Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka udhëtuar nga Kosova për të mbështetur studentët e pedagogët që kanë nisur grevën për plotësimin e kërkesave të tyre.
Ai ka qenë pranë studentëve e pedagogëve në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe i ka inkurajuar të vazhdojnë qëndresën.
“Fitoret në histori në shoqëri vijnë nga qëndresa. Aktivizmin e kam filluar pikërisht në krye të protestave studentore në Kosovë. Protesta e studentëve e drejtë, kur pedagogët janë me ta. Ndërhyrja e studentëve nuk është për të qeshur. Në Kosovë i kemi ndjekur protestat tuaja. Me protestat tuaja vjen pranvera. Kjo protestë është kundër privilegjeve që kanë të pasurit. Është në pikëpyetje ardhmëria e shoqërisë shqiptare. Ju bëj thirrje të keni organizim të konsoliduar. Organizimi ju fuqizon. Arsimi nuk është luks”, është shprehur Kurti.