u bë viktimë e genocidit grek dhe u përzu me dhunë nga trojet e veta në Çamëri.
Vizitat e ministrit të jashtëm të Greqisë në Shqipëri, u shoqëruan me protesta të forta të popullsisë së Çamërisë, para institucioneve shqiptare, atje ku ministri i Jashtëm grek, kërkonte në mënyrë paradoksale respektim të të drejtave të minoritetit, të drejta të pamohuara kurrë nga institucionet shqiptare. Sjelljet tipike të zyrtarëve grekë, morën përgjigjet e here pas hershme të zërit të protestës së popullsisë së Çamërisë, si dhe të deputetëve e drejtuesve të PDIU-së, ku kërkohej reciprocitet e dinjitet në marrëdhëniet mes dy vendeve. Me reciprocitet parashikohet që ashtu siç respektohen të drejtat e pakicës greke në Shqipëri, të shkohet drejt zgjidhjes së Çështjes Çame, kthimin e të drejtave të mohuara kësaj popullsie dhe pikësëpari kthimin në trojet e veta në Çamëri.
Një ndër fjalimet më të rëndësishme të kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi në Kuvend, është ai i majit të këtij viti, kur tha:
“Çështja e Çamërisë, e Ligjit të Luftës nuk janë për tryeza në kafe, por janë çështje të dipolomacisë publike që duhen të zgjidhen.”
Në replikë me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, Idrizi kërkoi që të ftohet në konferencën, ku do të jetë ishte i pranishëm ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias për të bërë para tij një kërkesë krejt njerëzore: “Ka shtetas shqiptarë të Çamërisë që kanë në pasaportën e tyre të shënuar fjalën “Çamëri” dhe që nuk lejohen të shkelin në Greqi. A mund t’i kërkojmë zotit Kotzias që të lejojë këta njerëz të shkojnë dhe një herë e të vizitojnë trojet e tyre?”. Në përgjigje të Idrizit, ministri i jashtëm Ditmir Bushati sqaroi që nuk ka asnjë diferencë në mënyrën se si vlerësohet Çështja Çame dhe as Ligji i Luftës e të tjera probleme të pazgjidhura me palën greke. Për Bushatin ndryshimet janë vetëm tek metoda që do të ndiqet për zgjidhjen e tyre. Ministri Bushati shprehu gatishmërinë për të dëgjuar PDIU-në në çdo kohë, për të dhënë kontribut për zgjidhjen e kësaj çështje, madje edhe për të dhënë llogari për ecurinë e punës së Ministrisë së Jashtme për zgjidhjen e kësaj çështje.
Kongresi i PDIU
Në Kongresin e fundit të PDIU-së zhvilluar në qershor të këtij viti, ishte i ftuar edhe kryeministri Edi Rama. Fjalimi i tij në këtë kongres, i dha një shtysë shumë të rëndësishme avancimit të qeverisë shqiptare drejt zgjidhjes së Çështjes Çame. Ishte një kërkesë e drejtpëdrejtë e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama drejtuar autoriteteve greke për ta pranuar Çështjen Çame si çështje e të drejtave të njeriut dhe për të pranuar zgjidhjen e saj.
Pikërisht në atë kongres, kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi tha:
“Çështja Çame ka zot, na ka ne në këtë sallë, ka të gjithë shqiptarët nga Kosova, nga Mali i Zi, nga Presheva, nga Maqedonia, SHBA kudo që jetojnë shqiptarë. Ka një rezolutë për shqiptarët e Çamërisë, e cila detyron qeverinë shqiptare që ta adresojë Çështjen Çame tek partnerët ndërkombëtarë.”
Nga ajo sallë, kreu i qeverisë premtoi një politikë të re për zgjidhjen e Çështjes Çame, si një çështje e të drejtave të njeriut.
Rama: “Nuk heshtim, Çështja Çame është në tavolinë për t’u zgjidhur.”
