Asnjë prej koalicioneve politike në Kosovë nuk ka siguruar shumicën absolute të votave, duke pasur parasysh se Kosova ka një sistem elektoral proporcional kombëtar.
Nga të dhënat zyrtare të KQZ-së, kur janë numëruar më shumë se 90% e votave, koalicioni PAN (PDK, AAK, NISMA) ka marrë 220.295 vota, ose 34,60%, ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje renditet e dyta me 170.331 vota, ose 26,75%. Koalicioni LDK+AKR+Alternativa, nga ana tjetër, është e treti, me 164.355 vota, ose 25,81%.
Nëse merret parasysh se në këtë rast vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka garuar pa koalicion, por si forcë politike, ajo është parti e parë, dhe si e tillë mund të thuhet hapur se politikisht është formacioni më i votuar nga qytetarët e Kosovës.
Dhe sipas përllogaritjeve, koalicioni PAN ka marrë 25 deputetë, ndërsa Vetëvendosje dhe koalicioni i LDK-së janë me nga 25 pak a shumë.
Megjithatë, Ramush Haradinajt do t’i duhen, përveç 11 apo 12 deputetëve të Listës Serbe, apo deputetëve të partive minoritare, dhe 15 deputetë që të formojë qeverinë. I vetmi variant është “blerja” e deputetëve tek AKR-ja apo brenda pjesës së LDK-së.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-deputeti i NISMA-s, Jakup Krasniqi ka bërë me dije se asnjë parti politike nuk ka marrë shumicën dhe se shqiptarët kanë votuar për një koalicion të madh.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Prishtinës ka folur për një mundësi koalicioni mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, ku kryeministër do të jetë Albin Kurti. Ky version është mjaft i mundshëm dhe i kalon përfundimisht “gjeneralët” në opozitë.
Megjithatë, mbrëmë shpalli fitoren koalicioni PAN, ku në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës Ramush Haradinaj e Kadri Veseli falënderuan votuesit për fitoren, por edhe nga ana tjetër Vetëvendosje shpalli fitoren, e cila doli zyrtarisht partia më e votuar në Kosovë.