Një ditë para se të përfundojë afati për regjistrimin në KQZ të partive politike për zgjedhjet e qershorit, kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi se opozita nuk do të regjistrohet për zgjedhje fasadë.
“Zgjedhje fasadë nuk ka për të pasur, zgjedhje të diktuara nga krimi nuk ka për të pasur, socialistët të rrinë të qetë se jo vetëm Shqipëria por dhe PS do çlirohet njëherë e mirë nga zgjedha e krimit që e ka marrë peng.”- u shpreh Basha.
Basha u shpreh që kryeministri i vendit nuk ka guxim të dënojë krimin ndaj ish-kryepolicit Artan Cuku.
“Për të qeshur dhe për të qarë në duart e kuj ka përfunduar ky vend, një Kryeministër që nuk ka guxim të dënojë krimin ndaj kryepolicit të qarkut të tij, nuk ka guxim të thotë një fjalë për 12 ton hashash në një magazinë, 120 milion euro.”- tha Basha.
Ai i bëri apel kryeministrit Rama të heqë dorë nga kërcënimi i opozitës.
“Hiq dorë nga kërcënimi i opozitës dhe kauzës së shqiptarëve të bashkuar. Luftë siç e përmende zotërote, përplasje civile për të mbrojtur karrigen dhe prapanicën tënde të korruptuar kurrë nuk do të ketë në Shqipëri. Po e kërkon me qiri konfliktin mes shqiptarëve por shqiptarët nuk kanë konflikt me njëri-tjetrin. Sepse siç e the vetë shqiptarët janë të mjerë, të djathtë e të majtë, gegë e toskë, sepse të mjerë e bërë Shqipërinë me drogën, krimin dhe korrupsionin tënd. I vetmi vetmi konflikt është mes shumicës dërmuese të shqiptarëve dhe qeverisjes tënde. Nuk ka dhe nuk do ketë asnjë zgjidhje tjetër përveç largimit të Kryeministrit dhe qeverisë së krimit dhe korrupsionit.”- u shpreh Basha.