Të tjera momente të rëndësishme do të vinin më pas për Çështjen Çame. Falë trysnisë së pandalur të PDIU-së ndaj qeverisë shqiptare, kryeministri Rama dhe qeveria e tij e vendosën në agjendën e bisedimeve me palën greke, zgjidhjen e Çështjes Çame, heqjen e Ligjit të Luftës krahas të tjera problemeve të pazgjidhura mes dy vendeve. Ishte i pari kryeministri Rama, i cili u shpreh qartë dhe pa asnjë ekuivok për zgjidhjen e Çështjes Çame, kur tha që ka ikur koha, kur Tirana zyrtare ishte e nënshtruar. “Ne i kemi shtruar të gjitha në tavolinë. I kemi bërë të qartë për fqinjët tanë që këto janë çështje që ne nuk kemi ndërmend t’i kapërcejmë duke i lënë pas të pazgjidhura. Nuk kemi ndërmend të heshtim dhe të bëjmë sikur nuk kuptojmë dhe pastaj t’i nënshtrohemi fakteve të kryera, kur vjen në këto marrëdhënie. Për një kohë të gjatë, fqinjët tanë u mësuan pa keq do të thosha, që këtu në Tiranë të kishin bashkëbisedues të nënshtruar, të heshtur, kur në fakt fjala ka qenë dhe mbetet që nuk mund të anashkalohen dhe as nuk mund të bëjmë dot sikur nuk ekzistojnë. Ne i kemi shtruar të gjitha në tavolinë. I kemi bërë të qartë për fqinjët tanë që këto janë çështje që ne nuk kemi ndërmend t’i kapërcejmë duke i lënë pas të pazgjidhura. Ne kemi vullnet të plotë për t’u dhënë atyre zgjidhjen më të mirë duke u bazuar tek parimi themelor i reciprocitetit”, tha Rama.
Më pas , ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, e përforcoi qëndrimin e kryeministrit, kur theksoi se Çështja Çame nuk është çështje pronësore, por çështje e identitetit kombëtar shqiptarë. Në një fjalim në Kuvend, ai tha ndër të tjera:
“Çështja Çame nuk është çështje pronësore, ajo është çështje edhe pronësore dhe pikë së pari ajo është çështje e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe duhet të zgjidhet në këtë prizëm. Nuk dua të vendos shënja krahasimi për situata që mund të mos jetë e njëjta gjë. Por, çfarë do të thotë çështje e lirive dhe të drejtave të njeriut? Është ajo që tha deputeti Tahir Muhedini, mundësia që çdo pasardhës të shkojnë në tokat e tyre dhe për të nderuar të rënët. Është e papranueshme që kjo çështje të trajtohet nga një grup parlamentar, sepse kjo është një çështje shqiptare dhe i prek shqiptarët, kudo ku jetojnë.
Nuk ka asnjë lloj kufizimi në Shqipëri për shtetasit grekë. Pse duhet të ekzistojë kufizimi për popullsinë e Çamërisë? Ata janë shtetas grekë dhe si të tillë duhet të lejohen të shkojnë në tokat e tyre e të nderojnë të rënët”, tha Bushati disa muaj më parë.
Çështja Çame në Bruksel, Johannes Hahn: Drejt zgjidhjes me bisedime
Mbërritja në Bruksel, është padyshim momenti kulmor i rrugës drejt zgjidhjes së Çështjes Çame.
Është moment, kur paketa e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati për adresimin e çështjeve të hapura mes Shqipërisë dhe Greqisë, diskutohet në Bruksel dhe merr bekimin e Komisionit Europian. Në një seancë dëgjimore me eurodeputetët, Komisioneri Johannes Hahn është ndalur në mekanizmin dypalësh në adresimin e çështjeve historike mes dy vendeve, pjesë e paketës Bushati-Kotzias, ku Komisioni njeh si të tillë edhe Çështjen Çame.
