Nga Gentian Sejrani
Menjëherë pas publikimit të zonjës Senida Mesi në postin e zv/Kryeministres nga zoti Rama, mediat filluan të krijonin “scoop-in mediatik” me fjalën që ajo iu drejtua komunitetit egjiptian në një raportim të drejtpërdrejtë. Ajo i drejtohet një lagjeje ku banon komuniteti egjiptian me zhargonin e përditshëm dhe jo me termin zyrtar.
Si anëtar i këtij komuniteti, me thënë të drejtën nuk u ndjeva mirë që një përfaqësuese e popullit të shprehet me ato fjalë për njerëzit që u kërkon votën dhe do i përfaqësojë. Por, mëdyshja më e madhe që kisha nga gjithë këto shkrime ishte: Nëse vërtetë medias i erdhi keq që deputetja, tashmë zv/Kryeministre ofendoi egjiptianët? Besoj se jo.
Ku ishin këto media, kur të tjerë si Ben Blushi, Henri Çili, Artan Lame, e kështu me radhë kanë fyer po në të njëjtën mënyrë komunitetin egjiptian? Nuk pamë asnjë reagim të tyre në këto raste të njëjta.
Gjithashtu shoh që mediat, nuk kanë akoma të qartë në raportimet e tyre dallimin midis dy komuniteteve rom dhe egjiptian. Madje, ndjehem po aq i ofenduar nga media, kur raporton dhe ndryshon përkatësinë e komunitetit egjiptian në rom. Nuk janë të pakta rastet, kur në emisionet e tyre lejojnë që të ofendohet dhe të tallet ky komunitet.
Gjithsesi, shpresoj që gjithë kjo zhurmë mediatike të jetë një mësim për zv/Kryeministren e ardhshme, si dhe mediat të mësojnë më shumë rreth kulturës, traditës dhe zakoneve të këtij komuniteti.
/informim.al/