Arben Skënderi, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike i ftuar në emisionin “Fol me mua, fol me ata”, të Enkel Demit në TVSH, deklaroi se vendi ka mbetur pa opozitë dhe se Basha duhet të bashkojë partinë.
“Në mes të kësaj fushate të stisur ende Basha mund të tregohet lider përbashkues. E ka për detyrë morale dhe institucionale të bashkojë partinë me akte reale”, u shpreh Skënderi.
Rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit, Skënderi e cilësoi si traumë për PD dhe Bashën, ndaj thotë se e djathta ka nevojë për reflektim.
“Askush nga ne nuk e kemi nisur rrugëtimin kundër Bashës apo pro Bashës. PD ka pësuar traumë dhe Basha ka pësuar traumë, ndaj duhet reflektim”, u shpreh ai.
Skënderi foli për shkeljet e Bashës dhe denoncoi cenimin e një procesi që po zhvillohet në kundërshtim me kushtetutën e partisë, që është statuti.
“Basha gënjeu të rinjtë, kryetari i Forumit Rinor nuk ishte në lista. 3 muajt e çadrës për ata njerëz që besuan dhe qëndruan atje kjo që po ndodh sot është shumë e rëndë”, tha ai duke shtuar se do të vijojë të mbështesë PD, por jo zgjedhjet e nxituara në parti të cilat janë jashtë çdo standarti dhe bëhen për interesa të ngushta që dëmtojnë demokracinë e kësaj force.