Takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka zgjatur rreth 2 orë. Në takim ishte i pranishëm edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
Sipas shefit të qeverisë shqiptare, faktori shqiptar duhet të flasë me një zë të vetëm, në funksion të vendosjes së kushteve të Marrëveshjes së Ohrit në programin e cilësdo qeveri që do të krijohet.
Në një dalje për mediat, Ahmeti ka theksuar se është ende herët për të folur për koalicionet, por ka listuar kushtet e panegociueshme të BDI-së.
“Marrëveshja e Ohrit, anëtarësimi i vendit në NATO dhe në Bashkimin Europian, zhvillimi ekonomik i barabartë midis komuniteteve, këto do të jenë parimet mbi të cilat ne do të zhvillojmë negociatat në të ardhmen”, tha Ali Ahmeti, i cili shtoi se është ende herët që të flitet për një koalicion të ri me Gruevskin. “Në këtë moment, me rëndësi është që vendi nuk duhet të rikthehet në krizë. Këto zgjedhje duhet të shërbejnë për t’i dhënë fund krizës dhe për të pasur një rifillim të mbarë në Republikën e Maqedonisë. Të gjithë duhet të vëmë interesin e stabilitetit dhe të mos humbasim më kohë”.
Ali Ahmeti është takuar edhe me kryeparlamentarin Ilir Meta.
Ndërkohë, po në një dalje për mediet, kryetari i Parlamentit Ilir Meta ka theksuar se stabiliteti i Maqedonisë është thelbesor për Shqipërinë.
Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim është drejtuar për në Presidencë, për të përmbyllur turin e takimeve të tij në Tiranë.