Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Ç’është Atdheu? Ne jemi; një tufë delesh e gomerësh, batakçinjsh e të …

Nga admin 0

Atdheu pa tabu (Një poemë politikisht jo korrekte)

Nga Artan Gjyzel Hasani

Sa herë kujtoj Atdheun

më vinë ndërmënd varrmihësit;

 

Në varrimin e tim eti dikush solemnisht përmëndi ATDHEUN

e unë qesha hidhurazi…, teksa dëgjoja duartrokitësit

ndjeva keqardhje për ATDHEUN me një copë më pak…

për herë të parë babai po merrte me vete një copë ATDHE…

servirur bujarisht mbi një lopatë…

 

Po ç’është vallë ATDHEU?

Një copë dhe

e hija jonë mbi të….

aty ku çdo çast jeton dhe vdes nderi,

vesi, dashuria, urrejtja, lulja, thika, epshi dhe mëria,

mirënjohja, mosmirënjohja, besa, gënjeshtra, miqësia, armiqësia…

 

Flasim për Atdheun, luftojmë, qajmë, mburremi, vritemi per të

kujdes Atdheun…amanet Atdheun…dhe harrojme Vetveten,

atdheun tonë më të parë, harrojmë të flasim për të, të luftojmë për të,

të qajmë për të, të vritemi për të, të mburremi për të, të turpërohemi për të,

i vetmi atdhe i yni që sa pak i ngjan atij tjetrit,

ATDHEUT me gërma kapitale,

atij që askush nuk mund t’ia shtojë apo t’ia heqë madhështinë…

 

Përse t’ia shtojnë? Përse t’ia heqin? Përse u dashka bërë patjetër diçka për të?

Fundja, ç’bën ATDHEU kur ne lindim, jetojmë, vdesim, kur sjellim fëmijë në jetë …

në gëzimin tonë, në fatkeqësinë tonë, në brengën tone… çfarë bën ai?

I ka parë kush lotët e Tij?

A nuk jetojmë në të njëjtin Atdhe bashkë me miliona batakçinj,vrasës,hajdutë?

A nuk themi fjalët më poshtëruese, gënjeshtrat më të mëdha në gjuhën e Tij?

A nuk bëhen të mirat dhe të këqijat, nderimet dhe turpërimet në emrin e tij?

A nuk e valvisin çdo ditë flamurin e Tij edhe duar të ndyra predikuesish të paskrupullt

që flasin në emër të Tij?

 

ATDHEU na përket ne,

por ne jemi unë, ti, lypësi, mësuesi, prifti, kurva,

gjykatësit, vrasësit, bankierët, kopilat, murgeshat, heronjtë, pijanecët, hajdutët,

virgjëreshat,ushtarët, policët dhe poetët… nxënësit që buçasin korridorët

dhe të gjithë njëzëri bërtasim: ATDHEU !

 

Cili vrasës s’e ka kënduar Himnin Kombëtar?

Më bukur nga të gjithë e këndojnë diktatorët.

 

Po kush do të më tregojë pra ç’është Atdheu?

Kuptimin kësaj fjale kush ia gjen? Dheu i atit?

I gjyshit apo i stërgjyshit?

E ç’di Atdheu për ta, për timin a tëndin fjala vjen?

 

ATDHEU është egoist si një fëmijë i përkëdhelur…

Dhuroji Atij jetën tënde, përkujdesjen, dashurinë,

pasurinë, besën tënde, burrërinë, nëse vërtet je burrë

e ATDHEU s’do të të harrojë…

Falja batakçiut më të ndyrë të gjitha këto, edhe jetën tënde

e natyrisht edhe ai s’do të të harrojë kurrë…

 

ATDHE, të nëpërkëmbën! Të poshtëruan!

Të zbardhëm faqen! Të lartësuam! Në përjetësi ndriçon!

Gjepura…pallavra…fjalë boshe…

ATDHEU bën pa virtutin e tij po aq sa edhe me vesin tonë…

 

Kur vdiqët, ju vranë, ju përdhunuan, kur nënat qanin mbi varret tuaja

a vdiq ATDHEU?

ATDHEU është i pavdekshëm si çdo gjë pa jetë.

 

Ata që lindin, lindin në Atdhe.

Ata që vranë, vranë në Atdhe.

Ata që u vranë, u vranë në Atdhe.

Teli me gjëmba rrethoi në Atdhe.

Lulet që çelin, çelin në Atdhe.

Edhe ato që vyshken, në Atdhe vyshken…

 

Në Atdhe luhet tragjedia e njerëzit derdhin të hidhurit lotë.

Në Atdhe luhet komedia e njerëzit qeshin të lumtur…

Në Atdhe luhet edhe drama e njerëzit as qeshin… as qajnë dot…

 

A iu kujtua ndonjërit Atdheu, ndërsa bënte dashuri,

martohej a divorcohej, pronësohej a shpronësohej,

varfërohej a pasurohej, vritej a vriste, lindëte a vdiste?

 

E kujtoj ATDHEUN, kur në çaste delirante e pandeh veten hero.

