Familja Haxhiu është një nga familjet e vjetra lushnjare. Sigurisht që sapo dëgjon këtë mbiemër të vjen së pari në mendje emri i një prej pinjollëve të saj, Bajram Haxhiu. Në fakt ai njihet më shumë me emrin Xha Bami, ndërkohë që është figura e parë e shquar e familjes së vjetër të qytetit të Lushnjes deri sa vimë tek djali i tij atdhetari i shquar Qerim Haxhiu, i cili ishte një nga figurat më emblematike të kolonisë shqiptare të Egjiptit.
Kush ishte Bajram Haxhiu?
Bajram Haxhiu lindi më 3 maj 1887 në Lushnjë dhe u nda nga jeta më 11 gusht 1972, patriot luftëtar, partizan e pjesëmarrës i Kongresit të Lushnjës. Bajrami vazhdoi shkollën e mesme turqisht, ndërsa shkrim e këndim shqip ka mësuar vet, si shumë njerëz të tjerë të këtij fisi. Bajrami mori pjesë gjerësisht në demonstratën e majit 1906 në qytetin e Lushnjes. Për këto veprimtari ai u dënua dhe u dëbua nga qeveria osmane. Edhe pasi doli nga burgu, ai vazhdoi të jetë aktiv në lëvizjen kundër osmanëve. Bashkëpunoi me çetat kryengritëse të Myzeqesë për organizimin e kryengritjes së përgjithshme të Shqipërisë. Përkrahu qeverinë e Ismail Qemalit duke luftuar kundër serbëve dhe kuislingëve të Esat Pashë Toptanit. Kur u pushtua qyteti i Lushnjës nga ushtritë ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore, u ngrit kundër tyre dhe synimeve shoviniste. Pasi e kapën, e internuan në Shkodër bashkë me pjesëmarrës të tjerë të lëvizjes. pas Luftës së Madhe, u kthye në vendlidnje, ku nuk e ndali veprimtarinë e tij patriotike kundër vendimeve të Konferencës së Parisit për copëtimin e Shqipërisë. Pavarësia e Shqipërisë qe tronditur shumë nga shtetet ndërluftuese si dhe qëndrimi i vendeve fqinje. Problemi i sigurisë kombëtare shqetësoi gjithë njerëzit atdhedashës të kërkonin thirrjen e një kongresi kombëtar për të mbrojtur atdheun. Mbledhjen e kongresit e morën përsipër njerëz të qytetit të Lushnjës duke filluar nga organizimi, garantimi i punimeve të qeta të mbledhjes, si dhe organizimi i forcave vullnetare të mbrojtjes deri në përfundimin e plotë me sukses të tij. Një nga anëtaret e komisionit nismëtar të thirrjes së Kongresit të Lushnjës ishte Bajram Haxhiu. Ai luajti një rol shumë të rëndësishëm në letërkëmbimin mes Aqif Pashë Elbasanit dhe personaliteteve të tjera. Ai u vu në shërbim të qeverisë që nxorri kongresi dhe e përkrahu atë gjatë gjithë kohës që i qëndroi besnike vendimeve të Kongresit të Lushnjës. Duke e pasur të kultivuar tashmë ndjenjën patriotike, ai mori pjesë në Luftën e Vlorës dhe në LANÇ 1939-1944. Gjithashtu, i gjithë fisi i haxhillarëve e përkrahu luftën kundër pushtuesve pa rezerva. Bajram Haxhiu është edhe i ati i legjendës së sportit shqiptar Abdurrahman Roza Haxhiu dhe atdhetarit të shquar për çështjen kombëtare shqiptare Qerim Haxhiu.
