Nga Ilir Seci
Katërdhetë e dy vjet ma parë, më 15 Janar të vjetës 1975, ndrroi jetë në Romë, Ernest Koliqi, nji nga mjeshtrat ma të mëdhenj të letërsise shqipe. Koliqi ka lëvrue disa zhanre të letërsisë, të tana me sukses të plotë duke lanë mbrapa nji trashëgimi fort të vlefshme, pa të cilën Letërsia Shqipe kishte me kenë e mangët. Lëvroi me sukses poezinë, prozën dhe dramën Drama “Rrâjët lëvizin”, hyn ndër ato vepra të letërsisë botnore që parashikon rrëzimin e diktaturës komuniste.
Koliqi si intelektual me kulturë të gjanë dhe formim të jashtëzakonshëm, ishte shkrimtar vizionar, njajtë si Orëell në veprat e tij. Ai e dinte se absurditeti totalitarist nuk kishte si me qëndrue gjatë, pse ishte kundër natyrës njerëzore dhe historia e njerëzimit ka diftue se çdo ideologji çnjerëzuese nuk ka sundue gjatë asnjiherë. Në dramën “Rrâjët lëvizin” shkrimtari ngjarjet i paraqet sikur në Shqipni: – Asht rrëzue diktatura komuniste; – Vajza e tij shkon ma në fund në Shkodër me vizitue shpinë e babës; – Ai vetë, autori i dramës ka vdekë, në kohën kur zhvillohen ngjarjet; Profetik… I vetmi “gabim” ishte viti, Koliqi e vendos dramën në fund të viteve ‘70, tue gabue me vetëm nji dekadë! E bija e shkrimtarit vjen në Shkodër dhe në shpinë e babës e të parëve të saj gjen disa qeraxhinj që i ka futë aty sistemi komunist, mbasi ua ka marrë shpiat pronarëve të ligjshëm.
Autori sikur e jeton atë kohë që na e pamë mbas vitit 1990, detajet e paraqituna në dramë janë kaq të gjalla e kaq bindëse athue se autori vërtetë e ka jetue atë çka ndodhi mbas ranies së komunizmit në vitin 1990. Ironia ma e madhe lidhun me këtë drame asht se bash kjo vepër u ba objekt ironizimi nga nji tjetër shkrimtar i njoftun shqiptar, Ismail Kadare, i cili e sulmoi këtë dramë në parathanien e librit “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, botue në vitin 1989. Në parathanien e veprës për Migjenin, Ismail Kadare tallet me profecinë e Ernest Koliqit shkrue para se autori me vdekë në vitin 1975, tallet duke thanë se nga të tri profecitë e Koliqit “u realizua vetëm vdekja e tij”, nji ironizim ky prej nekrofili! Kurse profecinë e ranies së komunizmit Ismail Kadare jo vetëm e ironizon, por edhe kalon në një tiradë të plotë në mbrojtje të “pushtetit popullor”. Në fakt, nji vit mbas botimit të asaj parathanie u realizua profecia tjetër e Koliqit që ishte rania e komunizmit dhe normalisht me përmbushjen e asaj profecie u realizue edhe profecia e tretë, e bija e shkrimtarit mund të shkonte në Shkodër kur t’i tekej! Ate që Ernest Koliqi e parashikoi 20 vjet ma përpara, Ismail Kadare e gaboi duke pasë vetëm 1 vit përpara! Flasim për vizionaritet mbrapan sa të duam! Ismail Kadare tash në e vona ka thanë se “Fishtën, Konicën e Koliqin i ka sharë, sepse donte që të mos harroheshin dhe duke i sharë i përmendte”. Mirëpo, në kjo parathanie e tregon se kush ishte vërtetë Ismail Kadare, shkrimtar që asnjiherë nuk ka besue në ranien e komunizmit. Nuk ka besue, sepse ishte ithtar i asaj ideologjie dhe veproi siç veprojnë gjithëhera ithtarët e ideologjive, duke i qindrue besnik edhe në grahmat e fundit, siç ishte viti 1989, vit kur sizmika e zhvillimeve antikomuniste kishte trandë Poloninë, Çeko-Sllovakinë apo Gjermaninë Lindore. Sizmika që na dishmoi se “Rrâjët lëvizin”…