Turqia është e interesuar dhe e angazhuar për të rritur fuqinë ushtarake të Shqipërisë. Teksa Greqia, me anë të ministrit të Jashtëm Nikolaos Kotzias dhe ministrit Mbrojtjes, Panos Kamenos, ka kërcënuar hapur Shqipërinë, duke i kujtuar forcën dhe superioritetin ushtarak e ekonomik, Turqia po mbështet ushtrinë shqiptare me pajisje, trajnime dhe asistencë teknike.
Bëhet fjalë për zbatimin e një marrëveshjeje mes dy vendeve, e miratuar disa muaji më parë, konkretisht në prill të 2016. Shqiptarja.com ka mësuar nga burime pranë Ministrisë së Brendshme se autoritetet e dy vendeve përkatëse kanë nisur zbatimin e marrëveshjes së miratuar.
Ministria e Brendshme Shqiptare ka përgatitur listën me pajisje ushtarake që do të mundësohen nga Turqia, ndërsa në Shqipëri pritet të zbarkojë ushtarakë turq për të trajnuar ushtarakët shqiptarë. Edhe pse zbatimit i paktit nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me kërcënimet e Greqisë, trajnimi dhe mbështetja me pajisje e Forcave të Armatosua të Shqipërisë nga Ministria e Mbrojtjes së Turqisë, përkon me tensionimin e raporteve mes Tiranës dhe Athinës zyrtare.
Po sipas burimeve, parashikimet e marrëveshjes po zbatohen në mënyrë të fshehtë, sikundër edhe parashikohen në përmbajtjen e saj. Konkretisht, neni 6 i marrëveshjes parashikon që palët nuk deklarojnë përmbajtjen dhe zbatimin e marrëveshjes ose të informacionit të klasifikuar që do të shkëmbehet midis palëve, te qeveria, shoqëria apo personi i një pale të tretë, pa pëlqimin me shkrim nga qeveria e Republikës së Turqisë.
Ky parim i konfidencialitetit vazhdon të zbatohet edhe pas pushimit të fuqisë së marrëveshjes. Ndërkaq, marrëveshja mbetet në fuqi për pesë vjet. Por, nëse është përdorur i gjithë burimi financiar që i alokohet Shqipërisë nga Turqia, marrëveshja do përfundon në datën e marrjes së njoftimit të dytë me shkrim nëpërmjet të cilit palët njoftojnë njëra-tjetrën për konfirmimin e situatës.
Pajisjet
Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë, sipas parashikimeve të marrëveshjes, ka dërguar listën për pajisjet ushtarake që duhet të blihen tek Ministria e Mbrojtjes së Turqisë.
Nën koordinimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë përcaktohen kompanitë përkatëse dhe Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë përzgjedh kompaninë lokale në Turqi, në veçanti nga kompanitë e Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, nga lista e ofruar nga Ministria e Mbrojtjes së Turqisë.
Pagesat kryhen nga Ministria e Mbrojtjes së Turqisë në llogarinë bankare të kompanisë së përzgjedhur nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë.
Asistenca financiare
Marrëveshja parashikon që asistenca financiare për ushtrinë shqiptare do të transferohet në llogarinë bankare të Zyrës së Atasheut Ushtarak Turk të Republikës së Turqisë në Republikën e Shqipërisë nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare të Republikë së Turqisë. Paratë do të shpenzohen nën mbikëqyrjen e Zyrës së Atasheut Ushtarak Turk të në Shqipëri në kuadrin e udhëzimeve të dhëna nga Shtabi i Përgjithshëm Turk. Shuma e akorduar do të jetë 2.350.000 lira turke, por marrëveshja mund të rinegociohet. Kështu, secila palë mund të propozojë rishikimin apo amendimin e protokollit. Në këtë rast, palët do të fillojnë diskutimet jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga marrja e njoftimit me shkrim për çështjen në fjalë.
Mbështetja
Turqia është e interesuar dhe e angazhuar për të rritur fuqinë ushtarake të Shqipërisë. Turqia po mbështet ushtrinë shqiptare me trajnime, pajisje, asistencë teknike, për të përballuar sfidat e kohës.
Afati
Marrëveshja mbetet në fuqi për pesë vjet. Por, nëse është përdorur i gjithë burimi financiar që i alokohet Shqipërisë nga Turqia, marrëveshja do përfundon në datën e marrjes së njoftimit me shkrim nëpërmjet të cilit palët njoftojnë njëra-tjetrën.
Shpenzimet
Shpenzimet që lidhen drejtpërdrejtë me alokimin e burimit financiar si ngarkesa, transporti, ngarkimi, paketimi, arsimimi, dietat e udhëtimit dhe pagesat ditore, sigurimi, taksat, tarifat, detyrimet bankare dhe ndryshimet e kursin e këmbimit valutor, përcaktohen në kontratën e shitjes që do të lidhet, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe kompanisë. Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë nuk mund të transferojë materialet ose shërbimet një shteti tjetër apo një pale të tretë pa marrë më parë pëlqimin e qeverisë së Republikës së Turqisë. Vizitat që do të bëhen si pjesë e procesit të përzgjedhjes fillojnë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, sipas rregulloreve ligjore të të dyja palëve.
/shqiptarja.com/