Deputetja Doda ka folur në fund të ligjvënësve të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
Ajo ka shpjeguar se sa artikuj të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore janë shkelur me ndërgjegje nga fqinjët tanë në lidhje me Çështjen Çame. Ndaj sipas saj, nuk ka gomë shpëtimi që mund t’i japësh persekutorit që ka bërë genocid mbi një popullsi, për fajin e vetëm se ishte shqiptare.
Por, ajo ka akuzuar se shpesh në politikën shqiptare ka ndodhur që të lëshohet shteti për të marrë pushtetin.
Deputetja kujtoi që dokumentet themelore të Kombeve të Bashkuara janë nënshkruar nga Shqipëria dhe Greqia dhe janë detyruese për të dy vendet.
Më poshtë fjala e Mesila Dodës në Kuvendin e Shqipërisë:
Të nderuar kolegë
Po flas sot në përmbyllje të fjalimeve të kolegëve të grupit të PDIU-së, e bindur se cilido prej tyre ka një rrëfenjë personale, ka 100 vjet shtypje, dhunë, krim dhe diskriminim në shtëpitë e tyre, tek të afërmit, tek ata vetë që nuk e morrën vesh kurrë, pse ishin ndryshe nga fqinjët, pse ende dikush edhe sot në këtë sallë parlamenti guxon dhe i quan muhaxhirë. Është një histori e patreguar kurrë deri në fund, sepse ata si të gjithë ne, jemi bërë padashje pjesë e një heshtje të madhe, e një goje të mbyllur e të vulosur të shtetit shqiptar, Kuvendit shqiptar dhe shtetit të djeshëm e bashkëpunues i krimit të patreguar kurrë.
Përpara më pak se një jave, në fjalën time në këtë foltore bëra një ndërhyrje, e cila la pas shije të forta. Po flitej për paketën e ligjeve në drejtësi, për të cilën jam e bindur sot e gjithë ditën se është një nga momentet pozitive për shtetin shqiptar, është një moment shprese për burrat e gratë që tek sfidojnë çdo ditë varfërinë, papunësinë, mundet të kenë edhe një kohë shprese dhe pritje se diçka më e drejtë në këtë vend një ditë edhe do mund të vijë. Bashkë me këtë kohë ndryshimi për sistemin vinte edhe një lajm më i madh akoma. Brukseli njihte Çështjen Çame, i jepte emrin një tragjedie që shteti i dikurshëm e kish lënë pa zë, pa fytyrë e pa varr. Një çështje që qoftë larg nuk duhej zënë kurrsesi me gojë as në korridoret e ndonjë institucioni shqiptar se zemëroheshin fqinjët, mori jetë nga një funksionar i lartë e i pakompleksuar, i pafrikësuar, plot me energji pozitive për të ardhmen e BE, Shqipërisë dhe Greqisë dhe vendosi t’i thoshte se dy popujt duhet ta zgjidhnin këtë plagë të vjetër midis tyre dhe kjo, sepse për një europian larg dinakërive e frikave të Ballkanit asgjë nuk është tabu.
Prita që forcat politike ta përshëndesnin, prita të thonin një fjalë të mirë… hiç asgjë… siç thotë një kolegu ynë në këtë sallë…. Të gjithë palët heshtën si fija e barit. Më së pari mendova se nuk e kishin mësuar lajmin e mirë, më pas besova se nuk e kishin kuptuar, por urimet personale që na transmetonin kolegët tanë përgënjeshtronin çdo mirëbesim…
E vërteta e hidhur mes nesh është vetëm një, Çamëria tremb, Çamëria ka trembur dhe tremb politikën shqiptare sot e gjithë ditën, ndaj heshtin, ndaj fshihen pas perdes se lëndimit të fqinjit dhe harrojnë vrasjen në midis të shtëpisë, ndaj mundohen të na shesin për pragmatizëm pazarin përditë e nga pak që i bëhet Çështjes Kombëtare.
Pas fjalimeve të kolegëve të mi, unë nuk kam shumë për të thënë, askush prej nesh nuk ka më fjalë, tek dëgjon për krimet në shtëpitë tona dhe tek sheh shamitë për t’i terur lotët që i afrojmë veresie fajtorit. Askush nuk kupton më, tek sheh atë hendek të frikshëm që po thellohet mes nesh pa asnjë shkak. Pse ju trembi Çamëria në Bruksel? A e kuptoni që nuk është më në dorën tuaj? A nuk bindeni dot që ka dalë nga heshtja dhe duhet të zgjidhet njëherë e mirë një krim genocidi ndaj një krahine të tërë, krimi kundër të drejtave të njeriut ndaj një popullate të tërë? Kush jeni Ju more zotërinj që vendosni prioritete? Dhe eshtrat e ushtarëve ju duken më të rënda se ato të fëmijëve, grave e burrave të torturuar e vrarë, vetëm pse ishin shqiptarë?