Eurodeputeja greke Maria Spyraki, foli në atë seancë lidhur me ato që ajo i ka cilësuar “pretendime irredentiste të Shqipërisë”, duke listuar një sërë ngjarjesh të ndodhura përpara dhe gjatë vizitës së ministrit Kotzias në Tiranë. Deputetja e nis qysh nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama në Konventën e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe protestën e zhvilluar gjatë vizitës së ministrit grek në Tiranë. Në fund, eurodeputetja e Demokracisë së Re i adreson dy pyetje Komisionerit Hahn:
“A e konsideron Komisioni veprimet e kësaj partie (PDIU) në qeveri të jetë në frymën e fqinjësisë së mirë, kjo duke qenë dhe një parakusht për anëtarësimin e Shqipërisë?
A do të merren parasysh ngjarjet e mësipërme në raportin e progresit për Shqipërinë?”
Përgjigjja e komisionerit Hahn ishte shumë e qartë:
“Komisioni vuri në dukje pozitive se frekuenca e vizitave të nivelit të lartë në mes të autoriteteve të Shqipërisë dhe Greqisë është rritur. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë intensifikuar, gjithashtu edhe dialogu politik është formësuar më të mirë. Komisioni mirëpriti faktin se të dy vendet po diskutojnë krijimin e një mekanizmi të përbashkët, që do të mblidhet në mënyrë periodike, për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dypalëshe. Këtu përfshihet përcaktimi i shelfit kontinental dhe zonave detare shqiptaro-greke, të drejtat e personave që u përkasin minoriteteve dhe Çështjen Çame. Komisioni ka përgëzuar këto përpjekje, duke shprehur mirënjohjen për ripërtëritjen e një angazhimi të tillë të rëndësishëm diplomatik dypalësh.”
Ky është momenti i parë, kur një zyrtar i lartë i Brukselit e pranon Çështjen Çame dhe i rekomandon palës greke zgjidhjen e saj. Ky qëndrim i Komisionerit Johannes Hahn shkaktoi irritimin e zyrtarëve grekë.
Fill pas këtij zhvillimi, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi paraqiti dy nisma shumë të rëndësishme.
Nisma e parë
Për herë të parë, PDIU do të depozitojë në Kuvend një kërkesë për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, për hetimin dhe zbardhjen e genocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë, në qershor të vitin 1994, ku u shfarosën 20 për qind e popullsisë, ndërsa zonat u spastruan etnikisht nga shqiptarët e Çamërinë.
Një grup juristësh të PDIU-së po hartojnë objektin e komisionit hetimor, ndërsa kërkesa do të depozitohet në Kuvend në ditët në vijim. Objekti i komisionit pritet të jetë zbardhja e ngjarjeve të qershorit 1944, rrethanave që prodhuan genocidin, pasojat e masakrës, sjelljet e mëvonshme shtetërore të dy vendeve e të tjera.
Nisma e dytë
Përpos kërkesës për ngritjen e një komisioni hetimor për Çështjen Çame, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka paralajmëruar edhe një nismë tjetër, e cila gjithashtu pritet të nervozojë Athinën.
“Është regjistrimi i të zhdukurve, të vrarëve dhe atyre që humbën jetën gjatë gjenocidit grek mbi popullsinë çame. Organizata botërore për të zhdukurit do ketë gjithë të dhënat e të afërmve tanë, e të afërmve tuaj që humbën jetën dhe bashkë me të dhe varret. Ky është detyrimi ynë moral dhe këtë nuk e shesim e nuk e blejmë për asnjë qëllim apo vota”, ka deklaruar Idrizi.
Çështja Çame në Gjenevë
Deputetja e PDIU-së, Mesila Doda, e ftuar në një seancë speciale në Unionin Ndërparlamentar që mblidhet në Gjenevë të Zvicrës, foli për Çështjen Çame. Para deputetëve nga e gjithë bota, ajo ka rrëfyer historinë e Çamërisë, duke e treguar si histori të familjes së saj.
