Gjermania: Të verifikohen 800 gjyqtarë e prokurorë, ndryshe nuk ka negociata me Bashkimin Evropian
Ndërkombëtarët kanë folur qartë e prerë se Vettingu është prova përmes së cilës kalojnë negociatat. Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese e ka në dorë vendimin për zbatimin e Vettingut. Këto ditë pritet që kjo Gjykatë të dalë me një vendim për ligjin e Vettingut, pasi Komisioni i Venecias e ka cilësuar kushtetues ligjin.
Janë tre gjyqtarë të kësaj gjykate që preken drejtpëdrejt nga ligji i Vettingut. Një nen i këtij ligji parashikon përjashtimin nga sistemi i drejtësisë i gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë qënë pjesë e sistemit të drejtësisë në kohën e komunizmit. Tre prej tyre i përkasin Gjykatës Kushtetuese. Ata kanë punuar si prokurorë për të paktën dhjetë vjet gjatë sistemit komunist. Përvoja në sistemin e drejtësisë gjatë komunizmit, e Kristos dhe dy gjyqtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuse, është pasqyruar në jetëshkrimet e secilit.
Vladimir Kristo, lindur më 25.04.1947 në Korçë. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1969. Nga viti 1969 deri në vitin 1983, ka ushtruar detyra të ndryshme pranë organeve të drejtësisë në Shkodër dhe në Tiranë dhe në vitet 1983-1992 ka qenë përgjegjës i Sektorit të Studimeve në Prokurorinë e Përgjithshme.
Gani Dizdari, lindur më 30.04.1949, në Tropojë. Është diplomuar për Drejtësi në Universitetin e Tiranës, në vitin 1972. Ka punuar si prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Tropojë, në periudhën 1973-1982, dhe si prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Departamenti Gjyqësor, në vitet 1982-1989. Nga viti 1989 ka qenë prokuror pranë Gjykatës së Kasacionit, dhe në periudhën 1995-1999 ka ushtruar detyrën e Zëvendës-Prokurorit të Përgjithshëm.
Besnik Imeraj, lindur më 6.12.1954, në Tiranë. Diplomuar për Drejtësi, në vitin 1977, në Universitetin e Tiranës. Në periudhën 1977-1991 ka ushtruar detyra të ndryshme pranë organeve të drejtësisë në Elbasan dhe Tiranë.
Gjyqatrët e komunizimit në Gjykatën e Lartë
Ardian Dvorani, Ka lindur në Korçë në 20 shkurt 1966. Në vitin 1988 është diplomuar jurist në Universitetin e Tiranës. Ka shërbyer si prokuror në Prokurorine e Rrethit Gjyqësor Shkodër në periudhën 1988-1991.
Arjana Fullani, Ka lindur në Tiranë më 03 Shtator 1965. Eshtë diplomuar për drejtësi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë në vitin 1987 me rezultate të shkëlqyera dhe në 2007 ka marrë titullin Master i Ligjeve (LLM). Znj. Fullani ka ushtruar funksionin e Prokurores pranë sektorit të Prokurorisë së Rrethit Tiranë në vitet 1987-1992
Tom Ndreca, Është diplomuar në vitin 1980, me titullin Jurist, pranë Universitetit të Tiranës në fakultetin e Shkencave Politike Juridike në degën e Drejtësisë. Z. Ndreca për një periudhë 4 vjeçare ka ushtruar detyrën e prokurorit gjyqsor dhe prokurorit të rrethit, pranë prokurorisë së rrethit Mirditë.
Mirela Fana (Gjylameti), lindur në vitin 1966 në Tiranë. Zj.Fana është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë në vitin 1988. Zj. Fana ka ushtruar detyrën e hetueses pranë Hetuesisë së Rrethit të Mirditës, në periudhën 1988-1991.
Deklarata e Gjermanisë
Partia e Merkel në Bundestagun Gjerman ka folur qartë dhe prerë. Pa zbatuar reformën në drejtësi përmes së cilës verifikohen 800 gjyqtarë e prokurorë, nuk do të happen negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
Pastrimi i parlamentit e administratës nga kriminelët dhe lufta kundër korrupsionit padyshim mbeten kritere shtesë për hapjene negociatave sipas grupit parlamentar të CDU-CSU, aleanca në pushtet në Gjermani.
Deklarata është publikuar dje nga zëdhënësi i grupit parlamentar të CDU-CSU, aleanca në pushtet në Gjermani, ku theksohet thotë se Shqipëria duhet të përmbushë të gjitha kushtet për çeljen e negociatave për anëtarësim. Kushti i parë sipas Jurgen Hardt, është zbatimi i plotë i reformës në drejtësi të miratuar tashmë. Ai thotë se është e domosdoshme që 800 gjyqtarët dhe prokurorët t’i nënshtrohen procesit të verifikimit, duke nënvizuar se pasuria e tyre duhet të kontrollohet. Hardt thotë se grupi i CDU-CSU shpreh shqetësimin edhe për përparimin e ngadaltë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe luftës kundër trafikut të drogës. Pjesë e grupit parlamentar është CDU, partia që udhëheq Gjermaninë e drejtuar nga Angela Merkel.