Nga Desada Metaj
Jo më larg se një javë më parë, kryetari i opozitës deklaroi nga Roma ku ndodhej për një vizitë se do të denonconte të nesërmen përfshirjen e ministrit Tahiri në afera dhe krimin e organizuar.
Aq serioz dukej Basha në deklaratën e tij, sa rikthimi në Tiranë e zhvendosi vëmendjen e medias nga reforma në drejtësi tek denoncimi i pritshëm.
Pikërisht në ditët, kur Donald Lu dhe Vllahutin mbërritën në PD, një pjesë e publikut priste denoncimin e paralajmëruar të kryetarit demokrat.
Por kjo nuk ndodhi. As të nesërmen në mbrëmje, në emisionin “Opinion”, kur deputeti Strazimiri sërish i mëshoi faktit se opozita ka në dorë dokumenta të rëndësishme që implikojnë Saimir Tahirin, por që nuk mund të ishin ekskluzivisht të publikuara në një emision televiziv.
Edhe pas këmbënguljes së stafit që vuri në dispozicion logjistikën për të denoncuar pretendimin e opozitës. Dokumentat sipas Starzimirit do të publikoheshin të nesërmen. Por, e nesërmja nuk zbardhi asgjë.
Madje, edhe sot që ka kaluar thuajse një javë, PD thjesht ka ripërsëritur të njëjtat akuza duke u përqëndruar më së shumti tek aparatura e përgjimit. Një çështje, meritat për të cilën sigurisht i mbeten Sali Berishës si njeriu i parë që foli haptas në publik.
A ka vërtet PD materiale kompromentuese për ministrin e brendshëm?
Mos ndoshta Lulzim Basha i referohej aparaturës së përgjimit kur deklaronte se “do të denonconte përgjime telefonike që implikonin direkt ministrin e Brendshëm në trafikun e drogës”?
Çfarë e shtyn Lulzim Bashën të “harrojë” këto fakte në një kohë, kur debati më i nxehtë po zhvillohet pikërisht rreth Saimir Tahirit dhe kompetencave të tij.
Ndoshta ngjarja e kryetarit të Bashkisë së Peshkopisë apo thrilleri i përgjimeve e kanë shpërqendruar paksa kreun e opozitës në qëllimet e tij denoncuese.
Ose, ndoshta, ka ndodhur ajo që rëndom dëgjohet në foltoret e politikës: Flit dhe shpif se diçka gjithsesi do të mbetet. Në këtë rast ai që mbeti ishte paralajmërimi.
/opinion.al/