Kryetari i PDIU-së, Shpëthim Idrizi tha që do të përballet me ne, ajo forcë politike apo individ, i cili tenton të pengojë ngritjen e Komisionit Hetimor për Çështjen Çame. Në përvjetorin e 26 të Shoqatës “Çamëria”, Idrizi foli edhe për këtë çështje duke theksuar se ngritjen e Komisionit Hetimor për Çështjen Çame askush nuk mund ta pengojë më.
“Kemi marrë një nisëm të fundit, për ngritjen e një Komisioni Hetimor, për zbardhjen dhe dokumentimin e Çështjes së shqiptarëve të Çamërisë. I bëj thirrje forcave politike dhe parlamentarëve, të cilët mendojnë se mund ta pengojnë këtë nisëm, t’ju them që kjo është një nisëm e marrë nga një grup deputetësh legjitim, nga shqiptarë të Çamërisë dhe kjo nisëm do të shkojë deri në fund, tashmë me një dosje parlamentare, detyrim që rrjedh nga Rezoluta për shqiptarët e Çamërisë. Çdokush që do mendojë të bëjë ndryshe, çdo njeri që do mendojë të bëhet zëdhënësi i Athinës zyrtare në Shqipëri, padyshim që do të ketë përpara Shoqatën “Çamëria”, gjithë kolegët e mi deputetë, me të cilët unë shpresoj dhe mendoj se janë patriotë dhe e duan Shqipërinë. Do të na kenë përballë! Boll kemi dëgjuar deri më sot historira dhe goditje poshtë brezit për PDIU-në apo Shoqatën “Çamëria”. Do të përgjigjemi me të njëjtën monedhë. Çamëria nuk ka çmim, Çamëria ka vetëm drejtësi”, tha Idrizi.