Nga Veton Surroi
1.
Më 1970, kur babai im, Rexhai Surroi, tha se “gjuha shqipe nuk është më gjuhë e sharrëxhinjve dhe e hamajve”, qe një moment – i prekshëm, domethënës, i nënvizueshëm – i kthesës së popullit shqiptar në Kosovë. Universiteti i Prishtinës, i cili po themelohej nga Kuvendi i Kosovës atë ditë më 1970 do të shënonte momentin e pjekjes së një populli, i cili kishte kaluar një periudhë prej 25 vjetësh nga faza e analfabetizmit kolektiv në atë të vendosjes së një institucioni të atillë akademik. Për babanë tim, ky moment kishte një simbolikë të veçantë: si student në Beograd në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar kishte parë se shqiptari më shumë se sa përkatësi kombëtare kishte qenë profesion. Në të folurën e përditshme beogradase qe bërë e zakonshme që kur dikush donte t’i copëtonte e paloste drutë apo ta bartte qymyrin në bodrume për dimër të shkonte në treg për ta gjetur një “shqiptar” – jo një hamall, jo një sharrëxhi, por një shqiptar, emër që më vete kishte këtë përshkrim profesioni për ta bërë këtë punë.
Mund të gjenden arsyetime më të elaboruara se si qe e mundur që të kalohet prej analfabetizmit në Universitet për 25 vjet, por për këtë rrëfim do të na hyjnë në punë dy faktorë. Faktori i pare, i këtij lloj transformimi është përkushtimi i një lidershipi, siç ishte ai i udhëheqësve të ndritur të pasluftës, në shumicë të ikur si fëmijë në Shqipëri për të mësuar në gjuhën amtare. Pa përcaktimin e udhëheqësve të asaj kohe, të prirë nga Fadil Hoxha, për zhvillimin e arsimit shqip (së bashku me zhvillimin e institucioneve të tjera) do të ishte e paimagjinueshme të mbërrihet ai transformim 25-vjeçar.
Por, ekziston edhe një faktor tjetër. Është ai ku në këtë rrëfim hyn baca Xhelë dhe vezët e ziera që shiteshin në kafenenë e tij në Qafën e Duhlës. Kur udhëtohej prej Prishtinës në Prizren nëpër Shtime e Suharekë, autobusët e veturat e pakta ndaleshin në gjysmë të rrugës, aty ku rruga ishte më e lodhshme, në majë të Qafës së Duhlës. Shoferët e autobusëve bënin pauzën e detyrueshme, baca Xhelë atyre u jepte një drekë falas, ndonjëri prej udhëtarëve e hante nga një ve të zier dhe pinte çaj a “Jupi” – kështu kafja e bacës Xhelë u shndërrua në pikë të rëndësishme transporti.
Kur Qeveria e atëhershme e Kosovës, nënkryetar i së cilës ishte babai im, vendosi të mos linte nxënës pa shkollë, duke ndërtuar objekte të reja, u ballafaqua me mungesë parash në buxhet të Kosovës dhe mungesë interesimi në Beograd që ky buxhet të rritej. Atëbotë Qeveria e Kosovës shpalli vetëkontributin për shkolla dhe ndër të parët që do të jepte një shumë për ndërtimin e shkollës ishte baca Xhelë. Kështu, do të hynte në histori, e mandej edhe në këtë rrëfim, si faktori i dytë i transformimit të madh që kishte përjetuar vendi në 25 vjet. Faktori qe konsensusi në tërë shoqërinë kosovare: shkolla shqipe nuk ndërtohej vetëm pse ky ishte përcaktim i udhëheqjes, por sepse ky ishte besim kolektiv i tërë shoqërisë. Dhe këtë besim e shprehnin duke bërë diçka që kush tjetër në ish-Jugosllavi nuk e bënte, të ndërtonin shkollat publike me paratë e veta.
2.
