Ditën e sotme banorët e prekur nga tërmeti në Durrës, janë ngritur në protestë, pasi nuk kanë ku strehohen, pasi nuk kanë marrë bonus qiraje.
Ata shprehen se Bashkia e Durrësit nuk u ka dhënë bonusin e qerasë edhe pse pallati ku jetonin u shemb më 8 dhjetor me tritol pasi kishte pësuar dëme nga tërmeti. Banorët shprehen se janë në qiell të hapur dhe nuk kanë as para të paguajnë qeratë e shtëpive të tyre.
“24 familje të jemi kemi dorëzuar dokumentet. Pallati na është shembur. Shteti po na vret për herë të dytë. Nuk po marrim bonusin e qerasë. Paguaj edhe kredinë paguaj edhe qeranë vetë. Kërkojmë bonus qiraje.”, u shpreh një nga banorët.
Ndërsa një tjetër theksoi se nuk ka as ku të flejë dhe s’ka as para të paguajë qeranë e shtëpisë. “Nuk ka ardhur asnjë nga bashkia të na shohë se ku po hamë, ku po flemë. Bashkia na tha që pallati është i banueshëm. Por pallati është shembur nga tërmeti. Kemi mbetur pa shtëpi, Ne sot kemi hall. Ne nuk jemi fare në listën e bonusit, pallati na është shembur nga INUK. “, u shpreh ai.