Cristiano Ronaldo është zgjedhur “futbollisti i vitit” nga FIFA. 31-vjeçari fitoi ndaj rivalit Lionel Messi, i cili u rendit i dyti, ndërsa sulmuesi francez i Atletico Madrid, Antoine Griezmann, doli në vend të tretë.
Cristiano Ronaldo e mbylli vitin 2016 me 55 gola në 57 ndeshje zyrtare të luajtura me Real Madrid dhe Portugalinë, me të cilat u shpall kampion Europe për klube dhe kombëtare.
Përveç futbollistit më të mirë të vitit, FIFA shpërndau çmimet e tjera në ceremoninë gala që u mbajt në Zyrih të Zvicrës.
“Çmimi Pushkash” (Goli më i bukur i vitit) – Mohd Faiz Subri
Futbollisti nga Malajzia është aziatiku i parë që e fiton këtë çmim falë golit të shënuar më 16 shkurt 2016 në ndeshjen Pulau Pinang – Pahang. Kandidatët e tjerë ishin Marlon dhe Daniuska Rodrigez.
Çmimi i Karrierës – Falkao
Falkao nderohet për karrierën e jashtëzakonshme në futbollin e sallës. Çmimin ia dha legjenda e futbollit ukrainas, Andrij Shevçenko.
Trajneri i vitit – Klaudio Ranieri
Italiani mposht Zinedin Zidanin dhe Fernando Santosin pasi udhëhoqi Leister Sitin drejt titullit kampion në Premier Ligë. Diego Maradona ia dorëzoi trofeun.
Çmimi “Fair Play” – Atletiko Nacional
Klubi kolumbian, kundërshtari i Çapekoenses në finalen e Kupës Sudamerikane, vlerësohet për gjestin që trofeu t’i jepej ekipit që humbi 19 futbollistë në tragjedinë ajrore.
Trajneri më i mirë në futbollin e femrave – Silvia Neid
Trajnerja udhëhoqi Gjermaninë drejt medaljes së parë të artë në Olimpiadën e Rios. Finalja ndaj Suedisë ishte ndeshja e fundit për të, duke i dhënë fund një epoke të artë ku 52-vjeçarja mori pjesë në fitoret e tetë Kampionateve Europiane dhe dy Botërore si futbolliste, ndihmëse e Tina Tojnit dhe trajnere. Ajo mposhti konkurrencën e Xhill Elis dhe Pia Sundhage.
Çmimi i Tifozëve – Tifozët e Liverpulit dhe Borusias së Dortmundit
54 mijë mbështetësit e kuq dhe ata verdhezi në “Anfield Road” e lanë mënjanë rivalitetin për disa minuta duke kënduar së bashku të famshmen “You’ll never ëalk alone” (“Ti kurrë nuk do të ecësh vetëm”) një ditë para përvjetorit të 27-të të tragjedisë së Hillsborout. Dy kandidatët e tjerë për këtë çmim ishin tifozët holandëzë të ADO Den Hagur dhe ata të Islandës.
Futbollistja e vitit – Karli Lojd
Mesfushoria amerikane e mori trofeun nga ish-sulmuesi i Argjentinës, Gabriel Batistuta.