Shkolla kishte për shqiptarët e Kosovës një dimension që nuk besoj ta kishte për ndonjë popull tjetër në Europë. Tek asnjëri prej popujve të Europës nuk besoj të jetë ndërtuar ndjenja se me hapjen e Universitetit gjuha e tij po kalonte prej stadit të hamallit e sharrëxhiut në atë të shkencëtarit e krijuesit kulturor.
Shkolla shqipe qe kategori gati religjioze dhe kjo u pa më 1990. Shkolla shqipe ishte pjesë e institucioneve të shtetësisë së atëhershme të Kosovës, të quajtur autonomi dhe kur institucionet e asaj shtetësie u zhbënë me forcën e okupatorit, mbrojtja e arsimit shqip u evidencua si prioriteti i parë i udhëheqjes së re politike, nën kryesimin e dr. Ibrahim Rugovës.
Shkolla shqipe, me gati 400 mijë njerëz të përfshirë në të, qoftë si nxënës apo mësimdhënës, ishte segmenti më i rëndësishëm shoqëror i politikës së rezistencës paqësore. Kështu shpjegonte dr. Fehmi Agani, kur vendosej për atë që më vonë do të quhej sistem paralel i arsimit. Në atë mbledhje isha dhe unë kur dr. Agani shpjegonte se arsimi nuk janë ndërtesat e shkollave, por sistemi i mësimdhënies dhe kapaciteti i shoqërisë për ta financuar atë. Një popull që mund ta mbajë arsimin e vet, ndonëse nën okupacion, do t’i tregojë botës se mund ta mbajë edhe shtetin e vet të lirë.
Dhe shqiptarët e Kosovës bënë atë që nuk bëri ndonjë popull tjetër në Europë. E mbajti arsimin shqip, me mund të vetin, e duke e mbajtur atë edhe besimin kolektiv se do ta fitonte lirinë.
Mësimi politik ishte i njëjtë, sikurse ai me Autonominë. Edhe kësaj here arsimit shqip i priu një lidership politik që e vuri arsimin si prioritet dhe një popull krijoi konsensus rreth këtij prioriteti, duke dhënë për të.
3.
Përse njerëzit si babai im, baca Xhelë, Fehmi Agani dhe me qindra njerëz që i jepnin shtëpitë e tyre për shkollë dhe me qindra e mijëra njerëz të tjerë që dhanë kontributin e 3-përqindëshit në diasporë konsideruan arsimin si kauzë parësore? Dhe përse kjo është pak më ndryshe se me popujt tjerë europianë?
Shpjegimin mund të ndihmojnë ta japin shkencëtarët e MIT, Institutit për Teknologji të Masaçusetsit. Isha atje, në Boston, në vitin 2014, duke shqyrtuar një depërtim të ri në studimet e konfliktit: si reagon truri i njeriut në konfliktet politike, sociale e të tjera. Shkencëtarët e këtij Instituti, së bashku me disa të tjera kishin incizuar trurin e njeriut dhe provë pas prove ishin dakorduar tek e njëjta pikë: truri i njeriut ka të njëjtin reagim dhimbjeje ndaj fyerjes e ofendimit siç ka ndaj dhunës fizike. Pra, neuronet tona nuk dinë të dallojnë mes goditjes me grusht dhe një fjale ofenduese – në tru kanë vlerë të njëjtë negative, shënohet dhimbje e njëjtë.
Tashmë është hapur një degë e veçantë e studimit të konfliktit për të kuptuar atë që gjenerata e babait tim, me bacën Xhelë e shokët tjerë, kishin kuptuar instinktivisht: se shqiptarët e Kosovës ishin sferë e përjashtuar shoqërore, se gjuha e tyre ishte e sharrëxhinjve dhe hamajve. Dhe kjo u shkaktonte nga njëra anë dhimbje, ngjashëm me atë të rrahjes fizike (ndonëse as rrahja fizike nuk ka munguar fare në shekullin e kaluar), por nga ana tjetër shkaktonte reagimin e natyrshëm imediat ndaj dhunës, rezistencën ndaj saj. Fryt i kësaj rezistence, për të tejkaluar dhimbjen e poshtërimit, qe Universiteti i Kosovës, momenti kur gjuha shqipe nuk do të ishte më e sharrëxhinjve dhe hamajve.
