Nga Arben Llalla
Që grekët dhe Greqia njihen, si fallsifikatorë të mëdhenj, kjo është vërtetuar botërisht nga të gjitha organizatat ku ky vend është anëtar. Ndoshta prandaj shteti grek ka probleme të thella ekonomike dhe të identitetit kombëtar. (Shkrimtari dhe poeti i njohur grek i Nikos Dhimu në një intervistë dhënë më 23 qershor, 2009, gazetës NY Times, tha: ”Ne flisnim shqip dhe vetëquheshim romaikos,…)
Historia nuk mund të shkruhet duke falsifikuar dokumentet dhe duke keqinformuar për fotografitë që mund ta shoqërojnë atë. Është për të ardhur keq, tek lexon librat e historianëve, studiuesve dhe publicistëve grekë që i ofrojnë lexuesve materiale të fallsifikuara nga ata vetë. Çdo historian apo studiues grek që është marrë me çështjen e shqiptarëve të Çamërisë për vitet 1941-1944, për të vërtetuar akuzat që Greqia ka ngritur ndër vite se çamët kanë qenë bashkëpunëtorë të italianëve dhe gjermanëve i shoqërojnë librat apo shkrimet e tyre me fotografi ku shihen myslimanët e Bosnjës me veshje gjermane SS, ku shihen shqiptarët në ish-Jugosllavi në shoqëri me oficerët italianë dhe gjermanë apo me veshje SS. Këta shkrues i kanë ofruar opinionit të gjerë grek shkrime jo shkencore, të kufizuara, duke bërë shtrembërime primitive.
Nganjëherë një fotografi flet sa qindra fjalë të historianit, prandaj ne me anë të fotografive të fallsifikuara po denoncojmë historianët dhe studiuesit grekë, të cilët kanë bërë prej kaq shumë vitesh një punë joprofesionale duke i ofruar lexuesve të tyre fotografi që tregojnë bashkëpunëtorët e gjermanëve sikur janë shqiptarët e Çamërisë, por në të vërtetë janë, boshnjakë dhe shqiptarë nga ish-Jugosllavia, por jo çamë, bashkëqytetarë të grekëve.
Nuk ka asnjë dokument apo fotografi të vërtetë që implikon popullsinë shqiptare në Çamëri që të ketë bashkëpunuar me gjermanët në dëm të popullit grek. Në qoftë se çamët do të ishin vërtetë bashkëpunëtorë të gjermanëve, denoncimi i parë do të bëhej nga populli hebre i Janinës, Grevenasë, Larisës, të cilët i hipën nëpër kamionë të shoqëruar nga Batalionet e Sigurimit grek për t’i dërguar nëpër kampet e punës dhe të shfarosjeve. Të paktën botërisht populli hebre ka falënderuar kombin shqiptar që nuk dorëzoi tek gjermanët asnjë hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kjo do të thotë shumë për ata që duan të mësojnë historinë e vërtetë të shqiptarëve të Çamërisë.
Prandaj, mendoj se ka ardhur koha që të hapet një diskutim i tillë serioz për t’u vënë drejtësia në vend dhe natyrisht nderi i çamëve. Pas kaq shumë vitesh është mirë të bëhet korrigjimi i kësaj historie të shëmtuar, të akuzave të pavërtetuara për një vepër të pakryer asnjëherë nga çamët në dëm të Greqisë dhe grekëve. Vetëm në këtë mënyrë grekët e shqiptarët do të mund ta shikojnë njeri-tjetrin në sy dhe të ndërtojnë fqinjësinë e mirë.
* botuar në 6 mars 2016