Më pas, si pas çdo deliri, qesh si i marrë, qaj si i çmëndur.

 

ATDHEU!

Brodha nëpër botë dhe kudo njerëzit ngritën supet, kur dëgjuan emrin e Tij…

Brodha nëpër Atdheun tim e kudo njerëzit ngritën supet, kur dëgjuan emrin tim…

Brodha kudo nëpër VETVETEN time…

vrava e më vranë, dashurova e më dashuruan, mallkova e më mallkuan,

përkëdhela e më përkëdhelën, tradhëtova e më tradhëtuan, fala e më falen…

e përsëri…përsëri…urreva e më urryen, gënjeva… më zhgënjyen,

por më njohën… e më thanë “JE TI!”…

 

ATDHEU!

Kujt duhet t’i krenohemi me emrin e Tij për sa kohë nuk e dimë

pse duhet D-O-M-O-S-D-O-SH-M-Ë-R-ISH-T të jemi krenarë?

Si mund të kenë Atdhe ata që kanë humbur Vetveten?

Njeriu pa Vetvete s’është veçse lypsar…

 

ATDHEU!

Ne dimë të vrasim. Të na vrasin. Të vetvritemi.

Dimë edhe të varrosim të vrarët. Dhe vetveten.

Çdo çast i dhurojmë gropa të reja, solemnisht i quajmë varre

që më pas të krenohemi me to. Ne s’dimë të dhurojmë jetë.

Vdekje po.

A thua jemi lindur të pajetë për t’u mburrur gjithmonë

me të rënët, me të vrarët, me të vdekurit?

 

ATDHEU u lodh nga vdekjet tona…u neverit… u ngrit

e u largua nga ceremonia jonë e përjetshme mortore…

Teksa kazma grryen prej trupit të Tij gjakun e ujshëm…

teksa duart shkulin lule nga trupi i Tij,

oh sa lehtë rikuperohet Ai, rigjenerohet…plehërohet…

nga skeletët tanë të bujshëm…

E mohuam veten me gjithë ç’kishim

e pastaj ia falëm ATDHEUT atë çka mbeti prej saj.

Më pas, të tjerë vetmohues me lopata vetmohuese në duar

nxituan drejt vetmohimeve të reja si prindërit e tyre…

vetmohuar…

 

ATDHEU ka origjinalin e tij të papërsëritshëm, të paprekshëm

dhe miliona kopje të keqpërdorura si fotografi porno në xhepin e ushtarit

plot spermë dhe thërrime që i mburret rekrutit:

“E sheh këtë? E njeh? Eshtë dashnorja ime!”

 

ATDHEU!

Në radiografinë e Tij duken veç skeletët tanë me një gjurmë të zezë në gjoks

aty ku mund të ishte zemra jonë e vetmohuar

ose vendi, ku ne vetvritemi aq natyrshëm nga thika vrastare e kohës së humbur

në kërkim të madhështisë së varreve-ideali ynë i përjetshëm-…

kurrorëzimi i mundit…

kolera jonë e pashërueshme…

Varret tona – argumenti ynë i vetëm në Gjyqin e Fundit.

 

ATDHEU nuk ka vese…,

por ne luftojmë që ATDHEU të jetë krenar, mburracak, mospërfillës, egoist, i fuqishëm,

kokëfortë, i pari në çdo gjë, më i miri, më i bukuri, më i mënçuri,

më i përsosuri i gjithësisë…(“A ekzistoka përsosmëria?”

do të pyesë një nxënës mësuesen e biologjisë…).

Vishjani këto tipare një njeriu dhe do të shihni sa i ftohtë do t’ju duket,

se si ftohtësia e tij buzëqeshjen do t’ju ngrijë…

 

ATDHEU është vërtet i dashur vetëm në Mitologjinë e Mërgimit…

një yll që sa më larg i qëndron, aq më i bukur duket

e kur pranë tij je për një çast

të tjerë yje lakmon…

 

por ka shpresë…ka…kur dikur do mësosh

të njohësh e të gjesh Vetveten e Vetmohuar

ta pranosh e pa kushte ta duash paskëtaj

çdo sekondë të jetës tënde për aq kohë sa do rrosh…

e bashkë me të pleqërinë…rininë…kujtimet e bukura…fëmijërinë…

çfarë sot ke e nesër do kesh e çfarë pas vetes pakthim le…

veç atëhere mund ta kuptosh magjinë

që një copë të zakonshme dheu

e shndrron përjetësisht në ATDHE…

 

ATDHEU shkatërrohet çdo ditë brenda meje

si mal i mallkuar me mall mëkuar

shkërmoqet pa zhurmë …ma vret përmallimin…

emrin s’ja përmënd, kur flas me veten

gjumin s’ma prish e çuditërisht nuk çmëndem

tashmë ATDHEU s’banon askund

përveçse në pallavrat e politikanëve

 

ATDHEU ka vdekur,

jo rastësisht fjalimet më të bukura mbahen në varrezë…

Atdheu s’është më toka ku shkel…as fushat, malet, pyjet

Atdheu është mendim në tru …sëmbim në zemër…,

po truri është i tepërt në këto kohë gjaksore

dhe zemra s’është veçse një organ që pa gjakun vdes…

 

ATDHEU…po cili ATDHE?