“Është një rast i jashtëzakonshëm për mua të jem sot e pranishme në këtë seancë, në të cilën flitet për thelbin e qytetërimit tonë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe pasojat katastrofike që sjell pashmangshmërisht mosrespektimi i tyre. Historia e njerëzimit njeh shembuj të panumërta të cënimit të tyre, shembuj të afërt e të largët, por unë dua të sjell sot para jush një histori personale, që vjen nga një tragjedi genocidi e përjetuar nga rreth 30.000 shqiptarëve të Çamërisë, krahinës që sot përfshihet në Greqinë e Veriut. Këta njerëz jetuan, u torturuan dhe në fund u deportuan duke humbur çdo të drejtë njerëzore përfshirë edhe jetën në spastrimin etnik që bandat pronaziste të kohës bënë me to.
Kjo është historia jonë, kjo është historia edhe e familjes së tim shoqi, të tim biri dhe paraardhësve të tyre. Djali im nuk ka mëri. E ka falur shtetin grek për masakrën historike. Por sot, shteti grek vijon të jetë në anën e gabuar të hisorisë, duke arsyetuar vrasjet mostruoze pa kërkuar ndjesë dhe duke mos pranuar të lejojë rikthimin e këtyre njerëzve në shtëpitë e tyre dhe rikthimmin e të drejtave të tyre. Thënë ndryshe shteti grek vijon të barazojë veten me regjimet hitleriane dhe staliniste dhe jo me Gjermaninë demokratike dhe Ukrainën demokratike, Kroacinë europiane, shtete këto që i kanë zgjidhur çështje të tilla të ngjashme me histori minoritetesh genocidiale.
Prandaj, unë sot e shtroj këtë çështje në këtë Asamble, sepse askush më mirë se parlamentarët nuk mundet të kuptojë dramën e pazbardhur dhe zërin e heshtur të të drejtave njerëzore.”
Fleckenstein: Çështja Çame të shkojë drejt zgjidhjes me bisedime
Pak ditë më parë, një tjetër zyrtar i lartë i Brukselit, foli për zgjidhjen e Çështjes Çame. Ishte eurodeputeti Knut Fleckenstein i cili shprehu të nëjjtin qëndrim me komisionerin Johannes Hahn, për zgjidhjen e Çështjes Çame.
“Çështjet historike duhet të diskutohen mes dy vendeve për të shkuar drejt zgjidhjes. Jam shumë dakord me atë çfarë tha Komisioneri Johannes Hahn, që Çështja Çame i përket dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë si pjesë e bisedimeve mes dy qeverive të tyre”, tha eurodeputeti, Knut Fleckenstein, në intervistë për 27.al. Ai sqaron se do të ishte shumë e gabuar në që këto probleme të ndikonin në ndaljen e negociatave, ende pa nisur ato.
Në intervistën e dhënë për 27.al, Fleckenstein foli për kohën, kur Shqipëria do mbërrijë në momentin përfundimtar, atë të hapjes së negociatave me BE-në. Si do të sillen vendet anëtare me rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe gjithë problematikën e këtij momenti. Knut Fleckenstein, ka dhënë opinionin e tij për atë çfarë po ndodh në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, për deklaratat mes palëve për Himarën dhe për Çështjen Çame.
Eduard Kukan ishte një tjetër zyrtar i Brukselit që mbështeti zgjidhjen e Çështjes Çame.
“Vlerësoj hapjen e qeverisë shqiptare për t’u marrë me këto çështje të ndjeshme dhe shpresoj që si Shqipëria dhe Greqia të tregojnë vullnetin e mirë dhe frymën europiane, në mënyrë që të dalin me një zgjidhje. Greqia nuk mund të ndalë integrimin e Shqipërisë në BE.” Ai rekomandon që dyja palët, qeveria shqiptare dhe ajo greke të ulen në bisedime për zgjidhjen e këtyre problemeve, sado të ndjeshme të jenë ato.
Viti që po lëmë pas, ka qënë i suksesshëm për Çamërinë. Pritet që viti i ardhshëm të ketë të tjera zhvillime intensive, pasi qeveria shqiptare ka në tryezë për të diskutuar me grekët, zgjidhjen e Çështjes Çame. Padyshim se viti që vjen do të avancojë me zhvillime në bisedimet mes dy vendeve për të mbërritur në të tjera nivele të avancimit të çështjes deri në zgjidhjen e saj.