Nga Shpëtim Idrizi
Varrezat Monumentale të masakrave të shqiptarëve të Çamërisë gjenden në Kllogjer. Një kilometër larg nga vendi ku ministri i ekstremit të djathtë qirie Panos Pamenos lëshoi thirrjet për luftë, dergjen në një varrezë masive tre mijë shqiptarë të Çamërisë që vdiqën nga eksodi biblik pas masakrave, vrasjeve, dëbimeve sipas katalogjeve më të kobshme të nazistëve të bandave të Napoleon Zervës, pasues e mbrojtës i të cilit është ministri me shkollë agrare i Mbrojtjes së Greqisë.
Po të shohësh emrat dhe moshën e viktimave janë kryesisht fëmijë të moshës 1-10 vjeç e pleq që nuk i rezistuan dot eksodit të tmerrshëm.
Drejtësia dhe krimet e njerëzimit nuk parashkruhen. Kjo varrezë është një arsye e fortë përballë duarve të forta që fatkeqësisht Greqia po përdor duke mbrojtur xhelatët.
Kam një pyetje për Kamenos dhe pasardhësit e Napoleon Zervës sot në Greqi:
Kush luftoi kundër partizanëve të ELAS dhe batalionit “Ali Demi” në Çamëri gjatë luftës civile në Greqi 1944-1949?
Kush i shfarosi forcat partizane greke e çame që luftuan nazizmin në luftën civile në Greqi?
Si është e mundur që ata që shfarosën forcat partizane greke dhe çame gjatë luftës civile në Greqi kanë sot guximin e pafytyrësinë të akuzojne çamët pa asnjë fakt pa asnjë dokument pa asnjë foto të ndonjë formacioni të çamëve me nazizmin?
Si është e mundur që krimineli Napoleon Zerva bashkëpunëtor i gjermanëve që luftoi kundër forcave partizane sot ka përmendoren e turpit në Gumenicë?
Si mund të cilësohet ajo që ndodhi?
Ajo që i ndodhi komunitetit tonë të shkulur plotësisht nga vatrat e veta në territore që sot bëjnë pjesë në Greqinë e veriut është genocid i pastër sipas përkufizimit të nenit 2 të Konventës së OKB mbi genocidin të vitit 1948.
Komuniteti ynë, dikur minoriteti shqiptar në Greqi, me shtetësi greke, ju nënshtrua planeve për asgjësim apo shkulje nga territori i të parëve të vet prej qeverive greke që pasuan njëra-tjetrën nga viti 1915 deri në vitin 1950, nëpërmjet përdorimit të disa teknikave shfarosje që autori më i njohur në botë për genocidin Raffael Lemkin do të konsideronte si:
Teknika politike: diskriminim nga çdo lloj mundësie përfaqësimi politik në të gjitha nivelet e pushtetit, ndalimi të përdorimit të gjuhës, simboleve, arsimimit, e të tjera; heqja e shtetësisë greke në disa raste, më i fundit në vitin 1948 me ligjin grek që i hoqi në mënyrë kolektive shtetësinë greke të gjithë çamëve të larguar me forcë në vitin 1944-1945.
Teknika sociale: shkatërrimit të identitetit kombëtar në fushat shoqërore, goditjes së klerit mysliman, të intelektualëve të komunitetit çam, e të tjerë; ndalimit të afirmimit të identitetit kombëtar në të gjithë mjediset publike, diskriminimit në punësim, në të drejta, e kështu me radhë;
Teknika kulturore: përvetësimit të monumenteve, historisë, valleve, këngëve, e të tjerë.
Teknika ekonomike: konfiskimi i pasurive, shpronësimet e ndryshme, reformave agrare të viteve nga 1923 deri në 1940 dhe që pasuan me ligje të tjera të viteve 1950-1960.
Këto akte ligjore tentuan të fshijnë në kuadrin legjislativ grek çdo të drejtë pronësie të komunitetit tonë, minoriteti më i pasur etnik në Greqinë e veriut.
Për t’u shënuar Ligji i Luftës 2636/1940, i cili vendosi në sekuestro konservative të gjithë pronat e shtetasve shqiptarë, dikur shtetas grekë të përzënë me forcë në vitet 1923- 1940.
Ky ligj është akoma në forcë në të drejtën e brendshme greke për t’i ndaluar shqiptarëve të rikthehen në pronat e tyre.
Teknika fizike: internime në vitin 1940, vrasje masive në vitin 1944 dhe në vitin 1945 dhe largim me forcë në qershor të vitit 1945 të rreth 30 mijë çamëve myslimanë që kishin mbetur në territorin grek, në vatrat e të parëve të tyre.