Raporti i politikës monetare: Norma e papunësisë qëndroi në nivelin 17.5% në tremujorin e tretë të vitit, duke shënuar një rritje të lehtë në krahasim me gjashtëmujorin e parë
Rritja ekonomike nuk po përkthehet në punësim dhe rritje pagash për qytetarët. Ky është konstatimi i Bankës së Shqipërisë. Në raportin e fundit të politikës monetare të këtij institucioni rezulton se vlerësimet për hendekun e prodhimit tregojnë se ekonomia vazhdon të karakterizohet nga kapacitete të pashfrytëzuara në tregun e punës dhe të kapitalit.
“Treguesit e tregut të punës sinjalizojnë për kapacitete të lira në këtë treg dhe për presione të dobëta për rritjen e pagave. Norma e papunësisë qëndroi në nivelin 17.5% në tremujorin e tretë të vitit, duke shënuar një rritje të lehtë në krahasim me gjashtëmujorin e parë. Shkalla e punësimit u rrit, por pa arritur të absorbojë rritjen e forcës së punës” thekson Banka e Shqipërisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, edhe bizneset nuk po shfrytëzojnë të gjithë kapacitetet e tyre, çka do të përkthehej në vende pune, rritje prodhimi dhe më shumë kontribut në ekonomi.
“Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve e raportuar nga bizneset në vrojtimet e besimit, vijon të qëndrojë nën mesataren historike. Në këndvështrimin sektorial, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve mbetet e ulët në sektorin e ndërtimit dhe të shërbimeve”, theksohet në raport. Vitin e kaluar rritja ekonomike ka qenë rreth 2.7%, ndërsa këtë vit pritet në 3,4%. Ndërkohë që inflacioni qëndroi poshtë objektivit minimal prej 2% të parashikuar nga Banka e Shqipërisë, çka dëshmoi me tkurrje të konsumit dhe investimeve private, pasojë e pasigurive të qyteteve dhe bizneseve.