Nga Luljeta Progni
Kryeministri Rama ishte i ftuar në një aktivitet të thirrur papritur nga Forumi i Grave Socialiste Shqiptare të shtunën, më 27 shkurt. Nuk u kuptua mirë nëse gratë socialiste e ftuan kryeministrin apo kryeministri i ftoi gratë socialiste, kjo për faktin se nuk ishte as 14 Shkurti, që shënohet si dita kundër dhunës ndaj grave, as 8 Marsi, që njihet si dita ndërkombëtare e grave. Ishte e shtunë, 27 shkurt. Një datë pa ndonjë domethënie dhe pa asnjë aktivitet të paralajmëruar nga kryetarja e Forumit Olta Xhaçka. Nejse, këto lojëra me datat për interes të kryetarit janë bërë të udhës në Shqipëri para shumë e shumë viteve, madje shqiptarët janë disi të hutuar po t’i pyesësh se kur është çliruar Shipëria apo kur është rrëzuar busti i diktatorit, lëre pastaj për datat e grave.
Gratë socialiste dëgjuan për rreth një orë ligjërimin e kryeministrit, i cili i sqaroi se për dy gërma që i kishte shtuar opozita vlerësimit që i kishte bërë deputetes demokrate, e cila e qëlloi në Kuvend me një letër të lagur, kishte ngjarë gjithë ky keqkuptim. Pastaj u tregoi se të jesh feminist është rrjedhojë e të qenit socialist dhe të jesh socialist është gjithashtu rrjedhojë e të qenit artist. Nga doli kjo? Nuk ka rëndësi, po mbajeni shënim se e ka thënë kryetari i partisë dhe mbase do t’ju duhet. (Nuk këshillohet ta përdorë kryetari i FRESSH).
Më pas kryeministri feminist-socialist-artist e gjeti me vend të thotë disa lëvdata për një prej ministreve që po korr suksese të pakrahasueshme, asaj të Arsimit, Lindita Nikolla, e cila megjithëse vjen nga një karrierë si mësuese, arriti t’i lerë me gojëhapur të gjithë ata që kanë studiuar për vite me rradhë dhe mbajnë tituj e grada shkencore. Ky ligjërim patjetër që i inkurajoi të gjithë gratë e burrat socialistë që nuk kanë mundur, ose nuk janë munduar të vazhdojnë studimet. Pak a shumë si në kohën kur një karrocier mund të bëhej ministër, madje i suksesshëm sipas partisë. Kështu profesorët që tërheqin nga pas këto inicialet si “PhD.”, “Prof.” dhe “Dr.” ju rrofshin titujt edhe studimet se nuk ka ardhur akoma ajo kohë.
Tashmë është kthyer në rit që çdo të shtunë kryeministri i përgjigjet çështjes së javës me një ligjërim të posaçëm. Të shtunën e parë ishte në Korçë, për t’ju treguar korçarëve se Beni e ka gabim. Edhe në Korçë nuk kanë munguar batutat, ca nga salla, ca nga kryeministri. Duket sikur është rikthyer estrada e të shtunës, vetëm se në një format të ri modern “One man show” dhe në vend të biletave mund të marrësh pjesë me kartën e anëtarësimit në parti, ndërsa grisja përgjysëm e ftesës është po e njëjtë. Ndryshimi tjetër është që përveç Televizionit Shqiptar që mbahet me taksat tona, tashmë e transmetojnë edhe televizionet private. Të presim të shtunën tjetër… Çfarë mund të ketë përgatitur shfaqja e rradhës? Nuk ka rëndësi çështja, e sigurt është që do dëgjojmë përsëri batuta e qyfyre.