“Nuk është zgjidhje bllokimi i rrugëve, zgjidhja është zhbllokimi i rrugëve të krizës.”
Kështu është shprehur kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi një ditë para protestës masive të paralajmëruar nga opozita.
Gjatë një takimi me strukturat e PDIU-së në Durrës, Idrizi tha që shqiptarët nuk e meritojnë një krizë politike, e cila i nxjerr jashtë institucioneve. Ai tha që në zgjidhjen e saj politikanët dështuan ndaj le ta zgjidhin forumet e grave.
I shoqëruar edhe nga deputetët Mesila Doda, Aqif Rakipi, si dhe nga kreu i PDIU-së në Durrës, Krenar Lasko, Idrizi theksoi që nuk ka vullnet politik për të dalë nga kjo krizë.
Shpëtim Idrizi theksoi që po bëhet një fushatë elektorale e çuditshme, ku nuk dihet kush është përballë:
“Kjo është fushata elektorale më e çuditshme që ne po bëjmë. Është fushata elektorale që ne nuk dimë kë kemi përballë, fushata elektorale që ne nuk dimë se cili është programi i një partie dhe cili është programi i partisë tjetër. Është rasti që ne po bëjmë një fushatë, ku nuk dalim dot para qytetarëve dhe t’ju themi “që ne mendojmë kështu”. Nuk dimë kë do kemi përballë. A mendoni se Shqipëria ka luksin që të bëjë votim, po të mos bëjë zgjedhje?”
Ndër të tjera ai tha se PDIU ka bërë disa propozime për daljen nga kriza dhe tashmë sipas tij, duhet t’i lihet në dorë zonjave për të gjetur një zgjidhje, pasi politikanët dështuan.
“PDIU i ka ftuar të gjitha palët që të kemi një pakt kombëtar, ku të gjithë bashkë të jemi dakort për reformën në drejtësi dhe për integrimin europian. Ne i bëmë thirrje edhe Presidentit të Republikës, se meqënëse ata që e sollën krizën nuk po ulen dot në tavolinë, të ushtrojë detyrën si uniteti i kombit dhe garanti i Kushtetutës, të thërrasë gjithë partitë parlamentare në një tavolinë. Kriza është plotësisht e mundur që të zgjidhet, por nuk ka vullnet politik. Për paktin kombëtar të propozuar nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, kanë qënë të gjitha partitë politike dakort, i kanë parë shumë konstruktive elementët e atij pakti. Ato propozime nuk janë të pamundura, por janë vullneti i mirë që kjo krizë të zgjidhet. Jam mëse i bindur që nëse do të mblidhen forumet e gruas të PDIU-së, LSI-së, PS-së, PD-së dhe partive të tjera, absolutisht do ta gjejnë një zgjidhje. Kjo sepse zonjat, gratë, motrat dhe nënat tona, janë shumë më të përgjegjëshme për ta parë Shqipërinë të zhvilluar, për të rritur fëmijët, për t’i edukuar ata dhe për ta parë kombin si një të vetëm”, u shpreh Shpëtim Idrizi.
Deputetja Mesila Doda tha para strukturave në Durrës se PDIU ka kërkuar dialog, por deri më tani asnjë nga palët nuk ka pranuar.
“Kemi rreth 3 javë që kërkojmë vetëm dialog. Kemi kërkuar një pakt kombëtar nga forcat politike, për të pasur mundësi që palët të ulen dhe të kuptojnë që fëmijët tanë, fëmijët e shqiptarëve, janë më të rëndësishëm se tekat e politikanëve, janë më të rëndësishëm se konflikti i përditshëm. Ndërkohë kemi heshtje. Kemi heshtje nga kryetari i opozitës dhe kemi heshtje nga kreu i qeverisë. Pse vjen kjo heshtje? Sepse duan që pushteti i tyre të zgjasë pambarimisht, ndërkohë që pushteti ka vetëm një burim, që është vota e popullit, që është një qeverisje e mirë, një qeverisje e bërë me vizion, një qeverisje që respekton qytetarin, respekton biznesin, një qeverisje që ka vizion për të ardhmen. Këtë kemi kërkuar dhe këtë do të kërkojmë vazhdimisht”, tha kryetarja e grupit parlamentar të PDIU-së.
Ndërsa deputeti Aqif Rakipi tha se politika nuk duhet të flasë vetëm për kriza, por edhe për hallet e qytetarëve.
“Ne kemi propozuar një pakt kombëtar me disa pika, ku të mos flitet më për krizë, por për ekonominë, për punësimin dhe për interesin e shqiptarëve, ndaj PDIU në Durrës po rritet çdo ditë. Partisë tonë po i bashkohen të gjithë shqiptarët, pasi është partia që u qëndron kauzave. I keni parë partitë politike që konfliktohen me njëra-tjetrën, ndërkohë që nuk mendojnë për hallet e qytetarëve shqiptarë”, tha ligjvënësi Rakipi.
Kryetari i PDIU-së në Qarkun e Durrësit, Krenar Lasko, tha që të rinjtë dhe gratë po i bashkohen çdo ditë e më shumë forcës tonë politike, sepse PDIU kërkon zgjidhjen e krizës dhe jo konfliktin.