Zëri i Amerikës: Zoti Murati! Ju sapo keni botuar në një libër studimin tuaj shumëvjeçar me titull “Çështja e paqenë e detit – Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”. Pse gjykoni se është një çështje e paqenë?
Amb. Shaban Murati: Falemnderit për interesimin dhe mundësinë që më ofroni për të shprehur disa mendime mbi këtë temë. Titulli i zgjedhur nga unë “Çështja e paqenë e detit” nuk është i rastit, por është rezultat i gjithë dinamikës së ndjekur lidhur me çështjen e krijuar të detit midis Shqipërisë dhe Greqisë. Unë e trajtoj gjerësisht në libër, por për shikuesit e VOA-s po them dy elemente. Së pari; çështja e detit nuk ka ekzistuar kurrë në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Nëse ajo do të kishte qenë çështje, ajo do të ishte trajtuar gjatë 80-90 viteve, qysh nga 1914, kur u vendosën për herë të parë marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve. Ajo nuk ka ekzistuar as në kohën e kulmit të konflikteve midis Shqipërisë dhe Greqisë; as në 1949 që u shkua deri në prag të konfliktit të armatosur, as në kohën e regjimit të kolonelëve dhe as pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1971 midis dy vendeve. Pra, është një çështje, që nuk ka ekzistuar.
Kjo çështje doli befas në vitin 2007, kur doli në dritë tema e përcaktimit të “hapësirave detare”, po e përdor në thonjëza, sepse nuk është i saktë si term. Nëse do të kishte ekzistuar, ajo do të ishte ngritur nga pala greke gjatë gjithë dekadave, afro 100 vjet, por befas del në 2007. Pra, nuk ka ekzistuar.
Së dyti, them “çështje e paqenë”, duke marrë parasysh aktualitetin. Marrëveshja e vitit 2009, në mënyrë të paligjshme dhe të padrejtë, u bë mbi bazën e objektit të përcaktimit të kufijve detarë. Kjo është një tezë dhe një qëndrim tërësisht e gabuar, anti-historike, anti-juridike dhe në dëm të interesave kombëtare. Kufijtë detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë janë përcaktuar nga traktate ndërkombëtare, të cilat janë të detyrueshme për të dy shtetet dhe nuk kërkojnë mendim ose opinion nga shtetet përkatëse. Pra, shkurt, çështja e kufijve detarë midis këtyre dy shteteve nuk ekziston; mbetet e paqenë historikisht dhe e paqenë edhe aktualisht.
Zëri i Amerikës: Megjithatë, kjo temë e paqenë, ose e krijuar në mënyrë artificiale, siç po shpjegoni ju, ka zënë vend kryesor në marrëdhënet mes dy vendeve. Presidenti i Republikës dha dje një autorizim të plotfuqishmërisë për ministrinë e jashtme dhe një grup ekspertësh shqiptarë për negociata me ata të Greqisë. Si e shpjegoni faktin që ky autorizim doli kaq vonë, kur të dy qeveritë po thonë se janë pothuaj në fund të marrëveshjes?
Amb. Shaban Murati: Plotfuqishmëria, siç njihej deri para 2016 kur u ndryshua ligji, ose autorizimi, siç njihet sot, duhej të jepej në fillim të bisedimeve politike, pa u filluar bisedimet politike. Nëse dy palët kanë rënë dakord të hapin bisedime për temën e detit, po e quajmë kështu, automatikisht hapi i parë duhet të ishte kërkimi i autorizimit të plotfuqishmërisë. Fatkeqësisht, ndodhi e kundërta; ka patur një ecuri, një dinamikë të bisedimeve, për të cilat është përgjegjësi e palëve respektive për të dhënë shpjegime se cilat janë motivet për të konkluduar se autorizimi kërkohet pasi bisedimet kanë filluar.
Zëri i Amerikës: Ndërkohë, janë ndërruar dy presidentë, nga zoti Nishani te zoti Meta, dhe bisedimet shqiptaro-greke vazhdojnë. Si e vlerësoni komunikimin mes autoriteteve shqiptare, qeverisë dhe presidencës?
Amb. Shaban Murati: Për fat të keq, historia e diplomacisë shqiptare tregon që ka patur një keqpërdorim të diplomacisë nga politika. Diplomacia jonë ka vuajtur nga politika. Pra, gjithmonë palët janë përplasur jo duke patur parasysh interesin shtetëror dhe kombëtar të Shqipërisë, (diplomacia nga një anë dhe institucionet politike nga ana tjetër), por këto të dytat kanë mbajtur gjithmonë parasysh interesin dhe avantazhin politik. Kështu kanë gabuar të dy llojet e qeverive, që janë këmbyer në pushtet gjatë këtyre 25 vjetëve në vendin tonë.