Kështu, më 1990 e 1991, qe krejtësisht i kuptueshëm reagimi i trurit tonë kolektiv. Në momentin, kur pushteti i Milosheviqit filloi t’i mbyllte shkollat, truri ynë kolektiv regjistroi tërë atë histori ndjenjash të dhimbjes – të përjashtimit shoqëror, të fyerjes e ofendimit – një ndjenje sikur ajo e rrahjes së përnjëhershme të 1.5 milionë shqiptarëve njëkohësisht. Dhe reagimi qe i një truri kolektiv, duke e vënë në mbrojtje arsimin shqip.
4.
Ky do të duhej të ishte momenti i “happy end-it”, ai kur themi se arsimi shqip u ngrit në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar në kushte jo shumë të favorshme për të, se u mbrojt në kushte të okupimit të Serbisë dhe doli në liri dhe lulëzoi.
Por, shprehja “doli në liri dhe lulëzoi” nuk është e vërtetë. Arsimi në liri, ç’është e vërteta, degradoi deri në shkallën, ku me matjet e PISA-s të vitit të kaluar, nxënësi mesatar kosovar nuk di leximin, matematikën dhe shkencën. Ndonëse nuk ka pasur matje PISA, në kohën kur u hap Universiteti i Prishtinës, vlerësimi i veteranëve të arsimit (i cili mund të jetë natyrisht subjektiv) është se nxënësit kosovarë ishin gjithsesi më lart se ç’janë sot.
Por, edhe po të mos ekzistojë regresioni, edhe po të jenë nxënësit kosovarë të njëjtë apo edhe diçka më të mirë se ata më 1971, ekziston një ligj, i quajtur i Moore-it, i cili nxënësit tanë, dhe tërë shoqërinë tonë e bën, në këto rrethana, të ndëshkueshme.
Ligji i Moore-it, sipas njërit prej prijësve të kompanisë së njohur të mikroprocesorëve, Intel, thotë se mikroprocesorët e dyfishojnë shpejtësinë e tyre përllogaritëse çdo dy vjet. Madje, këtë e bëjnë duke e zvogëluar madhësinë dhe shpenzimin e energjisë.
Në kohën, kur babai im mbajti fjalimin themelues të Universitetit të Prishtinës, Inteli kishte një mikroprocesor të quajtur 4004. Në kohën, kur u bë provimi i PISA-s në Kosovë, më 2015, Inteli kishte procesorin e gjeneratës së gjashtë. Ky procesor kishte (sipas librit të Thomas Friedman, “Thank you for being late”, Farras, Strauss and Giroux, New York, 2016) për dallim prej atij të fjalimit të babait tim 3.500 herë më shumë shpejtësi llogaritëse, ishte 90 mijë herë më efecient në shpenzim energjie dhe kishte 60 mijë herë kosto më të vogël prodhimi.
Revolucioni, nëpër të cilin po kalon bota e zhvilluar nuk është vetëm informatikë, por është i informatikës kognitive, pra i inteligjencës artificiale. Makinat llogaritëse, përfshirë edhe telefonat e mençur që mbajmë në xhep gjithnjë e më shumë po mësohen prej njeriut – gjegjësisht, tërësisë së informative, me të cilat disponon njeriu. Të gjitha ato që i kemi shkruar e shkruajmë, folur e flasim, të gjitha imazhet tona të kaluara e të tanishme po digjitalizohen dhe shndërrohen në algoritme që bëhen të gatshme për të na dhënë përgjigjet për pyetjet më të ndërlikuara.