Kujtime të Bajram Haxhiu-t për Kongresin e Lushnjes
Në kohën kur bëheshin përpjekjet për Kongresin e Lushnjes, unë kam qenë anëtar i Komisionit Iniciator për thirrjen e tij. Këtu, në qytetin tonë, kishte një lëvizje të gjerë patriotike. Para se të mblidhej Kongresi, ne hoqëm një flamur italian dhe e dogjëm. Aty pranë nesh u gjend një turmë e madhe njërëzish, kështu që italianët nuk guxuan të merrnin ndonjë veprim. Siç më kujtohet, njeriu që kujdesej më shumë për thirrjen e Kongresit ishte Eshref Frashëri. Unë e njihja edhe më parë, se kishte qenë këtu si inxhinier. Mbasi u vendos të mbidhej Kongresi, na duhej të caktonim edhe godinën ku do të mbahej mbledhja. Për këtë iu drejtuam Kaso Fugës, por ai kishte hall, se mos binte në bela dhe nuk donte. Atëherë u vendos që të thirrej Kongresi, duke menduar se edhe në një kasolle do të mund të mbahej. Aqif Pasha kishte sugjeruar që ky kongres të mbahej në Elbasan, por qe bërë pengesë Shefqet bej Vërlaci, i cili në atë kohë hante e pinte me italianët. Unë isha ngarkuar me detyrën e shpërndarjes se postës në qytetet Elbasan, Peqin, Kavajë dhe Durrës. Taulla Sinani kishte Tiranën dhe anën e Dibrës e të Shkodrës. Nuk më kujtohet kush shkoi në krahinat e jugut, veç mbaj mend që ndarja u bë, duke mbajtur parasysh faktin, që të shkonim atje ku kishim të njohur. Në Elbasan mbaja lidhje me Selim Junikun, në Peqin mbaja lidhje me Adem Gjinishin, në Kavajë me Idriz Dizdarin, ndërsa në Durrës me Rexhep Shalën. Rrugët deri në destinacion i bëja me kuaj. Rruga kishte plotë rreziqe, por ne ishim të rinj në atë kohë dhe i kapërcenim. Pastaj nuk donim t’ia dinim shumë se bënim një punë atdhetare. Në kohën kur zhvillonte punimet Kongresi kishin ardhur njerëz nga vënde të ndryshme të Shqipërisë. Në Kongres kishte edhe mjaft lushnjarë. Unë nuk i kujtoj dot të gjithë, por mbaj mend që kishin ardhur disa përfaqësues edhe nga fshatrat. Gjatë kohës që zhvillonte punimet Kongresi ndihej se Lushnja ishte në festë. Kudo shikoje flamurë kombëtarë. Madje, flamurët e vegjël u vareshin në gjoks njerëzve edhe nga fëmijët e shkollës, aty ku ishim ulur në bankat e shkollës. Edhe salla e mbledhjes ishte zbukuruar shumë mirë. E para, ishte fytyra e Skëndërbeut dhe pastaj e Ismail Qemalit. Në mur qe vendosur një flamur kombëtar. Në Kongres kishte rregull. Nuk të pranonin po të mos kishe mandatin që të ishte dhënë apo të mos kishe një letër të lëshuar nga Komisioni Organizator i atij Kongresi. Ne kishim marrë detyrën për sigurimin e Kongresit. Kishin ardhur njerëz të armatosur. Disa prej tyre i kishin sjellë vetë delegatët për t’i ruajtur gjatë rrugës, por pati edhe nga ata që i thirrëm ne. Më shumë forca kishin ardhur nga Darsia e Dumreja. Në të njëjtën kohë, kishte shumë edhe nga zona e fushës, por unë nuk jam marrë me forcat. Si përgjegjës për këtë punë ishte caktuar Llazar Bozo nga Kolonja. Mbaj mend që ishte këtu Jonuz Dervishi, Selim e Rami Rredhi nga Karavastaja, Musa Zagarja nga fshati Kocaj i Fier-Sheganit e të tjerë. Nga Skrapari kishte ardhur Riza Cerova dhe një djalë tjetër që ishte sakat. Tërë kodrat rreth qytetit ishin të mbushura me roje. Disa prej tyre vinin edhe në qytet. Italianët i shikonin, por nuk i ndalonin. Më kujtohet se, kur u mor vesh që Myfti Libohova pat’ ardhur me ushtri kundër Kongresit, njerëzit ishin tepër të gatshëm për t’iu kundërvënë. Disa u nisën kundër forcave të tij, por ai nuk e zgjati shumë. Ia mbathi në drejtim të Vlorës. Qeveria që u zgjodh nga Kongresi qëndroi pak ditë në Lushnje, pastaj u përcoll për në Tiranë, që qe caktuar kryeqytet i Shqipërisë. Me të zgjedhurit në Kongres, drejt kryeqytetit shkuan edhe mjaft myzeqarë. Sidoqoftë, më të shumtë dhe më të rëndësishmet qenë forcat e organizuara në Peqin, drejtuar nga adhetari Adem Gjinishi. (Marrë nga libri “Kujtime e këngë për Luftën Antifashiste Nacionalclirimtare të viteve 1918-1920”, botim i vitit 1970)
Kush ishte Qerim Haxhiu?
Qerim Haxhiu,u lind në Lushnje më 1920. Duke parë gjendjen e mjerueshme të vendit në moshën 18 vjeçare si të gjithë të rinjtë e Shqipërisë, pra në vitin 1938 Qerimi largohet nga Lushnja për në Egjypt. Pasi kreu shkollën e mesme, vazhdoi studimet e larta në universitetin “Al-Az-har” në Kajro. Më pas Qerimi jepte leksione në Universitetin e Kajros. Pushtimi i Shqipërisë, ashtu si të gjithë shqipëtarët e mërguar e preku shumë. Vetë Qerimi i shkroi një peticion fuqive të mëdha, ku shprehu shqetësimin e të gjithë bashkëkombësve të Egjyptit. Në kohën e luftës së dytë botërore, streha për gjithë shqiptarët u bë teqeja e baba Serri Glinës. Vetë baba Serriu ishte një patriot i flaktë. Në teqenë e tij vinte edhe vetë Mbreti i Egjyptit, Faruk me origjinë shqiptare. Baba Serriu pati skalitur shqiponjën dy krerëshe në një shtyllë të teqesë. Qerim Haxhiu, i kish qëndisur një vjershë atëherë në vitin 1941, kësaj strehe të shqiptarëve.
Një fragment nga vjersha:
Në rrëzë të një shkëmbi gati të copëtuar,
Ngrihet një teqe me pemë hijëshuar,
Në krahë të mëngjër aty duke hyrë,
Në një shtyllë flamuri skalitur e ngjyrë,
Kur nderi i shqiptarit ka qënë në rrezik,
Është hedhur në luftë me pushkë e me thikë,
Zemra të bëhet mal, kur vete në teqe,
Gjuha e bukur shqipe tingëllon atje,
Me një fjalë teqeja këtu në mërgim,
Na pasqyron atdheun pa asnjë dyshim.
Qerimi u mësonte të rinjve gjuhën shqipe. Në atë kohë shkolla financohej nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë dhe librat vinin që andej. Qerimi ishte një organizator i shqiptarëve të Egjyptit. Qerimi ka bërë disa takime dhe në grup me Mbretin Faruk, i cili kërkonte djem të fuqishëm shqiptarë për gardën e tij. Gjithashtu, ka takuar edhe personalitete Ernest Koliqi, Leka Zogu, Nexhmendin Qeraliu e të tjerë.
Universiteti Al-Az-harit në Kajro, kish admirimin e djemve shqiptarë si Qerim Haxhiu nga Lushnja, Musa Daut Shehu nga Dukati, Vehbi Ismaili nga Gjilani, Mehmet Varoshi dhe Rexhep Jaupi nga Mati, Fadil Buzuku e Shaqir Oruçi nga Shkodra, Hysni Hoxha nga Gjakova e Tefik Islami. Të gjithë patriotët e Shqipërisë mblidheshin në bibliotekën private të Qerim Haxhiut. Por, aty nuk mungon as Thanas Tashko, Jani Vruho. Nuk mungoi Noli, Loni Llogoni, Milo Duci, një nga aktivistët e Rilindjes Andon Zako Çajupi e të tjerë.
Qerim Haxhiu, pasuesi më i denjë i rilindasve shqiptarë kujton Stelio Kostandini, Petro Tole, Avdul Sulen, ish-përfaqësues i legatës shqiptare në Egjypt. Gjeneratat e këtyre kujtojnë gazetat e organizatat e Egjyptit, siç ishin në shqip “Besa-Besë”, “Toska”, “Shqipëria”, “Pellazgu”, “Sopata”, “Shkreptima”, redaktor i së cilës ishte Aleksandër Xhuvani dhe në fund gazeta “Bisedimet”, (1925-1926) që e drejtoi Milo Duci. Nuk mungon Thimi Mitko, pas tij Jani Vreto ku themeluan klubin “Vllaznia” shqiptare. Shtyrje të frymës së rilindjes kombëtare e vazhduan shoqata si “Vllaznia”, “Bashkimi”, “Tomorri”, “Bashkësia Shqiptare” e të tjerë. Qerim Haxhiu nuk i harron nxënësit e tij shqiptarë si djemtë e Thoma Krejit (bashkëpuntorë i Thimi Mitkos) të Stelio Kostandinit.