Zëri i Amerikës: Kryeministri grek, Cipras, pritet të vizitojë Shqipërinë afër Pashkëve. Çfarë pritni ju nga kjo vizitë dhe si mund të shkojë?
Amb. Shaban Murati: Meqë përmendët Pashkët, unë si diplomat, do të thoja që është një simbolikë jo e zgjedhur nga ana e qeverisë shqiptare, që organizon edhe bisedimet në raundin e dytë në Korçë edhe festimin e Pashkëve mes kryeministrit shqiptar dhe atij grek. Ne jemi një shtet laik dhe nuk mund të festojë kryeministri Pashkët ose Bajramin me presidentët ose kryeministrat e shteteve, që kanë një origjinë fetare të njëjtë me shenjat e shumicës ose të pakicës së popullsisë. Mendoj që nuk është e zgjedhur nga pikëpamja diplomatike, dhe sa për festimet, ata mund t’i bënin në Tiranë, nëse do t’i quajnë festime, ose nëse meritojnë të quhen festime.
Zëri i Amerikës: Qeveria shqiptare ka thënë se po diskuton me palën greke një seri temash të ndara në tre grupe; temat historike si ligji i luftës etj., tema aktuale si delimitimi i detit etj., dhe tema të bashkëjetesës së përditshme si patentat, vulat apostile etj. Si e mendoni pranëvënien e kaq shumë temave të larmishme në një paketë të vetme dhe mbi përpjekjen për t’i zgjidhur të gjitha në një çast të caktuar?
Amb. Shaban Murati: Po të bëjmë një paralelizëm me kohën e kaluar, unë nuk jam për “diplomacinë me goditje të përqëndruar”, siç quheshin në regjimin komunist “aksionet me goditje të përqëndruar”. Nuk jam as me “diplomacinë e toptan pazarit”. Nuk njeh praktika diplomatike që marrëdhëniet mes dy shteteve brenda një tavoline, ose brenda një pakete të zgjidhen aq shumë tema me një deux ex machina.
Në rastin e paketës me Greqinë, kjo metodë është një zgjedhje e gabuar; së pari sepse nuk është zgjidhje reale; nuk zgjidhen problemet e 70 vjetëve, sidomos problemet aktuale të hapura, me një, dy ose tre raunde bisedimesh.
Së dyti, dhe më e rëndësishmja, është që nuk mund të bëhen lidhje të bisedimeve strategjike si përcaktimi i shelfit kontinental, përcaktimi i zonës ekonomike, çështja çame, çështja e varrezave ushtarake apo tema e minoriteteve respektive; të gjitha këto nuk mund të lidhen as me vulat apostile as me sigurimet shoqërore. Në diplomaci ka radhë, ka kohë dhe ka mundësira zgjidhjeje. Metoda e zgjidhjes e çështjeve në paketë është më tepër e karakterit propagandistik dhe gjithmonë fiton ai që e ka propozuar, e në rastin konkret, Greqia.
Zëri i Amerikës: Ndoshta ata e kanë menduar, që duke i shtruar njëherësh të gjitha temat në një tryezë bisedimesh, zgjidhja do të jetë më e lehtë; në kuptimin, që njëra palë toleron në një pikë dhe tjetra toleron në një pikë tjetër…
Amb. Shaban Murati: Nga pikëpamja dhe përvoja ime në diplomaci, mendoj se është naivitet të bëhet një ndërvarje e tillë, që “unë po të lëshoj këtu dhe ti më lëshon atje”. Kjo është shumë naive dhe e redukton gjithçka në një sindromë pazari, e cila në fund të fundit e shndërron në çështje pazari edhe çështjen më jetike që mund të ngrihet. Për mendimin tim, nëse ndiqet ky parim, ai është i dëmshëm për shtetin që ka pozicione më të dobëta diplomatike, ose politike.
Zëri i Amerikës: Ka shumë komente se prapa përpjekjeve për të ndarë hapësirat detare qëndrojnë interesa të mëdha ekonomike dhe rezerva të mëdha naftëmbajtëse. Çfarë mund të thoni për këtë?
Amb. Shaban Murati: Ju keni prekur thelbin e problemit, ose “thembrën e Akilit”. Këtë e kam trajtuar gjerësisht në libër. Në vitin 1992, kur ka ardhur për vizitë në Shqipëri kryeministri i Greqisë, Micotaqis, nga pala shqiptare i është hedhur ideja e hapjes së bisedimeve për shelfin kontinental. Grekët nuk janë ndjerë 15 vjet për këtë, pra, grekëve nuk u interesonte. Ata nuk u ndjenë as kur kompania australiane Hamilton bënte kërkime në bllokun Joni 5 në vitet 1992-96, dhe kur nuk kishte informacion se kishte pellgje nafte dhe gazi. Nuk u ndjenë grekët të hapnin rivendikime ose pretendime.
