Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar të pandalshëm projektin për “Rilindjen urbane” të qyteteve, këtë herë nga Librazhdi, ku pa nga afër transformimin e qendrës dhe të disa zonave të banimit.
Sipas tij, përmirësimi i hapësirave në qytetet bazë të bashkive të reja është e vetmja mundësi për të krijuar komunitet dhe për t’u shkëputur nga izolimi. Rama shprehu bindjen se transformimi urban po shoqërohet edhe me rritje të aktivitetit të biznesit, aty ku është ndërhyrë.
Rama: “Është e rëndësishme që të gjithë njerëzit duhet të kuptojnë që ky është një proces i pandalshëm dhe shumë i shëndetshëm i zhvillimit urban. Përmirësimi i cilësisë si nata me ditën i hapësirës publike në qytetin bazë të bashkive të reja është një mesazh shumë i qartë për çdo banor të bashkive në fshatin më të largët. Nga ana tjetër është e vetmja mundësi për të krijuar komunitet, bashkëjetesë, sens përkatësie dhe për t’u shkëputur psikologjikisht nga ndarja dhe izolimi në shumë copa, me 400 komuna e me 400 mijë plagë që në vend që të kuroheshin vetëm u agravuan dhe u infektuan.
Ajo që njerëzit nganjëherë nuk e perceptojnë për shkak të propagandë së kazanit është që kjo lloj qasje sjell rritje të ekonomisë lokale, sepse sjell rritje të dëshirës për të bërë biznes të vogël, sjell rritje të dëshirës për të konsumuar dhe patjetër edhe rritje të vetëpunësimit, ose të punësimit të vogël.”