Ai përmend pinjollët e dyerve të mëdha si Aqif Qazimi nga Elbasani një nga shqiptarët më aktivë në jetën ekonomike tregtare të Kairos. Evangjeli Avramushi nga Korca, i cili themeloi studion e filmit “Arharn”, arkitekti Qemal Butko nga fshati Butkë i Shqipërisë, Mexhit Selmani gjykatës, Dilaver Osmani mjek, Aziz Izet Pasha ambasador i Egjiptit në Angli në kohën e Mbretit Faruk.
Abedin Pasha në vitet ‘40 ka qenë komandant xhandarmërie në Kairo. Qerim Haxhiu ishte njohur edhe me Stelio Kostandinin nga Pogradeci. Si një nga rilindasit e fundit Qerimi përmend edhe Avdyl Hazizin ushtarak i lartë, Lejla Fejzi artiste, Nadia Lutfi artiste, Ahmet Hemsheri poet, Ahmet Rama shkrimtar, Ahmet Mazari që aktualisht konsiderohet ylli i kinematografisë egjyptiane. Qerim Haxhiu përveç miqësisë ruan një arkiv të madhe nga koha e rilindjes kombëtare, kontributin e gjithë shqiptarëve të Misirit. Në kohën e Naserit pas rënies së Mbretit Faruk, Qerim Haxhiu përgatiti një memorandum prej 20 faqesh për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi, i cili do t’i hynte në punë Naserit, kur të vizitonte Jugosllavinë. Qerimi shkruan se në Jugosllavi, Bosnje, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e gjetiu ka shumë shqiptarë që duhet të merren në konsideratë. Ky memorandum ju dorëzua ambasadës jugosllave dhe si pasojë në kohën, kur Tito vizitoi Egjyptin Qerimi u izolua disa ditë si element anti-jugosllav.
Qerimi nuk la pa përmendur se në Aleksandri gjendeshin mësuesit Dhimitër Dodosi e Kristo Dodonasi prej Çamërie që e flisnin shqipen aq bukur. Ademid Bej Frashërin piktor, Mahmud Bej Arnaudin, pilotin personal të Mbretit Faruk, Haki Harunin, Ali Islamin ish-komandant i forcave ajrore, Avdulla Feim Kapedanin e të tjerë. Qerim Haxhiu ka edhe dy fëmijë: Ilirin, farmacist, i cili punon në fabrikën e ilaçeve në Rosh të Turqisë dhe Dhuratën, doktore e shkencave të kimisë, aktualisht profesore në Universitetin Bogaziçi të Turqisë. Iliri studioi në universitetin e Kairos, ndërsa Dhurata në atë Amerikan. Përveç shqipes që e flasin bukur dhe rrjedhshëm, ata njohin edhe disa gjuhë të tjera. Të gjithë ata shqiptarë që vizitojnë Egjyptin nuk mund të ikin pa vizituar shtëpinë e xha Qerimit. Aty gjejnë një ambient krejt shqiptar. Nuk mund të rrish indiferent përpara bibliotekës së tij të pasur me literaturë të zgjedhur në shqip e anglisht. Aty është historia e popullit shqiptar. Aty është Fishta e piktura e Guri Madhit që atij i sjellin ndër mend Shqipërinë. Personalitetin e kompletuar të Qerim Haxhiut ishte mëkat ta mbyllje në grackën e tij…të mbarosh Universitetin e Al-Az-harit dhe të mos e shpërndash atë dituri në vendin e lindjes, për Qerimin ishte një brengë një pikëllim.
Ndonëse Shqipërisë i nevojiteshin kuadro të shkolluar nga diaspora si dhe Qerim Haxhiu, ajo nuk bëri asgjë që ata të afroheshin, por përkundrazi kontribuoi që Qerim Haxhiu dhe brezni të tjera të mbeteshin jashtë atdheut pa të drejta legjitime që të konsideroheshin si qytetarë sovran të vendit të tij. Qerim Haxhiu mbetet personaliteti i lartë atdhetar dhe nderi i Lushnjes larg atdheut.