Kur në 2006 kompania Medoil nxori informacione se në detin Jon, në hapësirën detare shqiptare, afër me atë greke, ka pellgje nafte dhe gazi, befas Greqia zgjohet dhe në janar 2007 në mënyrë zyrtare ministria e jashtme greke i kërkon palës shqiptare hapjen e bisedimeve për shelfin kontinental midis dy shteteve.
Rezervat e naftës janë themeli i ngutjes nga pala greke, kurth në të cilën ra diplomacia shqiptare në vitet 2008 – 2009. Shpresoj dhe uroj që të mos bjerë sërish në këtë kurth diplomacia shqiptare në ditët e sotme, sepse edhe sot ka një paralelizëm ngutjeje, i cili të krijon reminishenca të së kaluarës.
Zëri i Amerikës: Autoritetet greke krahasojnë shpesh kapacitetet e ndryshme ekonomike, diplomatike deri edhe ushtarake mes dy vendeve. Sa transparente, sa të mirëpërgatitura e të konsultuara me teknicienë janë këto bisedime shqiptaro-greke?
Amb. Shaban Murati: Pala greke ka ushtruar presione të mënyrë të vazhdueshme gjatë 10 vjetëve të fundit, që nga marrëveshja e parë e detit. Gjatë gjithë kësaj dekade Greqia me të gjitha qeveritë që erdhën deri sot ka bërë presion për ta zbatuar marrëveshjen e detit, pavarësisht anullimit të saj, për ta redaktuar atë dhe për t’i dhënë asaj një pjesë të hapësirës që ne do të humbnim në 2009. Kjo është një ironi që pala greke ka bërë dhe ku për fat të keq, ka rënë në këtë kurth edhe një pjesë e segmenteve të diplomacisë së sotme shqiptare. Këto presione kanë vazhduar me kartën e integrimit ose të vetos greke ndaj hapjes së bisedimeve me BE-në, si dhe me kartën e minoritetit grek në Shqipëri.
Zëri i Amerikës: Sa e barabartë është pala shqiptare, në këto bisedime, sa zbatohet reciprociteti?
Amb. Shaban Murati: Ka mungesë informacioni; së pari mbi ç’bazë janë hapur bisedimet? Janë hapur për marrëveshjen ekzistuese? A janë hapur për kufijtë detarë? A janë hapur për përcaktimin e zonave ekonomike? E pasaktë nga pikëpamja diplomatike, për mendimin tim është titulli, që gjendet në korrespondecën midis presidentit dhe ministrisë së jashtme: “Projekt-marrëveshje midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për përcaktimin e zonave detare”. Ky është një titull që mua, si ekspert i vjetër, më shkakton shqetësim, sepse nuk ka titull të përgjithshëm “hapësira detare”. Ka terminologji të saktë për kufirin detar, ka përcaktim për zonat ekonomike ekskluzive, ka përcaktim për shelfin kontinental. Nëse marrëveshja, ende në embrion apo që do të negociohet, do të hyjë në diskutimin e kufijve detarë, ky do të jetë një hap në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe një hap, i cili për mua, duhet parandaluar.
Zëri i Amerikës: Opozita shqiptare ka kërkuar apo hedhur idenë që këtë çështje ta zgjidhë një gjykatë ndërkombëtare. Ju keni shpjeguar në libër që as pala geke dhe as pala shqiptare nuk janë të interesuara për një pjesëmarrje të ndërkombëtarëve në këtë temë.
Amb. Shaban Murati: Kjo është realisht një tezë greke. Nga përvoja ime dhe puna e gjatë në diplomaci dhe në ministrinë e jashtme, ku kisha dhe kam kontakte të shumta, e di mirë që kjo është një tezë greke. E them edhe në librin tim, që kjo është një tezë e sugjeruar nga nivelet më të larta greke palës shqiptare. Këtë e kam shpjeguar në shumë faqe të librit, në një kapitull kryesor me titull “Udhëkryqi artificial diplomatik” mes Greqisë dhe Shqipërisë për çështjen e detit.
Këtë nuk mund ta zgjidhin ndërkombëtarët. Së pari; që t’i drejtohesh një Gjykate Ndërkombëtare të Detit, si ajo e Hamburgut apo Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, duhet të kesh një konflikt kufitar. Ne me Greqinë nuk kemi një konflikt kufitar. E dyta; çfarë do të çohet në arbitrazh? Marrëveshja e detit është anulluar, nuk ekziston. Pra, nuk ka objekt për në gjykatë. Tjetër; diplomacia shqiptare nuk ka asnjë përvojë në përballje me Gjykatën e Hamburgut, ku pala greke ka shumë përvojë nga ana e saj.