 

Shshshshhhh…lexomëni pa zhurmë…dhe mos u grindni

ATDHEU po pi cicë tani në thithat prej silikoni të Kurvës Plakë,

pasi është shurrosur në brekët e veta të grisura

ja…tani ajo do i vërë bebelinot…

do e lajë në vaskë se është bërë pis

dhe do na e japë ne ta vëmë në gjumë me këngë trimërie…

 

ATDHEU vazhdimisht është në klasën e parë fillore

tashmë në shkollën e Sorosit

vishet me xhinse dhe nuk është më proletar

qëkur marksizmi e la një çikë me barrë

si gjithnjë shkruan me dorën e majtë

por kjo s’i prish punë askujt

rëndësi ka të kuptojë leksionin e radhës

“Dikur vërtet ka pasur qindra kombe e popuj mbi dhe,

por sot në të vërtetë kanë mbetur veç tre:

arabë,

joarabë

dhe çifutë”

 

ATDHEU duhet çuar në SPA…

një ATDHE leshator është i papranueshem

duhet depiluar para se të q.i.h.e.t

do e bëjmë gay, meqë në këtë botë diplomatike

pink, të mirësjellshme, delikate, platonike

përdoren të gjitha mjetet e civilizuara

siç pastrohen armët në luftë

në paqe duhet larë edhe bytha se s’si dihet…

do e bëjmë edhe kurvë që të jetë me fat

s’do lëmë gjë pa i bërë ATDHEUT,

sidomos kur e quajmë MËMËdhe…

 

Hej, njerëz, ATDHEUT i ka ardhur një letër nga jashtë…

një letër e “jashtme”… e shndritshme…

nuk qënka letër, por ftesë për takim me prindër

ATDHEUT i paskan thyer notë në sjellje

ata që e copëtuan, e ngjitën dhe e shqitën

sa herë që e panë të arësyeshme…

 

ATDHEUN e çojnë për riedukim në Bruksel

të mësojë në perfeksion artin e shitblerjes të vetevetes

ATDHEUN e marrin ushtar…e armatosin gjer në dhëmbë

i vënë dhe maskën antigaz dhe e çojnë të vrasë

ose siç ndryshe i thonë të ruajë paqen në botë

dhe të edukojë popujt e pacivilizuar andej matanë…

 

ATDHEU është laboratori ku ata bëjnë eksperimentet

në një epruvetë futën injorancën tonë dhe djallëzinë e tyre

i përzien bashkë ideologjitë vrastare dhe filozofitë mashtruese

lugën e florinjtë me çeqet e bardhë, pak bar dhe marihuanë

Doruntinat e Rozafat, Argjirotë, Mujët, Halilët dhe Kreshnikët,

Skëndërbetë dhe Terezat, me varfanjakët anonimë që zhgrryhen te tezgat

Njeriun e Ri dhe enverët e vegjël me lypsarin me Iphone

barngrënësit me postkomunistët, lum si ne bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë

e që receta të ishte e plotë

edhe pak teatër kukullash të majta e të djathta

dhe pastaj na urdhëruan të gëzohemi

për ngjyrën e bukur të qelqit të ylbertë

dhe haj berihaj…

hosanna…hosanna…

dinin vërtet diçka më shumë  ata që thanë

“sh.k.ë.r.dh.e.j.u  nënën të të thonë baba”…

 

Ne jemi

një tufë delesh e gomerësh,

batakçinjsh e të pandershmish

Injorantësh e të pacipësh,

egoistësh e intrigantësh,

hipokritësh e të pabesësh,

vrasësish e halabakësh, të korruptuarish e hajdutësh

teveqelësh që për hunde na tërheqin

ankimtarësh patetikë legjendaromitikë

pordhacë e frikacakë njëkohësisht,

përderisa prodhojmë pambarimisht

plehrat që historikisht na udhëheqin…

 

kjo tufë jemi akoma unë dhe ti

trushplarë nga e njëjta vorbull

jemi militantë skizofrenë partish…

numra rendorë në listat zgjedhore…

ne jemi elektorat …

tufë që prodhon idhuj të rremë

ATDHEU është bërë si ne…

ATDHEU s’ka atdhe

e për fat të keq nuk ka as popull…

 

ATDHEU me gërma kapitale është mashtrim

i barinjve që tufën tonë në shekuj udhëheqin,

por unë uroj që një ditë festa të mbarojë

fanfarat marramendëse të pushojnë

të bjerë heshtja

dhe të kuptojmë bashkarisht

pa bujë,

pa zhurmën që madhështia e rreme pas le

atDHEU apo ATdheu.… kjo është çështja…

do na dhëmbë…

do na sëmbojë ndoshta zemra,

por sa për fillim le ta shkruajmë me gërma të vogla…

ashtu… me shkrimin tonë të keq:

atdhe

 

-fund-

 

(Shtator, 1996… Korrik 2012)

© Artan Gjyzel Hasani

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej