“Kultivimi i kanabisit përbën pothuajse gjysmën e PBB-së së Shqipërisë! Një prodhim i gjatë në këtë vend ballkanik, ku ai është bërë një mjet për mbijetesë për shumë banorë. Por edhe një burim korrupsioni”. Kështu e nis një reportazh të tij në Tiranë, Jérôme André, gazetari francez i “Reporterre.net”.
Vjeshtën e kaluar, të njëjtat imazhe u përsëritën çdo ditë në kanalet televizive shqiptare. Ndërsa kanabisi ishte shtrirë gjithandej policia sulmoi zonat e vështira për t’u kapur dhe dogji mijëra bimë. Qeveria thotë se arriti sukses në “luftës kundër drogës”. Falë mbështetjes së Guardia di Finanza rreth 2.5 milion bimë u shkatërruan në vitin 2016. Por situata është larg nga zhdukja. Në fillim të vitit 2017, Europol dhe Departamenti Amerikan i Shtetit ende i referohen Shqipërisë si “vendi kryesor prodhues në Evropë”.
Kanabisi ka hedhur rrënjët në Shqipëri për një kohë të gjatë. Nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës (1944-1985), kjo kulturë u kontrollua nga shteti. Ishte një nga mallrat e pakta të eksportuara nga ky vend shumë i izoluar politikisht. Zvicra vlerësoi cilësitë e mëdha të barit shqiptar dhe e përdori atë si një fabrikë medicinale dhe farmaceutike. Pas rënies së regjimit në vitin 1991 dhe dekadës kaotike pasuese, në vitin 2000 u shfaq një gjeneratë e grupeve kriminale shqiptare. Sipas Fabian Zhillës specialist i krimit të organizuar dhe themelues i OJQ Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë “kanabisi ishte një mjet mbijetese për shumë shqiptarë”.
Fshati i vogël i Lazaratit, i vendosur vetëm disa kilometra larg kufirit grek, fitoi famë ndërkombëtare duke fituar titullin “Mbretëria evropiane e kanabisit”. Nën flamurin e trafikantëve, kjo komunë ishte tërësisht e përkushtuar për “arin e gjelbër”, që një pjesë e madhe e 5000 banorëve të saj e kultivonin në fusha dhe oborret e shtëpive. Qeveria e krahut të djathtë, në pushtet midis 2005 dhe 2013, mbylli sytë. Një raport italian vlerësoi se prodhimi vjetor i Lazaratit ishte rreth 900 ton në vit, me një qarkullim prej 4.5 miliardë euro, gati një të tretën e GDP-së së Shqipërisë. Një shumë astronomike për këtë vend të vogël.
Me zgjedhjet e vitit 2013 kur në pushtet erdhi socialisti Edi Rama, ndryshoi situata për këtë fshat. Një vit pasi u bë kreu i qeverisë Rama deklaroi “luftën kundër trafikantëve të drogës” dhe dërgoi ushtrinë për një sulm 5-ditor. 80 ton kanabis dhe sasi të armëve të përdorura nga trafikantët u konfiskuan ndërsa një duzinë njerëzish u arrestuan. Megjithatë, aty nuk kishte asnjë “peshk të madh”. Shumë vunë theksin te gabimi i bërë te koha e zgjedhur për këtë operacion spektakolar të policisë. Pas tre dështimeve, Shqipëria në fund fitoi nga Bashkimi Evropian nisjen e procedurës për integrimin e saj.
Por politika e ndjekur nga zotit Rama nuk i qëndroi kohës. “Prodhimi, dikur i përqendruar në Lazarat, tani është i shpërndarë në të gjithë vendin dhe krejtësisht i pakontrollueshëm”, – thotë Fabian Zhilla. Kultivimi i kanabisit ka dalë vitet e fundit si një mjet i ri mbijetese për shumë shqiptarë. Në këtë vend, ku 45.5% e popullsisë jeton me më pak se 5 € në ditë dhe emigracioni mbetet shpresa e vetme për shumë të rinj, disa zgjedhin këtë aktivitet shumë më fitimprurës sesa pagat e ulëta të ofruara nga Call Center apo hotelet. Një kilogram kanabis është ekuivalent me dy ton grurë (rreth 250 €).
“Vështirë të imagjinohet se politikanët nuk janë të përfshirë”
Me një mesatare me më shumë se 200 ditë me dielli në vit dhe resurse të konsiderueshme ujore, ky vend i Mesdheut ofron kushte ideale klimatike për Cannabis sativa. Veçanërisht për një varietet holandez me një cikël shumë të shkurtër. Legjislacioni shqiptar është sidoqoftë i qartë: “kultivimi dhe transporti i kanabisit dënohet me burgim nga 3 deri në 15 vjet. Por pa shumë efekt. Sepse nëse shumë policë janë të përfshirë në trafik, sidomos në fshat, për Fabian Zhillën, kjo fushë korrupsioni fsheh një tjetër.
“Duke qenë se policia është një institucion shumë hierarkik, është e vështirë të imagjinohet se stafi politik nuk është i përfshirë.” Në raportin e fundit të vendit, Komisioni i Zgjerimit të BE-së “mirëpret veprimet e fundit kundër plantacioneve të kanabisit”, por “vëren se policia dhe prokurorët nuk janë në gjendje të identifikojnë rrjetet kriminale përgjegjëse për kultivimin e drogës “.
Kjo situatë vihet në dukje nga vendet kryesore të rajonit, të cilat rregullisht theksojnë mungesën e vullnetit politik të homologëve të tyre shqiptarë. Në Holandë, Britani të Madhe, Gjermani apo Francë, kanabisi, por edhe heroina afgane ose kokaina, hyn në BE kryesisht nga Italia dhe Greqia fqinje. Mjetet e transportit të përdorura shkojnë nga gomari deri në avioni privat, duke kaluar edhe nga anijet e vogla.
Në fund të vitit të kaluar, Athina nxori rastin e Kelmend Balilit. Mediat e quajtën “Pablo Escobari i Ballkanit”. Ai u akuzua nga gjykatat greke për organizimin e eksportit të drogës në vendin e tyre. Drejtori i transportit të rrethit Sarandë nga viti 2014 deri në maj 2016, jo larg nga kufiri grek, do të përfitonte nga lidhjet e familjes së tij me personalitete të caktuara politike. Ndërsa drejtësia shqiptare mori gati 7 muaj para se t’i përgjigjej urdhër-arrestit grek, Kelmend Balili mbeti i pakontrollueshëm. Kohët e fundit, një ish-drejtori të policisë shqiptare kundër drogës iu dha azil politik në Zvicër. Për të ka një kërkesë për ekstradim nga qeveria shqiptare.
Këto lidhje mes grupeve kriminale dhe autoriteteve politike si dhe shumave kolosale të krijuara nga trafiku janë shqetësuese. Pak javë përpara zgjedhjeve kombëtare në qershor, partia kryesore e opozitës, Partia Demokratike e Shqipërisë, kërcënoi të mos merrte pjesë në to dhe të bojkotonte punën parlamentare për gati 2 muaj. Duke denoncuar “korrupsionin e një qeverie që e ka transformuar Shqipërinë në Kolumbi të Evropës”, ajo kërkon “formimin e një qeverie teknike për të garantuar transparencën e zgjedhjeve”.
Rëndësia e parave të kanabisit bën një konsensus midis diplomatëve të huaj dhe komentatorëve politikë shqiptarë. Për Fabian Xhillën, “tani jemi afër një shume ekuivalente me gjysmën e GDP-së së vendit. Grupet e përfshira kanë fituar fuqi të konsiderueshme financiare dhe kanë investuar shumë në ekonomi dhe në politikë”.
Ndërsa debatet janë të përqendruara në aspektin politik dhe represiv të çështjes, deputeti dhe biznesmeni Koço Kokedhima duket i izoluar në peizazhin mediatik shqiptar. Për vite ai ka qenë i vetmi që mbron legalizimin e kanabisit dhe citon mijëra vende të punës të krijuara në disa shtete të Shteteve të Bashkuara duke prodhuar kanabis për qëllime farmaceutike dhe rekreative. Ndërsa konsumi i brendshëm shqiptar është anekdotik, ai mburret me “cilësitë e njohura të kanabisit shqiptare” dhe është pragmatik përballë një tregu të vlerësuar me “disa miliardë euro”./pershtati lapsi.al/