UEFA ka vendosur që ndeshja mes Maqedonisë dhe Shqipërisë të luhet jashtë Shkupit, në Strumicë.
FSHF ka protestuar në UEFA këtë vendim, por këtë herë organi më i lartë i futbollit europian nuk ka treguar as minimumin e disponibilitetit për ta diskutuar këtë vendim, pavarësisht se Federata Shqiptare ka pasur të drejtë.
“Kemi marrë një përgjigje nga zv.sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, i cili na tha se ndeshja do të luhet në Strumicë, pavarësisht se ai stadium nuk i plotëson kushtet minimale sportive. Por në një ndeshje si kjo, me nivel rrezikshmërie të lartë, më shumë rëndësi ka siguria. Ne kemi bërë kërkesa, por në fund të fundit është vet UEFA që vendos për të tilla çështje”, tha Denis Bastari, drejtor administrativ në FSHF.
Gjithsesi, pas gjithë këtyre situatave të krijuara, për kombëtaren shqiptare ka edhe një lajm të mirë. Tifozeria kquezi do të jetë e pranishme në Strumicë, me rreth 400 bileta, pasi kaq është 5%-shi i kapacitetit të këtij stadiumi.
Ndeshja mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Rusi 2018”, është parashikuar për t’u zhvilluar në datën 5 shtator.