Nga Luljeta Progni
Kur bie ministri i financave do të thotë se ka rënë qeveria. Edi Rama e shkarkoi Shkëlqim Canin nga kreu i financave, praktikisht ka vulosur rënien e qeverisë së tij.
Pak minuta pasi e shkarkoi, Rama sqaroi në rrjetet sociale se dy ministrat e rinj, Ahmetaj në vend të Canit dhe Milva Ekonomi në vend të Ahmetajt, i shërbejnë përshkallëzimit të operacionit kundër informalitetit dhe lehtësimit të mëtejshëm të biznesit të ndershëm. Nëse analizohet kjo fjali e kryeministrit i bie që Cani i paska penguar dy synimet e kryeministrit.
Kjo fjali do të thotë shkarkim për paaftësi në drejtimin e institucionit më të rëndësishëm të qeverisjes, Ministrinë e Financave. Është krejt pa kuptim pjesa tjetër e njoftimit të qeverisë, sipas të cilit Rama i paska kërkuar Canit të vazhdojë kontributin me të njëjtin përkushtim. Është po kaq banale sjellja e deputetëve të PS-së dhe në mënyrë të veçantë ajo e Taulant Ballës, i cili e falenderoi Canin për kontributin në drejtimin e financave të qeverisë Rama.
Nëse ishte në rrugën e duhur siç e kanë edhe slloganin socialistët, nuk kishte arsye për ta shkarkuar. Pra, e vetmja e vërtetë në këtë mes është që sektori i financave në qeverinë Rama ka dështuar dhe ky është fakt, sepse kanë dështuar dy prej drejtorive më të rëndësishme doganat dhe tatimet. Nisur nga kjo logjikë qeveria Rama ka rënë.
Financat kanë dështuar në këto dy vite dhe për këtë ka përgjegjësi direkte kryeministri Rama. Kjo për dy arsye:
E para se krerët e institucioneve më të rëndësishme në varësi të Ministrit të Financave, janë emëruar dhe menaxhuar nga kryeministri Rama. Tatimet, doganat por edhe të tjera drejtori të varësisë si ajo e privatizimeve, pastrimit të parave, thesari i shtetit e të tjerë kanë drejtues të emëruar dhe akoma më keq janë administruar plotësisht nga kryeministri Rama. Nëse Shkëlqim Cani është shkarkuar për dështim në drejtimin e dikasterit, kjo nuk është vetëm përgjegjësi e tij, por drejtpëdrejtë e kryeministrit.
Së dyti, në postin e Ministrit të Financave, Shkëlqim Cani në fakt ka patur në dorë çelësat e kashtës, sepse edhe një pjesë të rëndësishme që duhet të menaxhonte atë të sektorit të investimeve ia mori Ministria e Ekonomisë, kur ishte ministër Arben Ahmetaj. Ndoshta me emërimin në krye të financave në vend të Shkëlqim Canit, Ahmetaj merr me vete edhe ketë sektor të investimeve publike, por sidoqoftë deri tani për dështimet apo arritjet e ka përgjegjësinë Ahmetaj dhe jo Cani.
Me pak fjalë Shkëlqim Cani ka qënë i shkarkuar kohë më parë. Kryeministri Rama vetëm sa e zyrtarizoi dje.