Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli përmes një postimi në rrjetin social facebook tregon bisedën që Basha ka pasur me deputetët demokratë në dy mbledhjet e zhvilluara pas votave pro Ruçit.
Topalli thotë se Basha gënjen, kur shprehet se kush shet votën nuk do të ketë vend në grupin parlamentar, pasi sipas saj në mbledhje është folur për strategji komunikimi, për muhabete kafeje, për dokrra hini, por jo për politikë dhe as për votat që i dhuruan Gramoz Ruçit.
Statusi i plotë i Jozefina Topallit
Në mbrojtje të së vërtetës
Dje Basha pas mbledhjes së grupit shpërndau në media një deklaratë që kishte dhe fjalinë:
“Kush shet votën nuk do të ketë vend në grupin tonë parlamentar.”
Kjo është një tjetër gënjeshtër , përveçse hipokrizi e Lulzim Bashës. Këtë e konfirmon qëndrimi i vetë LB.
Pas votimit të kryetarit të Kuvendit edhe me votat e PD ka patur dy mbledhje.
E para është bërë me kryesinë e Grupit parlamentar, ku merr pjesë kryetari i listës, nënkryetarët dhe kryetareët e komisioneve parlamentare, dhe diskutohen qëndrimet politike që duhet tëdiskutohen në grup.
Kjo ka zgjatur rreth 1 orë. Në këtë mbledhje Basha për asnjë rast, në asnjë sekondë nuk ka ngritur çështjen e votimit të Ruçit edhe me vota nga PD.
Ai jo vetëm nuk ka shprehur asnjë qëndrim, por nuk ka patur asnjë fjalë dhe asnjë shqetësim për shitjen e votës së grupit të tij (që në seancën e parë).
E njëjta sjellje ka vazhduar edhe në mbledhjen e grupit, ku kanë folur për hava: kanë folur për strategji komunikimi, për muhabete kafje , për dokrra hini por jo për politike dhe as për votat që i dhuruan Ruçit.
Njëlloj si në mbledhjen e parë, Luli përsëri ka heshtur si fija e barit deri kur Berisha ka ngritur çështjen.
Kjo është e vërteta.
Çdo fjalë e tij pas kësaj është e gënjeshtër; çdo qëndrim i tij më pas është i rremë. Sjellja e tij është krejt hipokrite.
Ajo shpreh edhe një here krizën e thellë morale në lidershipin që mban siglës e PD.
Disave kjo gënjeshtër mund t’i duket e vogël; dmth thjesht një rrenë mes shumë të tjerave, por për mua është shumë më tepër.
Të gjithë e dinë se Basha nuk ka respekt për të vërtetën.
Por e vërteta është baza e përbashkët nga e cila ndërtohet çdo gjë. Në të kundërt gjëja shembet, siç po ndodh në fakt.
Ndershmërisht raporti me të vërtetën është baza e karakterit.
Ne e dimë se edhe politikanë të tjerë gënjejnë, por Lulzim Basha është një kategori ndryshe.
Politikanët e tjerë edhe bëjnë përpjekje për ruajtjen e reputacionit.
Luli gënjen edhe për vetë “gëzimin” e rrenës….
Kësaj radhe ai po e përdor skandalin edhe për të kërcënuar grupin…me synim kontrollin personal të tij.
Sjellja e tij është tipike e njerëzve që nuk frymëzojnë, e atyre pa lidership moral, pa asnjë parim , të paaftë për të udhëhequr, modelin e të cilit e kemi vuajtur për gjysëm shekulli.
Një shkarravinë e këtij modeli është tepër për shqiptarët në 2017.
Dhe për këtë do paguajë vendi deri sa të bëjë zgjidhje .
Për sa kohë një kryetar i rremë të qëndrojë në krye të opozitës , Edi Rama do sundojë pa asnjë problem.