“Suliotët arvanitas të vendosur në ishullin e Korfuzit, kur pastronin armët, këndonin në shqip bëmat e tyre trimërore.”
Nga Arben Llalla
Kënga arvanitase përbën një pjesë ndër më të vyerat e krijimtarive muziko-poetike të Greqisë së sotme, por kjo vërtetësi e padyshimtë për grekun në shekullin XXI, nuk është përmbledhur për arsye të ndryshme. Në përmbledhjet e njohura të këngëve popullore të shekullit XIX nuk merret si e mirëqenë të ketë këngë arvanitase në Greqi. Folkloristët e saj kohe, me pararojë N. Politin, jepnin betejën e tyre për përmbysjen e teorive të Falmerajerit dhe dëshmuar, përmes materialeve folkloristike. Për shkak të qëllimeve dashakeqe, të mirënjohura të kohës u flijua kënga arvanitase, u zhduk, u shpall e paqenë.
Por, faktet më të rëndësishme folklorike të kombit tonë shqiptar, të cilat tregojnë vazhdimësinë e pandërprerë të racës, u takojnë arvanitasve të Greqisë.
Veshja zyrtare kombëtare greke është fustanella arvanitase ose shqiptare që vishej nga arbëreshët e Kroacisë, Kosovës e deri në More që përbën një zhvillim të veshjes mbarë pellazgjike. Vallja çame kërcehet nga të gjithë grupet folklorike greke në çdo aktivitet familjar dhe shtetëror. Arvanitasit, këta “krijues të Greqisë së Re” ishin populli që mbajti barren kryesore të luftës çlirimtare të 1821. Të fuqishëm, të pamposhtur dhe liridashës, lanë me gjakun e tyre tokën greke dhe paguan me flijimet e tyre lirinë e Greqisë. Një popull i këtillë, me shpirtin luftarak, është e natyrshme të shprehej përmes këngës epiko-lirike dhe vajeve. Por. këngë folklorike arvanitase në antologjinë greke të shekullit XIX, nuk ka. Intelektualë bashkëkohës, arvanitas si G. Gjika, M. Dede, E. Lapi, G. M. Paidushi, N. Saltaris, të cilët hartuan antologjinë e këngës arvanitase në 50 vjetët e fundit, nuk përfshinë në to këngët epiko-lirike, por vetëm “dyvargjëshe”, popullore të jetës së përditshme paqësore, të cilat i datojnë shekullit XX, ose në rastet më të mira shekullit XIX.
Dokumentat historike që kemi vërtetojnë parimin dhe tregojnë faktin se kënga e vjetër arvanitase ishte së pari dhe kryesisht epike dhe lirike. Gjuha arvanitase nuk shkruhej. Nuk përbënte gjuhë të shkollimit, por kryesisht të njerëzve të pa shkolluar të asaj kohe, të popullit shqiptar. Ngjarjet e përditshme dhe ngjarjet historike shpëtoheshin dhe rruheshin përmes këngës, tjetër mënyrë nuk kishte.
P. Hioti që shkroi “Historinë e shtatë ishujve” më 1866, na dëshmon që suliotët arvanitas, të cilët ishin vendosur në ishullin e Korfuzit, kur pastronin armët, këndonin në arbërisht bëmat e tyre trimërore. Por, këngë arvanitase të suliotëve nuk ka në asnjë antologji.
Dy këngë suliote gjenden tek “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos, të cilat u botuan më 1878 në Aleksandri, Egjipt.
Më 1891, historiani dhe gjuhëtari Artur Miklofer botoi veprën “Atika und seine Heutigeu” ku, midis të tjera thotë: “Me sa di unë, këngët popullore bashkëkohore greke i janë përshtatur këngëve të vjetra të dashurisë, lirisë dhe kaçake të arvanitasve.”
Kështu u bë greqizimi gjuhësor, ku u flijua në këtë mënyrë kënga e vjetër epiko-lirike arvanitase, e cila kaloi tek brezat e rinj në variantin grek dhe kështu u njoh. Instrumentistë dhe këngëtarë të shquar popullorë si: sulioti Vurko, Stefanopulo, Ngrici, Papasidheri, Mitaqi ishin arvanitas dhe shumë këngë arvanitase i rishkruan në gjuhën greke, duke ruajtur formën muzikore ose duke rregulluar me të dhëna të reja, kryesisht nga viti 1835, kur bavarezët futën në Greqi klarinetën. Kështu kishte një çarje të madhe të krijimtarisë muzikore-poetike të arvanitasve në Greqi. Këngët e vjetra epiko-lirike arvanitase u harruan me kalimin e kohës, pasi askush nuk u interesua të bëjë zgjedhjen e duhur; pra të mbledhin krijimtarinë arvanitase dhe burimin e tyre. Kërkimi i këngëve të vjetra epiko-lirike është çështje tepër e vështirë, por ia vlen mundimi të merret njeriu me to, për pasurimin e mëtejshëm të kulturës tonë kombëtare. Këto 20 vjetët e fundit falë vullnetit dhe kërkimeve të studiuesit arvanitas i ndjeri Aristidh Kola, muzikantit arvanitas Dhimitër Lekas dhe këngëtarit të njohur arvanitas Thanasis Moraitis u bë e mundur që të prodhohen dy CD me këngët e vjetra arvanitase me titull: “Këngët Arvanitase”, dhe “Trëndafilat e shkëmbit”, të cilat janë përmbledhja e disa këngëve të arvanitasve të Greqisë dhe të arbëreshëve të Italisë së Jugut. Këto CD u bënë nxitje edhe për shumë këngëtarë të tjerë arvanitas që nxorën CD të tjera me këngët e tyre kombëtare arvanitase. Ndër këngëtarët që kanë nxjerrë CD me të tilla këngë janë Alekos Dhimu, Nikos Panurgjias, Nikos Saragudhas, Vangjelis Koçi, Thelma Karajani e të tjerë.
Me këngëtarin Thanasi Moraiti kam rreth 10 vjet që njihem. Ai më ka folur për përpjekjet që ka bërë për këngën arvanitase, koncertet që ka mbajtur në perëndim dhe Shqipëri dikur. Thanasi Moraiti u lind dhe u rrit në fshatin arvanitas, Vaja. Gjyshja e tij nuk dinte greqishten, fliste vetëm gjuhën e vatrës, arbërishten. Kurse prindërit e Thanasis Moraiti, mëma Gjeorgjia dhe tata Kostandin, flisnin arbërishten dhe greqishten. Në shkollën fillore Thanasi ngatërronte fjalët greke me fjalët shqipe, kështu që kishte vështirësi me gjuhën e re greke që po mësonte. Në panairet që organizoheshin për nder të Shën Athanasit dhe Shën Harrallambit, nëpër fshatrat arvanitas fqinjë me fshatin e tij, Thanasis Moraitis shkonte dhe dëgjonte muzikantë dhe këngëtarë endacakë në shfaqet që jepnin me këngë arvanite dhe greke. Shumë herë ai rrinte me fytyrën ngjitur me xhamin e brymtë të kafenesë së fshatit, e cila ishte shndërruar në qendër muzikore dhe dëgjonte këngët tradicionale arvanitase, që më parë i kishte dëgjuar nga mëma Gjeorgjia dhe kushurinjtë e tij nëpër gëzime familjare. Në moshën 13 vjeçare u gjend në Athinë, në kryeqytetin e Greqisë duke ndjekur fatin e prindërve, kur Greqia ishte në kulmin e emigracionit të brendshëm rreth viteve 1970. I mbyllur në qetësinë e tij, në një lagje të kryeqytetit, ai filloi të harronte gjuhën e mëmës, arbërishten dhe njerëzit e tij që kishte lënë në fshatin e lindjes. Ishte student i Universitetit Pandios, ku po të këndoje këngët e “katundeve të prapambetura” ishte nënçmuese. Me kalimin e kohës u muar seriozisht me muzikë. Midis shkrimtarëve dhe muzikologëve, u njoh me shkrimtarin dhe historiani arvanitas
Aristidh Kola, i cili së bashku me gjurmues të tjerë merrej me mbledhjen dhe studimet e këngëve arvanitase të Greqisë dhe Italisë së Jugut. Bashkëpunimi me Aristidh Kolën dhe të dhënat që patën mbledhur ia shtuan edhe më shumë dashurinë për muzikën dhe këngën arvanitase. Tok me Aristidh Kolën, nisën me këmbëngulje të kërkojnë dhe studjojnë secili në fushën e vet gjithë atë tendë të bollshme. Me Dhimitër Lekën, Thanasi Moraiti ishte njohur që në Universitetin Pandios. Ishte muzikant shumë i mirë dhe njohës i përmasave të muzikës së lashtësisë. Aristidh Kola dhe Thanasi Moraiti mendonin se në vatër të muzikës së lashtësisë duhej të këndoheshin këngët arvanitase. Punën dhe studimin e filluan nën udhëzimet e mësuesit Spiros Peristeris. Kështu pas një pune dy vjeçare Thanasi Moraiti dha koncertin e parë në teatrin “Orfeos” me këngë arvanitase.
Mes studimeve dhe muzikës
Thanasi Moraiti është diplomuar për shkencat politike. Me muzikë filloi të merret më 1983 dhe është muzikant i vetmësuar. Muzikën bizantine ia mësoi protopsalti i mitropolisë së Athinës, Spiros Peristeris. Bashkëpunoi me kompozitorin e madh Miki Teodorakis për disqet dhe koncertet e dhëna gjatë periudhës 1984-1987, me këngë greke. Bashkëpunoi me aktoren këngëtare gjermane Gisela May për një disk që qarkulloi më 1988. Në prill të 1993, paraqiti në sallën e ceremonive të Universitetit të Athinës, kompozimet e veta me vargje të poetit Kostandin Kavafit. Më 1998, Thanasi Moraiti nxorri diskun e dytë me këngë arbërore të mbledhura në Greqi dhe Italinë e Jugut me titull “Trëndafilat e Malit”, i cili ishte një bashkëpunim i suksesshëm me studiuesin Aristidh Kolën dhe muzikantin Dhimitër Leka. Në mars 1998 dha një koncert në teatrin “Palasos” me 25 këngët e mbledhura nga vetë ai në Greqi dhe Italinë e Jugut mes bartësve që i këndojnë arbërisht. Thanasi Moraitis ka kënduar edhe në Festivalin Folklorik të zhvilluar në qytetin e Beratit në Shqipëri.
Në janar të vitit 2001, ka dhënë tetë koncerte në qytete të ndryshme të Belgjikës, dhe tetë koncerte në qytetet e Hollandës me këngë arbërore (arvanitase), ku ka korrur mjaft sukses.
Antologjia e këngës arvanitase
Në tetor 2002 Thanasi Moraitis botoi librin e parë të tij me titull: “Antologjia e këngës Arvanitase”. Mbas 17 vjet studimesh, kërkimesh dhe udhëtimesh nëpër trevat e Epirit, të Follorinës, të Konicës, të Thraqit, të Korinthit, të Atikisë dhe Viotisë, ku banojnë arvatitët dhe këndohet kënga e tyre në Greqi, shkrimtari muzikant dhe këngëtar Thanasi Moraiti na sjell një antologji me vlera të mëdha shkencore dhe historike, gjuhësore dhe muzikore, e cila përmban mbi 140 materiale muzikore të shkruara me tekste traskrituara në greqisht dhe përkthyer në shqip. Të gjitha këngët shoqërohen me nota në pentagrame muzikore, parathënien teorike dhe analizën muzikore e ka bërë Dhimitri Leka, ndërsa parathënien e librit e ka bërë Marko F. Dragumi drejtor i Muzeut Laografik (popullor) të Athinës, i cili shkruan: “Kjo Antologji është frut i një pune shumëvjeçare, të mundimshme dhe të lodhshme, e cila përmban në vetvete jo vetëm një njohje të thellë të antologjisë së gjuhës, por edhe të njohjes së thellë muzikore. Bëhet fjalë për një vepër, e cila vjen të mbushë një boshllëk të madh. Më në fund kënga dhe poezia muzikore popullore arvanitase është e regjistruar dhe kjo më e pakta e asaj që ekziston, por mbi të gjitha është hedhur baza e saj. Dhe kjo është një nga punët, me anë të së cilës duhet të mbërrijmë dhe të zgjerojmë horizontet tona etnomuzikologjike.”
Autori i Antologjisë së këngës arvanite, Thanasi Moraiti ka shfrytëzuar për shoqërimin historik të këngëve arvanitase librat e shkruar nga autorët, Kosta Biri, Sp. Asdraha, Jani Gjika, Teodor Haxhipandasi. Gjithashtu, ka studiuar librat gjuhësor të autorëve Erik Pratt Hamp, Mirosllav Nt. Zabuoçki, Jorgo Babinioti dhe Luka Çiçipi.
Kërkimet
Kërkimet për të mbledhur në një Antologji këngën arvanite Thanasi Moraiti i filloi në vitin 1985, atëherë kur ai dha para publikut koncertin e tij të parë në teatrin “Orfeas” me këngët arvanitase në bashkëpunim me studiuesin dhe historianin arvanitas Aristidh Kola dhe kompozitorin arvanitas Dhimitër Leka. Me nxjerrjen e botimit të librit të parë të Antologjisë së këngës arvanitase të Greqisë që i mungonte historisë arvanite duhet thënë që këngëtari, muzikanti dhe shkrimtari arvanitas Thanasi Moraiti na ka sjellë një dëshmi shkencore të rëndësishme të elementit kulturor-muzikor të vjetër të shqiptarëve të lashtë në shekujt e mëparshëm në Ballkan. Kjo vepër antologjie është një ogur i bardhë për pasurimin mbarë kombëtar të gjakut të shprishur të Arbërit kudo në botë që ata ndodhen. Në këtë Antologji lexuesi do të mësojë nëpërmjet këngëve që ka mbledhur Moraiti ngjarjet e rëndësishme historike të luftërave, dashurisë, vajeve të kombit arbër që nuk mundi t’i shkruante me penë dhe bojë në ato vite të vështira në luftën për ekzistencë kombëtare, por i trashëguam me anën e zërit të fuqishëm popullor.