Nga Ilir Seci
Në nji shoqni ku gëlon krimi, asht shumë e lehtë me u ba i pandjeshëm ndaj ngjarjeve negative që ndodhin perditë. Madje, në shumicên e rasteve pandjeshmënia asht i vetmi mekanizëm mbrojtës që bahet i nevojshëm për me mpimun shqisat dhe me u mbrojtë nga ai breshën i pandërpremë i ciklit të dhunës që përndjek njerin përmes lajmeve 24 orëshe. Njerëzit ekspozohen vazhdimisht ndaj vdekjes dhe tragjedisë, ndaj dhunës së vazhdueshme deri në pikën e lodhjes.
Pika e Lodhjes
Kur njerëzit mbërrijnë te kjo pikë, të drobitun së lodhuni ata nisin e përshtaten, në një proçes që psikologët e cilësojnë si “mpimje psiqike që shkaktohet prej lodhjes nga dhembshunia.” “Mpimja Psikike” e tillë asht nji term i futun në përdorim nga Robert Jay Lifton, psikiatër i cili e zhvilloi këtë koncept, kur studioi viktimat e Hiroshimës.
“Mpimja psikike” asht në shumicën e rasteve produkt i çrregullimit të stresit post-traumatik, por vetëm për individët që ekspozohen para këtij stresi. Në fakt, si thotë Lifton, “mpimja psikike” asht pothuajse nji reagim i natyrshëm i njeriut që në paaftësinë për me ndryshue gjanat gjen zgjidhjen e pajtimit. Me e thanë shqip i bie qe për me mbijetue njerëzia e trashin lekurën e durimit. Bahen të pandjeshëm.
Zgjidhje…
Në Tiranë u vra nji grue.. Gjykatëse e shtetit, e vrau ish-burri i saj. Ish-burri që edhe para dy vjetësh pat provue me e vra nanën e fëmijëve te tij dhe për atë tentativë vrasje u dënue me vetëm tre vjet për “tentativë vrasje”. Për ma keq e liruen pa krye edhe atë dënim qesharak, e liruen para kohe. Dhe bani çka bani… Nji vrasje e paralajmërueme. Shoqnia shqiptare i shtoi edhe një tjetër shtresë lëkurës së durimit. Një tjetër dozë e shtueme pandjeshmënie. Shoqnia nuk reagoi, asnjë proteste qytetare, nuk protestuen asnji nga përfaqësuesit e OJQ-ve që të nxjerrin sytë, kur asht puna me marrë fonde “për mbrojtjen e femnave”. Me sigurimin e fondeve mbaron misioni i tyne. Dhuna e përditshme ndaj femnave në fakt u vjen mbarë atyne OJQ-ve, pse kanë argumente me kërkue ma shumë fonde, “Ja e shihni…u vra edhe një grua!”.
E shoqnia vazhdon në letargjinë e pandjeshmënisë, vazhdon e desensitizohet përditë e ma shumë. Familjarizohet me dhunën që asht e pranishme kudo. Se nuk ka vetëm Dhunë Fizike. Ka Dhunë Verbale fillimisht. Dhuna Verbale asht paradhoma e Dhunës Fizike. Dhuna Fizike asht jetësimi i Dhunës Verbale. Nga Fjalët në Vepra. Dhunën Verbale e ndesh kudo, në botën reale dhe ate virtuale. Në debatet televizive, në artikujt e tipit “Letër e Hapur”, në shkrime të përditshme. Ditën që u vra gjykatësja nji nga analistët vendorë kishte dalë me nji titull bombastik “Vetingu filloi”, sepse analisti prej mendjes së tij të sëmurë e lidhi këtë vrasje me profesionin e të ndjerës. Pa asnjë baze kund, thjeshtë spekullim. Po atë ditën e vrasjes një tjetër gazetë kishte botue intervistën e një tjetër analisti të dalun menteshash që këlthiste “Unë i pështyj!”, “Unë i shkel me këmbë si krimba!”… analisti i intervistuem me ato fjalë u kërcënohej njerëzve që mendonin ndryshe prej tij. Edhe ish-burri i gjykatëses për mospajtim u divorcue e për mospajtim bani edhe krimin. Ngjirjet tip, “Unë i shkel me këmbë si krimba!”, e lumturonin në vend që ta shqetësonin intervistuesin. Imagjinonte “like-t” online. Në vend që me i sugjerue ndonjë psikolog të aftë këtij analistit të dalun menteshash, intervistuesi e botonte në gazetë atë intervistën e tij prej “tajfuni”… Fol mbasandej për Dhunë Verbale…