Më e rëndësishmja, që e them për herë të parë në librin tim, dhe që nuk është thënë asnjëherë në media: Në vitin janar 2015, qeveria greke, duke parashikuar kompleksitetin e bisedimeve, ka depozituar në OKB një dokument zyrtar të saj, në të cilin i parashtron OKB-së që qeveria greke e njeh autoritetin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe autoritetin e Gjykatës Ndërkombëtare për Detin në Hamburg, me përjashtim të rasteve që kanë të bëjnë me mbrojtjen kombëtare të Greqisë dhe me kufijtë detarë dhe tokësorë të Greqisë. Pra, Greqia a priori e ka përjashtuar çdo autoritet ndërkombëtar. Atëherë del një pyetje shumë e thjeshtë: Kujt do t’i drejtohet Shqipëria në Hagë apo në Hamburg?
Zëri i Amerikës: Sa mendoni se kanë ndikuar në këto bisedime faktorë me peshë si numri i madh i shqiptarëve në Greqi dhe dëshira e Shqipërisë për t’u integruar në BE?
Amb. Shaban Murati: Unë mendoj që të dy këto instrumente, si karta e emigrantëve ashtu edhe ajo e vetos greke në BE, janë të ekzagjeruara. Ata i përdorin duke patur parasysh kompleksin e inferioritetit, që ka karakterizuar diplomacinë shqiptare në gjithë periudhën post-komuniste. Tema e emigrantëve duhet saktësuar: Greqia nuk zë më vendin e parë të emigrantëve shqiptarë jashtë. Vendin e parë tani e zë Italia, sepse një pjesë e madhe e emigrantëve ka ikur nga Greqia dhe tani ajo ka 385 mijë emigrantë shqiptarë, ndërsa Italia ka 550 mijë shqiptarë.
Megjithatë, emigrantët nuk mund të luajnë kurrë rol në çështje strategjike të sovranitetit dhe integritetit të vendit. Platforma strategjike e një shteti dhe veprimtaria diplomatike e një shteti asnjëherë nuk ndërtohet mbi stinët e lëvizjes së emigrantëve. As Turqia nuk i bazon marrëdhëniet me Gjermaninë te miliona emigrantë që ka atje, as Italia mbi bazën e miliona emigrantëve që ka në Argjentinë, as Polonia me milionat e emigrantëve që ka patur në Greqi. etj. Kjo është një kartë presioni, që i fryn diplomacia greke dhe lobi grek në Shqipëri, dhe diplomacia shqiptare ka rënë pre e këtij presioni.
Ndërsa veto greke nuk jam i bindur nëse ajo do të ketë efikasitet. Për shembull, Greqia nuk mundi ta përdorte presionin e vetos në rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, sepse Athina nuk mund të kundërshtonte SHBA-të me atë vendim strategjik. Greqia nuk qe në gjendje të kundërshtonte as në 2012 liberalizimin e vizave të Shqipërisë me BE-në dhe nuk vuri veton. As në 2014 nuk qe në gjendje të kundërshtonte dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Pra, është e ekzagjeruar kjo kartë, sepse as NATO dhe as BE nuk janë të interesuara të lejojnë Greqinë që të bëjë me Shqipërinë siç ka bërë me Maqedoninë.
Zëri i Amerikës: Një marrëveshje e mëparshme për ndarjen e hapësirave detare në 2009 u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në 2010. Si e shihni fatin dhe jetëgjatësinë e një marrëveshje të re?
Amb. Shaban Murati: Çdo lloj përsëritje e pikëpamjeve, e tezave, e qëndrimeve, e përkufizimeve të marrëveshjes së parë, nëse përsëritet në marrëveshjen e dytë, e bën automatikisht këtë dytën të atakueshme në Gjykatën Kushtetuese. Nuk më vjen mirë që nga diplomacia shqiptare bëhen krahasime kur thonë se do të fitojmë më shumë nga marrëveshja e dytë se sa nga e para. Marrëveshja e vjetër është marrëveshje e vdekur dhe nuk mund të krahasohen i gjalli me të vdekurin.
Por nëse marrëveshja e re do të hyjë në hullinë e përcaktimit të kufijve detarë, unë mendoj se ajo do të jetë një hulli shumë e gabuar, shumë e dëmshme dhe mendoj se ajo do të ketë dhe duhet të ketë fatin e marrëveshjes së vjetër, nëse përsërit gabimet e saj.
Përcaktimi i termave në diplomaci duhet të jetë tepër i saktë. Termi përcakton objektin e bisedimeve dhe objekti i bisedimeve për terma detare me Greqinë mund të jetë vetëm çështja e shelfit kontinental dhe çështja e zonave ekonomike ekskluzive. Nëse do të guxohet, nëse do të rrezikohet, nëse do të aventurohet të futen në çështjen e kufijve detarë, ne automatikisht do të dalim kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pra do të biem në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë.
Zëri i Amerikës: Ju falemnderit për intervistën!
https://www.zeriamerikes.com/a/4307316.html