A e mbani mend Flamurtarin, kur luante me Barcelonën dhe eleminonte Partizanin e Beogradit? Skuadra e tanishme, që quhet po Flamurtari, nuk ka asnjë lidhje me të atëhershmen dhe po kalon momentet më të vështira të historisë, aq sa rrezikon të shpërbëhet nga borxhe të vjetra dhe të tanishme.
Administratori Idrizi betohet se nuk do të paguajë asnjë lek, për kontatat e prapambetura që nuk kanë lidhje me të dhe ka të drejtë, por FSHF vazhdon ta kërcënojë me penalizime të rënda, të cilat mund ta zbresin skuadrën një kategori më poshtë. Vasil Ruci thotë se vlonjatët hodhën Italinë në det dhe jo më të pyesin për Federatën, por klubi ka borxhe të reja me futbollistët aktualë, si dhe të larguarit që i kanë fituar gjyqet, duke filluar nga ish-trajneri Gjoka, Veliu, Arbri dhe së fundi Vucaj. Mundësia e vetme që ofron FSHF-ja është t’i mbajë klubit paratë e të drejtës televizive, nëse kjo është zgjidhje.
Por edhe Dinamos po i vijnë rrotull penalizime me më shumë se tre pikë minus, madje si përsëritëse mund edhe të marrë një dënim ekzemplar. Dhe është sërish FIFA që ka sjellë një shkresë zyrtari në FSHF, ku kërkohet që klubi Dinamo të paguajë menjëherë futbollistin kroat, Frane Petriçeviç, i cili ka luajtur për blutë e Tiranës në sezonin 2008-2009. Ndërkohë që shifra është e konsiderueshme, rreth 50 mijë euro, ose ekzaktësisht 36 mijë e 260 euro dhe 13 mijë të tjera kamatë vonesa.