Por, paralelisht me këtë revolucion botëror, nxënësi kosovar po mëson gjithnjë e më pak nga njohuritë që i ka njeriu. Ai, i cili në mesataren e vet mbresëlënëse nuk di lexim, matematikë dhe shkencë ka gjasa të jashtëzakonshme të mbetet jashtë, i përjashtuar nga tregjet botërore të punës, nga qendrat botërore të shkencës dhe arsimit. Ka gjasat e mëdha që të bëhet i përjashtuari social dhe që gjuha e tij të bëhet sërish në versionin e shekullit XXI gjuhë e sharrëxhinjve dhe e hamajve.
Dhe, për më tepër, këto gjasa po i ndodhin në vend të lirë e pavarur.
5.
Shpjegimi i pse-së është i thjeshtë: në liri, arsimi u shndërrua në mall për të grabitur, për të pushtuar. Për të zënë. Arsimi nuk u pa si kauzë e mëtejme e ngritjes së kombit, të përgatitjes së qytetarëve të Kosovës për një konkurrencë idesh, pune e tregu në Europë, por si lopë që duhet mjelë për të punësuar aktivistë, për të marrë diploma për punësim në sektorin publik apo si makineri votash për zgjedhje parlamentare.
Zaptimi i arsimit qe i nevojshëm për të krijuar dhunshëm një shtresë që do ta quajë veten elitë intelektuale. Siç do të mundë të shprehej njëri prej personazheve të sotme, ai me përplot kolorit:
– Edhe na kena pasë qef m’u bo doktor shkence, o Adriatik!
Është e qartë se kthimi te gjuha e hamajve dhe e sharrëxhinjve është indikatori më i keq i mundshëm i rrugës së theqafjes së një shoqërie. Korrupsioni, vjedhja, arroganca primitive e një pushteti gjysmautoritar – që të gjitha këto janë indikatorë të këqij që godasin një gjeneratë, këtë tonën, këtë të sotmen. Por, kthimi te gjuha e hamajve dhe e sharrëxhinjve është goditje e ardhmërisë së Kosovës; është kufizimi që vajzat dhe djemtë e Kosovës të kenë mundësi për një garë të barabartë me vajzat dhe djemtë e kombeve të tjera europiane. Është izolimi i ardhmërisë së Kosovës, larg më shumë se ç’kanë mundur të bëjnë okupatorët.
Por, krahas kësaj, është po ashtu e qartë se në diçka më pak se gjysmë shekulli kemi parë se si mund të arrihen të pamundurat: se si një popull analfabet prodhon për një çerekshekulli Universitetin dhe se si arsimi në gjuhën shqipe mund të mbrohej nga një popull duarthatë edhe atëherë kur nuk mund të mbrohej gjë tjetër – posaçërisht jo jeta e njeriut.
Qenë dy faktorë atëherë dhe janë dy faktorë tash: arsimi shqip, nxitësi kryesor i ngritjes së shtetit të Kosovës mund të ndërtohet vetëm me elitë të përkushtuar politike për këtë kauzë dhe nëse ekziston një elitë e tillë politike, do të ketë nevojë për një konsensus popullor, me një besim të përgjithshëm në këtë kauzë.
Por, për t’i aktivizuar këta dy faktorë, nevojitet ajo ndjenjë në trurin tonë kolektiv. Ajo ndjenjë e dhimbjes, e njëjtë sikur rrahja, e njëjtë sikur shkelmimi, e njëjtë sikur topi i ujit dhe shkopi i gomës në shpinë, të njëjtë sikur shuplaka dhe grushti. Ajo ndjenjë që nuk është rrahje fizike, por që ndihet njëjtë, sepse të përjashtohesh sot nga zhvillimi, të përjashtohesh nga integrimi me popujt e tjerë, të jesh i fyer dhe i ofenduar si popull me kthim në gjuhën e hamajve dhe të sharrëxhinjve – kjo është një dhimbje që duhet ta zgjojë Kosovën nga gjumi, nga gjumi i thellë i okupimit të mosdijes, të primitivizmit e arrogancës, të zgjohet nga gjumi i shtetit të kapur; ta çlirojë veten.
/koha.net/