Të nderuar kolegë,
Unë nuk do ju flas për krimet e bëra, nuk më takon mua. Nuk do ju rikutjoj as detyrimin që kemi që të sillemi si shqiptarë e jo si politikanë race në të tilla momente, se me ç’duket ndërgjegja ka kohë që nuk gjen dot vend në këtë sallë, por qetësisht do ju sjell detyrimin ndërkombëtar që kemi në këtë çështje.
Do e nis me dy Konventa të OKB; Konventën për parandalimin dhe dënimin e krimeve të Genocidit 1945 dhe Konventën për Krimet e luftës 1968.
Shqipëria dhe Greqia janë vende anëtare dhe kanë firmosur në të dyja këto Konventa. Në to përcaktohen qartë detyrimet e shteteve anëtare për të zbardhur dhe dënuar çdo formë të krimeve të luftës dhe ato të spastrimit të një etnie, race apo grupimi tjetër. Në to përcaktohen edhe mosamnistimi, sepse janë vepra me pasoja të rënda për njerëzimin, ndaj kjo çështje nuk është tabu, ndaj jam më shumë se dakord që duhet të respektojmë konventat ndërkombëtare dhe të zbardhim njëherë e përgjithmonë çdo vrer e krim mes nesh, sepse e vërteta dhe vetëm e vërteta do krijojë mes nesh atë energji pozitive që do çlironte marrëdhëniet tona. Sepse e vërteta dhe vetëm ajo do çlironte shtetin fqinj nga demonët e të shkuarës.
Tash po kaloj tek akti më i rëndësishëm ndërkombëtar; Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore
Artikulli 2 – E drejta e jetës mbron të drejtën e çdo personi për të jetuar.
Është shkelur, i është mohuar e drejta e jetës mbi 3000 burrave, grave e fëmijëve.
Artikulli 3 – Ndalimi i torturës ndalon torturën dhe trajtimin ose ndëshkimin çnjerëzor apo degradues.
Dëshmitë gojore, ato të ushtrive aleate dhe gjithë të afërmve të viktimave dëshmojnë për dhunimin e këtij neni.
Artikulli 5 – Liria parashikon se gjithkush ka të drejtën e lirisë dhe sigurisë së personit.
25.000 persona u shtrënguan të shpërngulen në kushtet e një pasigurie të lartë dhe terrori, ndaj ky nen u dhunua.
Artikulli 9 – Liria e ndërgjegjes dhe e fesë.
Ata u vranë dhe u shpërngulën me forcë si banorë shqiptarë dhe të një besimi të ndryshëm me dhunuesin, të besimit islam, ndaj ky nen u dhunua. Unë jam e krishterë dhe do jem e tillë deri ditën e gjykimit, por nuk do hesht asnjë minutë pa thënë të vërtetën për viktimat.
Artikulli 14 – Ndalimi i diskriminimit, ndalon diskriminimin në bazë të “gjinisë, racës, ngjyrës, gjuhës, fesë, mendimit politik apo mendimeve të tjetra, origjinës kombëtare apo klasore, përkatësisë në një minoritet kombëtar, pronës, lindja apo ndonjë status tjetër”.
Ky nen u dhunua këndej e andej kufirit, dhunohet sot e përditë dhe duket tejet zbavitëse, kur përbuzni një popullsi martire.
Protokolli 1 Artikulli 1 i Konventës,
E drejta e pronës garanton të drejtën e gëzimit paqësor të sendeve në pronësi.
Tash këtyre njerëzve do duhej t’i dilte zot shteti shqiptar, do duhet ta merrrnit përsipër mbi supet tuaja zgjidhjen e kaq shumë dhunimeve e konventave themelore të njerzimit për disa shqiptarë të tjerë që u vranë e u prenë e u prehën pa varr. Ju nuk e bëni këtë, por të paktën mos vazhdoni t’i afroni shaminë e lotëve atyre që mbajnë peng këtë krim.
Dhe së fundi, po i drejtohem kujtdo që mendon se mundet të kompleksojë me topat e baltës së tipit; “fjalime nacionaliste”.
Ky vend ka ngelur një pëllëmbë se gjithmonë ka qenë dikush që ka lëshuar shtet për të marrë pushtet, por ne në këtë lojë nuk na keni me vete as sot e as kurrë. Sikur asgjë të mos arrijmë, asgjë të mos bëjmë, ne do jemi ata që At Anton Harapi përshkruan mrekullisht:
“A e dini se çdo ndërtese i vihen temelet n’dhe? Edhe pse n’varr, ne hijshëm duhet t’jemi gurt’ e themelit t’njiasaj binaje t’cillën sot e quajm’ Shqypni.”